Editorial Emisione Investigime Aktualitet Sociale Politikë Kosova Bota Showbiz Lifestyle Sport
TË FUNDIT
Ardit Gjebrea paraqitet në SPAK “Zhurma deri në orët e vona dhe gjeste kërcënuese ndaj banorëve”/ Banorët në Durrës: Ndërtimi i pallatit vi... “Reuters”: Irani i dërgon SHBA-së propozimin bërthamor përmes Katarit, Teherani vendos shtatë kushte për ne... Belgjika miraton ligjin e debatueshëm, policia do të mund të kontrollojë shtëpitë e emigrantëve pa dokument... Trump: Lufta në Ukrainë drejt fundit, po vjen një marrëveshje! OBSH: Deri në 45% e rasteve të demencës mund të parandalohen, ja zakonet që mbrojnë trurin Shpërndanin drogë pranë shkollave në Fier, 4 në pranga dhe një në kërkim Gjendet një person pa shenja jete në zonën e Shkozetit në rrugën kryesore “Sofra e gurit” për dialog, si çdo ditë Rama e vendos sërish para Kryeministrisë Çfarë fshihet pas breshërisë së kërcënimeve në aeroportet evropiane? Tarifat e larta bankare mbajnë peng luftën ndaj ‘ekonomisë së cash-it’ Studentët kërkojnë dorëheqjen e Ramës, vijon bojkoti në Universitete
AKTUALITET

“T’i shoh edhe një herë me sy”/ Letra e dhimbshme e emigrantit shqiptar drejtuar Enver Hoxhës për fëmijët e internuar

Në mars të vitit 1962, Emin Lamçe Tafani, një emigrant shqiptar nga Cërriku që jetonte në Belgjikë, i shkruante Enver Hoxhës për fatin e familjes së tij të internuar në Lushnjë

P
Piranjat 6 November 2026, 07:41 · 5 min lexim
“T’i shoh edhe një herë me sy”/ Letra e dhimbshme e

Në mars të vitit 1962, Emin Lamçe Tafani, një emigrant shqiptar nga Cërriku që jetonte në Belgjikë, i shkruante Enver Hoxhës për fatin e familjes së tij të internuar në Lushnjë. Në pak rreshta, letra zbulon një histori të pazakontë: bashkë me fëmijët, regjimi kishte internuar edhe dy gratë me të cilat Tafani ishte martuar, të parën dhe të dytën.

Më 27 mars 1962, nga një adresë në Bruksel, Emin Lamçe Tafani ulej të shkruante një letër për Enver Hoxhën. Në Shqipëri kishte lënë fëmijët dhe dy familjet e krijuara nga martesat e tij. Të gjithë ndodheshin në internim, ndërsa ai jetonte në Belgjikë.

Tafani ishte me origjinë nga fshati Bejlik i Cërrikut, në rrethin e Elbasanit. Në letër ai e pranonte largimin nga Shqipëria si një gabim, duke përdorur gjuhën e pendesës që regjimi komunist kërkonte nga ata që kishin zgjedhur emigrimin.

“Unë e shum të tjer si un u gabuem e lam Atdhen tonë të shtrejt e murëm rrugat e emigrimit, tue marrë në qafë vehten e familjet tona”, shkruante ai.

Pas këtyre fjalëve vinte historia e familjes së tij.

Tafani tregonte se në një ndërmarrje bujqësore në Lushnjë ndodheshin të internuar pjesëtarët e familjes, mes tyre dy djemtë e tij, Petriti dhe Xhevati. Por në të njëjtën letër ai zbulonte edhe një hollësi të pazakontë: në internim ndodheshin dy gratë me të cilat kishte qenë i martuar.

“Bashke me djemt po në kët ndërmarrje janë edhe 2 gratë e mija të qujtuna 1-ra Fatushe Tafani e II-ta Hadije Kamoni”, shkruante ai, pasi shpjegonte se ishte martuar dy herë.

Nga mënyra se si i rendit emrat dhe martesat, kuptohet se bëhej fjalë për bashkëshorten e parë dhe atë të dytë. Të dyja ndodheshin në internim, së bashku me fëmijët.

Regjimi komunist kishte përfshirë në ndëshkim edhe familjen e martesës së parë të Tafanit, edhe atë të martesës së dytë. Dy gra me histori të ndryshme martesore, por me të njëjtin fat, të internuara për shkak të burrit që kishte emigruar.

Në Shqipërinë komuniste, internimi i familjarëve të të arratisurve ishte një nga format e ndëshkimit kolektiv. Fëmijët rriteshin larg shtëpive të tyre, nënat kalonin vite në vendbanime të detyruara dhe e ardhmja e tyre përcaktohej nga biografia politike e një pjesëtari të familjes.

Në letrën e Tafanit, kjo praktikë merr emra konkretë: Petrit, Xhevat, Fatushe dhe Hadije.

Nga Belgjika, ai kërkonte që familjarët të lejoheshin të largoheshin nga Shqipëria e të bashkoheshin me të.

“Të lutem me i lejue për me emigru këtu në Belgjike pranë meje në menyr qi ti shof edhe nji herë me sye”, shkruante Tafani.

Letra mbyllej me një tjetër lutje drejtuar Enver Hoxhës, të cilit i kërkonte të falte veprimet e tij të mëparshme dhe të urdhëronte organet përkatëse të merrnin masa për kërkesën.

Në dokument duket edhe vula e administratës së Komitetit Qendror, dëshmi se letra kishte mbërritur në aparatin e pushtetit.

Nuk ka në këtë dokument një përgjigje për fatin e familjes Tafani. Por historia e internimeve në Shqipërinë komuniste tregon sa të pakta ishin shpresat që familjarët e një të arratisuri të lejoheshin të largoheshin nga vendi për t’u bashkuar me të.

Kanë kaluar më shumë se gjashtë dekada nga ajo letër. Nuk dihet sa vite qëndruan në internim Fatushja, Hadija dhe fëmijët, as çfarë ndodhi më pas me ta.

Ka mbetur një faqe e zverdhur, e shkruar nga një emigrant në Bruksel, dhe historia e dy grave që, megjithëse kishin qenë të martuara me të njëjtin burrë në periudha të ndryshme, përfunduan duke vuajtur të njëjtin ndëshkim.

Në Shqipërinë e Enver Hoxhës, edhe martesa e përfunduar nuk mjaftonte për t’i shpëtuar biografisë së burrit.

SHPËRNDAJE

Lexo edhe

AKTUALITET

Me rëndësi

Ndiqni Piranjat kudo.

Investigime, denoncime dhe satirë — zëri që nuk hesht.