FOTO/ Arrestohet në flagrancë 57-vjeçari, shiste kokainë në lokalin që kishte marrë me qira
Një 57-vjeçar është arrestuar në flagrancë në fshatin Drithas të Maliqit, pasi dyshohet se shiste kokainë n&eum...
Një 57-vjeçar është arrestuar në flagrancë në fshatin Drithas të Maliqit, pasi dyshohet se shiste kokainë n&eum...
Me një mbështetje deri në 10,000 euro , e cila në fazën e re është planifikuar të paguhet përgjysmë para zhv...
Për deputetin e PD, Xhelal Mziu, eksperimenti që bëri mazhoranca socialiste më 2014 me reformën e atëhershme territorial, ka red...
Protesta kundër qeverisë vijon edhe sot, duke shënuar ditën e 122-të të tubimeve. Protestuesit kërkojnë dorëheqje...
Të gjitha matjet zyrtare tregojnë përkeqësimin të mundësive për punësim te të rinjtë. Të dhënat n...
Vendi ynë do të vijojë të ndikohet nga të njëjtat kushte atmosferike edhe gjatë ditës së martë. Sipas parash...
Pas ndërprerjeve të importeve nga Brazili, përpunuesit e mishit paralajmërojnë se prej muajit nëntor në tregun vendas prite...
Dashi Ata qe janë ne një lidhje do kalojnë një dite goxha te mire sot. As qe mendohet te ketë kriza, kështu qe do dashuroheni s...
Historia e shërbimit inteligjent shqiptar pas rënies së komunizmit lidhet në mënyrë të pashmangshme me drejtuesit e tij n&e...
Ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka kërkuar një reformim të thellë të Shërbimit Informativ të Shtetit, duk...

At Pjetër Meshkalla mbetet një nga figurat më të spikatura të klerit katolik shqiptar dhe një prej dëshmive më të fuqishme të qëndresës morale e shpirtërore përballë diktaturës komuniste.
Jeta e tij ishte e lidhur ngushtë me Shkodrën, me arsimin, me edukimin e brezit të ri, me shërbimin fetar dhe, mbi të gjitha, me një bindje të palëkundur se njeriu nuk duhet të heqë dorë nga e vërteta edhe atëherë kur çmimi i saj është liria, burgu, internimi apo vetë jeta. At Pjetër Meshkalla lindi në Shkodër më 25 shtator 1901, në rrugën e Daulles, në një qytet që në fillim të shekullit XX ishte një nga qendrat më të rëndësishme kulturore, arsimore dhe fetare të Shqipërisë. Ai u rrit në një mjedis ku arsimi, kultura dhe besimi fetar ishin pjesë e rëndësishme e jetës shoqërore.
Që në vitet e para të jetës, Meshkalla do të afrohej me dijen dhe me formimin fetar, duke nisur kështu një rrugëtim që do ta çonte më vonë në disa prej qendrave më të rëndësishme të studimeve evropiane. Pas mësimeve të para në vendlindje, Pjetër Meshkalla vazhdoi studimet jashtë Shqipërisë. Ai kreu studime teologjike në Linz të Austrisë, ku pati ndër të tjerë bashkëstudent edhe Dom Kolec Prennushin. Më tej vijoi studimet në Goricë të Sllovenisë, ndërsa formimin e tij intelektual e plotësoi në Fakultetin e Filozofisë në Napoli të Italisë. Në vitin 1931, Meshkalla u shugurua meshtar i Shoqërisë së Jezuit në Shkodër. Pas shugurimit, ai nisi veprimtarinë e tij pedagogjike në Seminarin Papnor, ku dha mësim letërsi, gjuhë shqipe dhe filozofi.
