Zelensky paralajmëron shkëmbimin më të madh të të burgosurve me Rusinë: Negociatat po japin rezultate konkrete

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi të enjten se Ukraina dhe Rusia kanë rënë dakord për një shkëmbim të të burgosurve të luftës, i cili pritet të jetë më i madhi i realizuar deri më tani mes dy vendeve. Ai e cilësoi këtë zhvillim si një rezultat konkret të negociatave që po zhvillohen për t’i dhënë fund luftës.
Në një prononcim për gazetarët në Dublin, pas takimit me të dërguarin e posaçëm të presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff, dhe Jared Kushner, dhëndrin e Trumpit dhe njëherazi të dërguarin e tij, Zelensky konfirmoi se pala ruse ka dhënë dakordësinë për shkëmbimin.
“Ky do të jetë shkëmbimi më i madh i të burgosurve të luftës. Ky është një rezultat i vërtetë. Kjo është shumë e rëndësishme”, u shpreh presidenti ukrainas.
Duke iu referuar bisedimeve të zhvilluara në Abu Dhabi, Zelensky tha se përparimi i arritur ka ngjallur shpresën se konflikti mund të marrë fund. Ai theksoi se priten raunde të tjera negociatash, por nënvizoi se çdo takim duhet të prodhojë rezultate konkrete dhe të afrojë palët drejt një marrëveshjeje paqeje.
Një tjetër çështje e rëndësishme e ngritur nga presidenti ukrainas ishte përfshirja e Evropës në procesin negociator. Sipas tij, përfaqësuesit evropianë do të jenë pjesë e ekipit negociator në raundin e ardhshëm, duke pasur zërin dhe rolin e tyre në diskutime.
“Ata do të kenë zërin e tyre. Kjo është e rëndësishme për ne, sepse lufta po zhvillohet në Evropë dhe në të ardhmen do të jemi anëtarë të BE-së. Prandaj, është shumë e rëndësishme. Për prosperitetin dhe garancitë e sigurisë, është shumë e rëndësishme që Evropa të jetë e përfshirë”, deklaroi Zelensky.
Ndërkohë, presidenti rus Vladimir Putin priti të enjten në Moskë të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner. Takimi u zhvillua një ditë pas përfundimit të raundit të fundit të bisedimeve për paqe mes Ukrainës dhe Rusisë, të ndërmjetësuara nga Uashingtoni në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Lexo edhe
BOTA
Trump paralajmëron për ndërhyrje ushtarake në Kubë

Tërmet në Kretë të Greqisë

Qeveria holandeze gati për bisedime për të shmangur shpërbërjen pas debatit për taksën e pasurisë

Të shtënat me 1 viktimë dhe 4 të plagosur në SHBA, mjeku vrau menaxherin e ndërtesës pas mosmarrëveshjeve për mykun

Shpërthen cisterna e gazit në Ngushticën e Hormuzit, Irani pretendon se u godit nga një minë





