KLSH: Borxhi doganor u rrit me 26% në 2025, arriti në 61.8 miliardë lekë - Ekofin

Në vitin 2025 që i parapriu nisjes së zbatimit të faljes fiskale, borxhi i papaguar ndaj administratës doganore arriti në 61.83 miliardë lekë, me një rritje të fortë prej 25.9% krahasuar me një vit më parë. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, rreth 77% e detyrimeve janë më të vjetra se pesë vjet, ndërsa në mijëra raste nuk janë ndërmarrë në kohë procedurat për rikuperimin e tyre, duke rritur rrezikun që një pjesë e konsiderueshme e borxhit të mbetet e pambledhshme.
Raporti i KLSH-së mbi zbatimin e buxhetit 2025 vëren se detyrimet doganore u rritën me 12.71 miliardë lekë brenda vitit, nga 49.12 miliardë lekë në fund të vitit 2024 në 61.83 miliardë lekë në dhjetor 2025. Në të njëjtën periudhë, numri i rasteve debitore u shtua me 520, ose 12.3%, duke arritur në 4,763.
Pjesa më e madhe e rritjes së borxhit, rreth 9.49 miliardë lekë, ose 74.7%, ka ardhur nga penalitetet e vendosura sipas vendimeve të autoritetit doganor. Ndërkohë, 3.19 miliardë lekë të rritjes lidhen me detyrime të reja të gjetura gjatë vitit 2025 dhe 30 milionë lekë me kamatëvonesat mbi borxhet e vjetra.
Mbi 47 miliardë lekë borxhe më të vjetra se pesë vjet
KLSH vëren se një pjesë e detyrimeve janë tepër të vjetra dhe kufizohet mundësia për arkëtimin e tyre. Sipas auditimit, 47.66 miliardë lekë, ose 77% e stokut të borxhit doganor, përbëhen nga detyrime të papaguara prej më shumë se pesë vitesh.
Raporti thekson se pjesa më e madhe e detyrimeve kanë mundësi të ulëta arkëtimi, ndërsa administrata doganore nuk ka siguruar një proces efektiv për rikuperimin e borxheve të mbartura nga vitet e mëparshme.
Problematike është edhe struktura e borxhit. Nga totali prej 61.83 miliardë lekësh, rreth 35.94 miliardë lekë, ose 58%, përbëhen nga penalitete, ndërsa 9.67 miliardë lekë, ose 16%, janë kamatëvonesa. Vetëm 16.22 miliardë lekë, ose 26% e stokut, përfaqësojnë detyrime bazë doganore.
Kjo tregon se pjesa më e madhe e borxhit të akumuluar nuk lidhet drejtpërdrejt me detyrimet fillestare të papaguara, por me gjobat dhe interesat e krijuara nga mosshlyerja e tyre.
Mijëra raste pa vendime për rikuperimin e borxhit
Përtej rritjes së detyrimeve, KLSH ka identifikuar mangësi konkrete në procedurat e mbledhjes me forcë. Sipas auditimit, për 792 raste me detyrime prej 14.49 miliardë lekësh nuk janë nxjerrë vendime për rikuperimin me forcë të borxhit.
Ndërkohë, 2,035 raste të tjera, me detyrime në shumën 18.13 miliardë lekë, rezultojnë pa urdhër ekzekutimi. Këto të dhëna evidentojnë vonesa në ndjekjen administrative dhe ligjore të detyrimeve të papaguara.
Për 276 raste të krijuara gjatë tri viteve të fundit, me detyrime prej 140 milionë lekësh, nuk janë ndërmarrë veprimet e nevojshme për ndjekjen gjyqësore, ndërsa 62 raste nuk janë dërguar në zyrat përmbarimore.
Auditimi ka konstatuar gjithashtu se në disa raste degët doganore nuk kanë kërkuar në kohë pezullimin e aktivitetit ekonomik të subjekteve debitore pranë administratës tatimore dhe bllokimin e veprimeve në sistemin doganor ASYCUDA World.
Sipas KLSH-së, vonesat në nxjerrjen e vendimeve për rikuperimin e detyrimeve, mungesa e urdhrave të ekzekutimit dhe mosndjekja në kohë e procedurave gjyqësore kanë kufizuar efektivitetin e masave për mbledhjen e borxhit.
Tashmë mbetet për t’u parë sesi do të ndikojë Falja Fiskale përgjatë këtij viti në uljen e borxhit doganor./ekofin.al
Lexo edhe
AKTUALITET
“T’i shoh edhe një herë me sy”/ Letra e dhimbshme e emigrantit shqiptar drejtuar Enver Hoxhës për fëmijët e internuar

Punëtorët e huaj në rritje, 25% më shumë kërkesa për leje qëndrimi në vitin 2025

Kursi i këmbimit valutor për ditën e sotme

“Surprizat” e motit për ditën e sotme, 7 nëntor 2026