Në vitin 1934, At Pjetër Meshkalla themeloi rrethin “Shën Gjon Bosco”, me synim edukimin dhe formimin e rinisë. Më vonë, gjatë veprimtarisë së tij në Tiranë, në vitin 1937, u lidh edhe me rrethin “Shën Pjetri”. Një nga tiparet më karakteristike të figurës së Meshkallës ishte qëndrimi i tij ndaj pushtimeve dhe regjimeve politike.Ai nuk u identifikua me asnjë pushtues dhe nuk e shihte nënshtrimin ndaj një fuqie të huaj si alternativë. Gjatë periudhës së pushtimit italian, ai shprehu pikëpamjet e tij atdhetare përmes predikimeve dhe shkrimeve. Më pas, gjatë pushtimit gjerman, veprimtaria e tij mori edhe një dimension humanitar. Sipas dëshmive të lidhura me këtë periudhë, ai ndihmoi në strehimin e popullsisë së Tiranës dhe të një numri hebrenjsh, në një kohë kurndjekjet, arrestimet dhe bombardimet e bënin jetën jashtëzakonisht të rrezikshme.
PËRBALLJA ME REGJIMIN KOMUNIST
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria hyri në një periudhë krejtësisht të re politike. Regjimi komunist filloi të konsolidonte pushtetin dhe shumë shpejt nisi përplasja e drejtpërdrejtë me institucionet fetare dhe me klerin. At Pjetër Meshkalla ishte ndër ata klerikë që nuk pranuan të vendoseshin në shërbim të pushtetit. Në vitin 1945, sipas dëshmive biografike për të, atij iu kërkua bashkëpunim me regjimin. Ai nuk pranoi. Përkundrazi, në predikimin me rastin e vdekjes së Imzot Luigj Bumçit, shprehu hapur qëndrimin e tij kritik ndaj politikës së regjimit. Kjo e vendosi në shënjestër të autoriteteve. Në vitin 1946, ai u arrestua.
Pas një hetuesie të gjatë, më 18 prill 1947, Gjykata Ushtarake e Garnizonit të Tiranës e dënoi me 15 vjet heqje lirie dhe punë të detyruar, si edhe me humbjen e të drejtave për pesë vjet. Ndër akuzat e ngritura ndaj tij ishin pjesëmarrja në organizatën “Bashkimi Kombëtar” dhe “agjitacioni e propaganda”. Në të njëjtin proces u dënuan edhe figura të tjera të klerit, ndër ta Dom Shtjefën Kurti dhe Imzot Irine Banushi. Për Meshkallën filloi kështu një nga periudhat më të rënda të jetës së tij. At Pjetër Meshkalla e vuajti dënimin në kampe pune dhe në burgun e Burrelit, një prej vendeve më të njohura të sistemit represiv të burgjeve politike të Shqipërisë komuniste. Megjithatë, edhe në kushtet e burgut, qëndrimi i tij nuk u thye. Ai u lirua në vitin 1961, pas rreth 15 vitesh burgim, por liria e tij ishte e kufizuar. Atij nuk iu lejua të rifillonte shërbimin e tij si meshtar. Në vend që të kthehej në jetën e tij të mëparshme, Meshkalla mbeti nën vëzhgimin dhe presionin e autoriteteve.
LETRA DREJTUAR MEHMET SHEHUT
Viti 1967 shënoi një nga momentet më të rëndësishme në përplasjen e At Pjetër Meshkallës me regjimin. Në atë kohë, fushata kundër fesë në Shqipëri po hynte në një fazë të re dhe shumë më radikale. Institucionet fetare po mbylleshin, objektet e kultit po merreshin nga shteti dhe klerikët po përballeshin me presione, arrestime dhe ndëshkime. Në këtë klimë, At Pjetër Meshkalla i drejtoi një letër kryetarit të Këshillit të Ministrave, Mehmet Shehut, më 5 prill 1967. Pikërisht kur në Shkodër po zhvillohej «Revolucioni kultural», Pater Meshkalla në 1967 i shkruan nje letër Mehmet Shehut, dhe kërkon me i ndalue dorën e përgjakun që po vepronte aq egërsisht.
