Editorial Emisione Investigime Aktualitet Sociale Politikë Kosova Bota Showbiz Lifestyle Sport
TË FUNDIT
Kryemadhi kundërshton SPAK-un për lobimin në SHBA: Kontratën nuk e ka firmosur Meta! Zbardhen detajet e aksionit sot në Spitalin Rajonal Fier, drejtori merret në pyetje nga prokurorët e SPAK Rama e konfirmon nga Dublini: S’do të ketë samit të NATO-s në Tiranë në vitin 2027 PD: AKSHI nën hetim, por jep 40 mln euro për fiskalizimin me operatorë ku pronar është edhe Ermal Beqiri Gjoni kandidat për Lezhën? Deputeti: Nëse ma kërkojnë demokratët, gati të sakrifikoj mandatin “Mbahet në izolim të plotë”/ Avokati: Veliajt nuk i sigurohet dokumentacioni shëndetësor Bie masivi shkëmbor pranë Morinit. Kukës, reshjet e shiut krijojnë probleme në qarkullim Profesionet e lira kundër uljes së pragut të TVSH-së në 5 milionë lekë: Do ta çojmë sërish në Kushtetuese... Meta: Jam kërcënuar për emërimin e Marsida Xhaferllarit në Kushtetuese Zelensky i prerë nga Dublini: Nuk ka lëshime territoriale në Donbas, SHBA të ushtrojë presion mbi Moskën Meta gjobitet nga rregullatori britanik i medias për pasaktësi të përsëritura në të dhënat e WhatsApp Busin... Shkrumbohen 7 autobusë në Gjermani, dëme rreth 2 mln euro
AKTUALITET

55 vjet nga pushkatimi i Dom Shtjefën Kurtit, priftit që regjimi nuk e fali as pas vdekjes

P
Piranjat 1 October 2026, 07:36 · 3 min lexim
55 vjet nga pushkatimi i Dom Shtjefën Kurtit, priftit që regjimi nuk e

Më 29 shtator 1971, në një vend të caktuar në Dajt, regjimi komunist pushkatoi Dom Shtjefën Kurtin. Nuk ishte vetëm ekzekutimi i një kleriku katolik. Ishte një nga ato akte ku diktatura tregoi deri në fund natyrën e saj: frikën nga besimi, urrejtjen ndaj dinjitetit njerëzor dhe aftësinë për ta çuar dhunën përtej jetës, deri te trupi i pajetë.

Dom Shtjefën Kurti ishte arrestuar më 11 qershor 1970. Dosjet, ajo formulare dhe ajo hetimore-gjyqësore, tregojnë qartë se dënimi me vdekje nuk mund të përligjej as me legjislacionin e kohës. Me vendimin nr. 54, datë 30 korrik 1971, Gjykata e Rrethit Krujë e dënoi me vdekje për “sabotim” dhe “agjitacion e propagandë”. Vendimi u la në fuqi më 8 shtator 1971, ndërsa më 23 shtator Presidiumi i Kuvendit Popullor refuzoi faljen e jetës.

Nga ky moment deri në ekzekutim kaluan disa ditë. Dom Shtjefni u mbajt në Repartin nr. 313 në Tiranë, ndërsa vonesa dhe lëvizja e procedurave nga Dega e Punëve të Brendshme Krujë drejt Drejtorisë së Punëve të Brendshme Tiranë lidhen, sipas të dhënave të dosjes, me kërkesën e Fakultetit të Mjekësisë. Trupi i tij, pas pushkatimit, nuk iu kthye familjes për varrim. U dërgua si kadavër.

Procesverbali i ekzekutimit, i mbajtur më 29 shtator 1971, është një dokument i ftohtë, por pikërisht për këtë arsye edhe më tronditës. Në pak rreshta shënohet se të dënuarit iu komunikua refuzimi i faljes dhe se vendimi do të ekzekutohej. Para pushkatimit, Dom Shtjefën Kurti tha fjalët e fundit:

“Nuk kam shtyrë persona për të sabotuar, unë fajin tim e kam pranuar në hetuesi dhe në gjyq, hallall qoftë gjaku im, rroftë qeveria, rroftë Shqipëria, rroftë kisha katolike.”

Pas kësaj, procesverbali shënon se u krye ekzekutimi me pushkatim dhe se mjeku konstatoi vdekjen. Një fjali burokratike për të mbyllur jetën e një njeriu. Një firmë, një vulë, një trup pa jetë dhe një shtet që mendonte se duke vrarë priftin, mund të vriste edhe besimin.

Por 55 vjet më vonë, emri i Dom Shtjefën Kurtit mbetet. Mbetet si dëshmi e persekutimit të klerit, si akuzë ndaj një regjimi që ngriti pushtetin mbi frikë dhe si kujtesë për një Shqipëri që ende ka detyrimin të mos i trajtojë këto histori si faqe të mbyllura arkivi. Sepse krimi nuk përfundoi në Dajt. Ai vazhdoi edhe në heshtjen e detyruar, në trupin e marrë për kadavër, në varrin e mohuar, në kujtesën që regjimi kërkoi ta fshinte.

Dom Shtjefën Kurti nuk u vra vetëm se ishte klerik. U vra sepse përfaqësonte një autoritet moral që diktatura nuk e kontrollonte dot. Dhe kjo, për komunizmin shqiptar, ishte krimi më i rëndë.

SHPËRNDAJE

Lexo edhe

AKTUALITET

Me rëndësi

Ndiqni Piranjat kudo.

Investigime, denoncime dhe satirë — zëri që nuk hesht.