10 të arrestuar në Greqi, goditet rrjeti që trafikoi mbi 500 emigrantë përmes Shqipërisë
Një rrjet i madh i trafikimit të emigrantëve, që vepronte përmes territorit shqiptar drejt Greqisë, është asgjësuar orët e fundit

Një rrjet i madh i trafikimit të emigrantëve, që vepronte përmes territorit shqiptar drejt Greqisë, është asgjësuar orët e fundit nga policia greke në bashkëpunim me Europolin.
Gjatë një operacioni të zhvilluar në Selanik dhe në rajonin e Thesprotisë, pranë kufirit me Shqipërinë, u arrestuan dhjetë persona, mes tyre edhe një grua 33-vjeçare nga Shqipëria. Shtatë nga të arrestuarit janë shtetas grekë dhe dy të tjerë sirianë.
Sipas policisë, rrjeti vepronte të paktën që nga qershori i vitit 2025 dhe kishte organizuar 41 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit, duke trafikuar mbi 500 emigrantë, kryesisht nga Nepali, Jemeni dhe Kina.
Emigrantët kalonin në këmbë përmes shtigjeve të vështira malore nga Shqipëria drejt Greqisë siç duket edhe ne pamjet që ka siguruar policia nëpërmjet dronëve me kamera.
Në zonën kufitare të Thesprotisë, anëtarët e rrjetit i strehonin përkohësisht në banesa apo çadra të improvizuara, duke u shitur ushqime, ujë dhe karta telefoni me çmime tepër të larta.
Më pas organizohej transporti i tyre drejt Athinës, Patrës dhe zonave bujqësore të Peloponezit, ku shumë prej tyre përfundonin duke punuar pa sigurime dhe dokumente të rregullta. Në disa raste, trafikantët u mbanin pasaportat emigrantëve derisa të shlyenin, përmes punës, borxhin e krijuar për transportin e tyre.
Fitimet e paligjshme të organizatës përllogariten në të paktën 750 mijë euro. Gjatë operacionit u arrestuan edhe 21 emigrantë pa dokumente të rregullta qëndrimi, ndërsa u sekuestruan automjete, telefona, para dhe pasaporta.
Hetimet vazhdojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në rrjetin e trafikimit.
Lexo edhe
AKTUALITET
Shpërndanin drogë pranë shkollave në Fier, 4 në pranga dhe një në kërkim

Gjendet një person pa shenja jete në zonën e Shkozetit në rrugën kryesore

“Sofra e gurit” për dialog, si çdo ditë Rama e vendos sërish para Kryeministrisë

Tarifat e larta bankare mbajnë peng luftën ndaj ‘ekonomisë së cash-it’

KLSH: Borxhi doganor u rrit me 26% në 2025, arriti në 61.8 miliardë lekë - Ekofin