U arrestua me 29 prill 1967, dënohet me 10 vjet burg gjoja për “agjitacion e propaganda”. Ai u thanë në allën e gjyqit: “Ju më dënoni sa të doni, se unë prap se prap do të dal, mbasi ju shoqishojn keni me hangër. Aty asht fundi i juej!”, Doli në moshën 78- vjeçare dhe jetoi si misionar i vërtetë i Krishtit, deri sa vdiq me 28 korrik 1988. Letra është një nga dokumentet më domethënëse të qëndrimit të tij. Meshkalla nuk iu drejtua Shehut me gjuhën e frikës. Ai i shkroi “si njeriu njeriut”, duke argumentuar se ajo që po ndodhte me institucionet fetare dhe me besimtarët po cenonte jo vetëm lirinë fetare, por edhe karakterin e shoqërisë. Ai kundërshtoi konfiskimin e dorëshkrimeve dhe materialeve të tij, duke i konsideruar ato pronë të shenjtë dhe të paprekshme të autorit. Por shqetësimi i tij ishte shumë më i gjerë.
Ai shkruante për frikën që po përhapej në shoqëri, për njerëzit që kishin frikë të takoheshin apo të përshëndeteshin me persona të cilët konsideroheshin “të prekur” nga regjimi. Një nga shqetësimet kryesore të tij ishte se një shoqëri e ndërtuar mbi frikën rrezikonte të prodhonte njerëz pa kurajë qytetare. Në letrën e tij ai shprehej: “Unë vijën e tanë jetës sime nuk mund e ndryshoj, por do ta vazhdoj derisa të kemë frymë.” Në një tjetër pjesë të letrës ai shkruante: “Nuk më ka shty me ju shkrue Shkëlqesë, as urrejtja, as ambicioni, as interesi, por vetëm ndërgjegjja, e vërteta dhe e mira.” Duke iu referuar politikës së regjimit ndaj fesë dhe premtimeve për liritë dhe të drejtat njerëzore, ai i shkruan Mehmet Shehut: “Me të vërtetë, as anmiku ma i tërbuem i pushtetit s’ka muejt me u ba një propagandë ma anmiqsore në 22 vjetë, sa i keni ba vedit”. Në këtë letër vihet re guximi dhe qëndrimi i palëkunduri i At Pjeter Meshkalla ndaj shkatërrimit që po i bëheshin institucioneve fetare. Meshkalla i drejtohet kryeministrit me shprehje plot guxim, kur i thotë se komunizmi po shkakton frikë në njerëz dhe se brezi i ri po rritet pa kurajo e burrni. “Me këtë luftë kundra fesë neve edhe po diskreditohemi faqe botës”. Në këtë letër bëhet edhe një pasqyrim i mësymjes së Sigurimit të Shtetit ndaj kishave dhe klerit katolik në Shkodër. Duke pranuar që të dorëzojë gjithçka përfshi edhe rrobat e trupit, At Pjetër Meshkalla i kërkon Mehmet Shehut që të heqin dorë nga marrja e dorëshkrimeve të tij dhe klerikëve të tjerë, të cilat ai i konsideronte të shenjta.
ARRESTIMI I DYTË
Pak javë pas kësaj letre, më 29 prill 1967, në Institutin Pedagogjik të Shkodrës u zhvillua një mbledhje për “demaskimin” e veprimtarisë së At Pjetër Meshkallës. Më pas, më 19 korrik 1967, Gjykata e Shkodrës, me vendimin nr. 44, e dënoi me 10 vjet heqje lirie dhe konfiskim të pasurisë, për “agjitacion e propagandë”. Kështu, një njeri që kishte kaluar tashmë një pjesë të madhe të jetës në burg u rikthye sërish pas hekurave. Ishte një goditje e drejtpërdrejtë ndaj një kleriku që kishte refuzuar të heshtte. Pas përfundimit të dënimit të dytë, At Pjetër Meshkalla u lirua në vitin 1978, por as kjo nuk do të nënkuptonte një kthim në jetën normale.
