Raporti për klimën e investimeve në Shqipëri/ DASH: Shqetësim korrupsioni, krimi i organizuar e pastrimi i parave

Shqipëria ka arritur nivele rekord të investimeve të huaja gjatë viteve të fundit, por korrupsioni, krimi i organizuar dhe pastrimi i parave vijojnë të përbëjnë shqetësime për klimën e biznesit në vend.
Në raportin për Klimën e Investimeve në Shqipëri për vitin 2026, Departamenti Amerikan i Shtetit vëren se ekonomia shqiptare mbetet e cenueshme ndaj korrupsionit të përhapur, krimit të organizuar, pastrimit të parave, konkurrencës së shtrembëruar dhe informalitetit. Sipas raportit, një tjetër problem i rëndësishëm është mungesa e fuqisë punëtore, e nxitur nga emigrimi, si dhe niveli i ulët i produktivitetit.
Pavarësisht këtyre problematikave, DASH vlerëson potencialin ekonomik të Shqipërisë dhe kuadrin ligjor të vendit. Raporti evidenton gjithashtu përparim në kufizimin e korrupsionit të vogël përmes digjitalizimit të shërbimeve publike.
Megjithatë, investitorët e huaj vijojnë ta perceptojnë Shqipërinë si një treg të vështirë për të bërë biznes. Sipas DASH, kontratat e partneritetit publik-privat kufizojnë mundësitë për konkurrencë dhe në disa raste shoqërohen me analiza dhe ekspertizë teknike të pamjaftueshme.
Një tjetër shqetësim i rëndësishëm lidhet me fuqinë punëtore. Emigrimi i të rinjve dhe i punonjësve të kualifikuar ka krijuar mungesa në tregun e punës, duke ndikuar edhe në perspektivat për investime të reja.
Raporti ndalet edhe te problematikat e të drejtave të pronës. Sipas DASH, mbivendosja e titujve të pronësisë, akuzat për manipulim të gjykatave, korrupsioni dhe kompensimi i pamjaftueshëm për konfiskimet e periudhës komuniste vijojnë të krijojnë pasiguri për investitorët.
DASH thekson gjithashtu se disa investitorë amerikanë janë përballur me mosmarrëveshje që kanë kërkuar zgjidhje përmes arbitrazhit ndërkombëtar.
Ndërkohë, komuniteti i biznesit vlerëson përpjekjet e autoriteteve shqiptare në luftën kundër korrupsionit. Megjithatë, sipas raportit, pozicionet vakante në sistemin gjyqësor kanë krijuar ngarkesa të prapambetura në gjykata, veçanërisht në Gjykatën e Apelit, duke sjellë vonesa në shqyrtimin dhe përfundimin e çështjeve.
Në përfundim, raporti evidenton një tablo të përzier për klimën e investimeve në Shqipëri: vendi vijon të tërheqë nivele të larta investimesh të huaja dhe ka potencial ekonomik, por problemet me korrupsionin, krimin e organizuar, pastrimin e parave, pronat, sistemin gjyqësor, fuqinë punëtore dhe konkurrencën mbeten ndër sfidat kryesore për investitorët.
Lexo edhe
AKTUALITET
“U mbajt sekret, rrezikon të pengojë hetimet anti-korrupsion të SPAK”/ BIRN: Drafti i Qeverisë për Kodin e Procedurës Penale pritet me sh...

Revoltë në burgun e Pisas në Itali, shqiptari hyn live në Tik Tok: Po shqyejnë dyert! Gardianët në alarm: Burgjet, jashtë kontrollit

OECD: Shqipëria ka rrjetin rrugor dhe hekurudhor më të dobët në Ballkanin Perëndimor

Kredi me probleme në nivele rekord, rritet në 15.7% për institucionet financiare jobanka

Çfarë po ndodh me monedhat e huaja? Ja sa shitet dhe blihet euro dhe dollari për ditën e sotme