Ai u internua në Vlorë, ku kaloi vitet e fundit të jetës nën kufizimet dhe kontrollin e regjimit. Edhe në këtë periudhë, jeta e tij mbeti një dëshmi e pasojave që përndjekja politike pati mbi klerin shqiptar. Ai kishte kaluar burgje, kampe pune, hetuesi dhe internim. Kishte humbur vite të tëra të jetës, kishte humbur të drejtën për të ushtruar lirisht misionin e tij fetar dhe kishte parë shkatërrimin ose mbylljen e institucioneve me të cilat kishte lidhur jetën e tij. Megjithatë, nuk hoqi dorë nga identiteti i tij. At Pjetër Meshkalla ndërroi jetë më 28 korrik 1988, vetëm rreth dy vite përpara rënies së regjimit komunist në Shqipëri. Ai nuk e pa ditën kur sistemi që e kishte burgosur dhe internuar do të merrte fund. Por ai jetoi aq gjatë sa të linte pas një dëshmi që do të mbetej përtej atij sistemi. Pas rënies së komunizmit, figura e tij mori një vlerësim të ri publik. Në vitin 1992, At Pjetër Meshkalla u dekorua me titullin “Pishtar i Demokracisë”, duke u bërë kleriku i parë që mori këtë vlerësim. Emri i tij sot lidhet veçanërisht me arsimin dhe me traditën e jezuitëve në Shkodër. Në nderim të jetës dhe qëndresës së tij, Shoqëria e Jezuit i ka dhënë emrin e tij shkollës së mesme në Shkodër, pasardhëse e traditës së Kolegjit Saverian.
LETRA ORIGJINALE PËR MEHMETIN
“Shkëlqesë,
Pardje, më 3-IV-1967, ora 19, pjesa ma e madhe e klerikëve katolikë që gjendet sot në Shkodër, kjemë thirrë në Sallën e Kandit të Kuq të Komitetit Ekzekutiv. Na u komunikue, ndër të tjera, se do të denonconim gjithçka kishim, me përjashtim të te shave personale të domosdoshme të veshjes dhe të fjetjes, pse të tjerat të gjitha ishin të popullit dhe popullit duhet t’i kthehen; dhe se nuk do t’ushtronim asnjë shërbim fetar, as edhe privatisht: Këtë e ka vendosë populli.
Mendova të drejtohem me këtë letër Shkëlqesës s’Uej, për me i çfaqë mendimin tim, jo ndryshe, por si njeriu njeriut.
Sa për libra të mij, gjana kishtare etj., le të vinë e t’i marrin kur të duen: nuk asht e para herë që unë dal në rrugë të madhe.
Por, unë dëshroj të çfaqë disa mendime në përgjithësi: Dorëshkrimet janë pronë e shenjtë dhe e paprekshme e autorit, në mos i dorëzoftë ai vetë e në mos kjofshin kundra Sigurimit të Shtetit.
Sa për pasuni të tjera, as bujarija e burrënija e popullit, as ligji natural ma elementar nuk e pranon që një gja që asht falun njëherë njaj përsoni o njaj enti të caktuem, të kërkohet rishtas prej dhuruesit si gja e tija. Spekullimet e shpërdorimet goditen.
Dhe, e vërteta asht se populli, pothuejse në çdo vend e ka përcjellë priftin e vet (të mirë o të dobtë) me vajë, si përfaqësuesin e fesë së vet.
Një hije e zezë ka ra mbi popull kur ka pa tue u mbyllë kishat, tue u rrëzue kumbonarët e sidomos tue u lejue të viheshin në lojë personat dhe gjanat fetare, tue fye kështu thellë ndjenjat kaq të shenjta të besimit. Po atë efekt kanë ba fushatat e çfrenueme diskredituese antifetare zhvillue me të gjitha mjetët e propagandës. Si përgjigje, populli ka mbushë kishat deri në çastin e mbylljes së tyne. Ç’ vlerë ka atëherë qendrimi i një pakice të pandërgjegjshme o të frikësueme me lloj lloj presionesh?
Sidomos pjesa e friksueme me kërcnime, presione, premtime e pushime nga puna, pëson torturën ma të madhe, sepse e lidhun nga kafshata e bukës, shtërngohët me mohue me gojë atë që beson; dhe kështu fushata që po bahët synon me formue një brezni pa kurajo civile, pa burrëni, opurtuniste, servile, tue prishë karakterin e shqiptarit në dam t’Atdheut. Njerëzit kanë frikë m’u takue, m’u përshëndetë rrugës me miq që janë në sy o të “prekun”. E kush po di se cilët janë! -Flitët shumë për Inkuizicionin e sot 500 vjetëve, dhe jo fort objektivisht. Po për këtë të shek. XX? Vi tash tek unë. Unë vijën e tanë jetës sime nuk mund e ndryshoj, por do ta vazhdoj derisa të kemë frymë. Pengesa e jashtme e forcës madhore do të bajë në mue vetëm atë efekt që ban guri o dheu që pengon rrjedhën e ujit: Populli më njeh dhe e din mirë si kam shkri jetën për të.
Unë tham se, me këtë luftë kundra fesë neve edhe po diskreditohemi faqe botës, së cilës i kemi dhanë premtime solemne për liritë dhe të drejtat njerëzore në Shqipni. Kur, në vj. 1945, në Tiranë, më 8 mars, unë u takova me Juve, Shkëlqesë, se kishëm ndigjue prej komunistëve fjalët: “Këtë kishë do ta bajmë kinema”; Ju m’u përgjigjët: “Kjo asht propagandë armiqësore!”.
Me të vërtetë, as anmiku ma i tërbuem i pushtetit s’ka muejt me u ba një propagandë ma anmiqësore në 22 vjetë, sa i keni ba vedit.
Nuk më ka shty me Ju shkrue Shkëlqesë, as urrejtja, as ambicioni, as interesi, por vetëm ndërgjegjja, e vërteta dhe e mira.
Kryetarit të Këshillit të Ministrave, Mehmet Shehu, në Kryeministri – Tiranë, 5 prill 1967.
Me nderime
Pjetër Meshkalla, Meshtar Katolik i Shoqënisë Jezu
Vendi ynë do të vijojë të ndikohet nga të njëjtat kushte atmosferike edhe gjatë ditës së martë. Sipas parash...
Pas ndërprerjeve të importeve nga Brazili, përpunuesit e mishit paralajmërojnë se prej muajit nëntor në tregun vendas prite...
Aktivistja Arvina Lleshi i ka zënë pritë Ulsi Manjës pasi ka dalë nga Komisioni i Ligjeve. “O hajdut” i është dr...
Ajo që e tradhtoi ishte shfaqja e luksit mbi katër rrota. Një makinë supersportive me qindra kuaj fuqi, një Porsche Panamera, që l...
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e kësaj të hëne në një kantier ndërtimi në rrugën “Gen...
Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Sigurisë Kombëtare ra në sy mungesa e drejtorit të Përgjithshëm të P...
Një zjarr ka rënë mbrëmjen e së hënës në fshatin Bishan të Vlorës, duke përfshirë një sipë...
Zjarri në Kreshpan është vënë nën kontroll falë ndërhyrjes nga ajri të një helikopteri të Forcave të...
Automjeti që ka shpërthyer në flakë në qendër të Elbasanit tek zona e ‘1 Majit’, mësohet se automjeti i p&eu...
Një automjet është përfshirë nga flakët pasditen e sotme në një prej lagjeve në qendër të qytetit të...