Alarm nga Brukseli për sigurinë ushqimore në Shqipëri/ Probleme me AKU-në dhe rrezik korrupsioni
Komisioni Europian ngre shqetësime për sigurinë ushqimore në Shqipëri, duke evidentuar një sërë mangësish në funksionimin e institucioneve përgjegjëse, kontrollet

Komisioni Europian ngre shqetësime për sigurinë ushqimore në Shqipëri, duke evidentuar një sërë mangësish në funksionimin e institucioneve përgjegjëse, kontrollet ndaj produkteve ushqimore, monitorimin e pesticideve dhe kapacitetet laboratorike.
Në raportin e vitit 2026 për Shqipërinë, Brukseli kërkon gjithashtu forcimin e masave kundër korrupsionit në proceset e inspektimit dhe certifikimit.
Në kapitullin 12, që trajton sigurinë ushqimore, politikat veterinare dhe fitosanitare, Komisioni Europian konstaton se legjislacioni shqiptar mbetet vetëm pjesërisht i përafruar me standardet e Bashkimit Europian. Sipas raportit, pavarësisht disa zhvillimeve ligjore, vendi ka ende punë për të bërë në zbatimin e rregullave dhe garantimin e kontrolleve efektive.
Një nga problematikat kryesore të evidentuar
a lidhet me funksionimin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU). Komisioni Europian kërkon reforma institucionale, përfshirë bashkimin e AKU-së me Autoritetin Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, si dhe një ndarje më të qartë të kompetencave të inspektimit mes institucioneve përgjegjëse.
“Reformat institucionale janë të nevojshme, veçanërisht për bashkimin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) me Autoritetin Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve. Për më tepër, ndarja e detyrave të inspektimit ndërmjet AKU-së dhe Inspektoratit të Përgjithshëm duhet të bëhet më e qartë. Nevojiten përpjekje të mëtejshme për statistikat e inspektimeve, administrimin e të dhënave dhe transparencën”, shkruan raporti.
Në raport theksohet gjithashtu nevoja për përmirësimin e statistikave të inspektimeve, administrimin e të dhënave dhe rritjen e transparencës, ndërsa kërkohet që institucionet të kenë burimet e nevojshme administrative dhe financiare për zbatimin e kontrolleve zyrtare.
Shqetësime të tjera lidhen me kapacitetet laboratorike. Sipas Komisionit Europian, laboratorët zyrtarë ende nuk janë përcaktuar plotësisht në përputhje me parimet e rregulloreve të BE-së. Gjithashtu, mungojnë metoda të validuara të analizimit, ndërsa kërkohen më shumë investime në zhvillimin e kapaciteteve, akreditimin dhe garantimin e besueshmërisë së rezultateve laboratorike.
Vëmendje e veçantë i kushtohet edhe mbetjeve të pesticideve në produktet ushqimore. Komisioni Europian vlerëson se Shqipëria duhet të përmirësojë zbatimin e masave në rastet kur konstatohen produkte që nuk përmbushin standardet, si dhe të rrisë transparencën për këto raste.
Një tjetër rekomandim lidhet me hartimin e një programi kombëtar për përmirësimin e cilësisë së qumështit. Raporti evidenton gjithashtu mungesë progresi në përafrimin e rregullave për ushqimin e kafshëve.
Mangësi evidentohen edhe në sektorin veterinar, veçanërisht sa i përket gjurmueshmërisë së kafshëve, mbikëqyrjes së sëmundjeve dhe kapaciteteve laboratorike për identifikimin e patogjenëve. Sipas raportit, këto probleme dobësojnë aftësinë e sistemit për të zbuluar në kohë rreziqet dhe për të ndërmarrë kontrollet e nevojshme.
Komisioni Europian kërkon gjithashtu forcimin e kontrolleve kufitare, ndërsa pikat aktive të kontrollit duhet të përafrohen me kërkesat e Bashkimit Europian në momentin e anëtarësimit. Po ashtu, Shqipëria duhet të ngrejë një sistem në përputhje me standardet europiane për grumbullimin, ruajtjen dhe përpunimin e nënprodukteve shtazore.
Një nga çështjet më të ndjeshme të ngritura në raport është rreziku i korrupsionit në inspektimet veterinare dhe fitosanitare. Komisioni Europian kërkon masa më të forta për parandalimin e praktikave korruptive, rritjen e llogaridhënies dhe garantimin e integritetit në proceset e inspektimit dhe certifikimit.
Sipas Brukselit, Shqipëria duhet të vijojë përpjekjet për forcimin e transparencës dhe qeverisjes etike, duke i kushtuar vëmendje të veçantë institucioneve që kanë përgjegjësi për kontrollin e sigurisë ushqimore.
Raporti i Komisionit Europian evidenton kështu një sërë sfidash që Shqipëria duhet të adresojë në kuadër të procesit të integrimit europian, me qëllim garantimin e sigurisë së produkteve ushqimore dhe përafrimin e sistemit të kontrollit me standardet e Bashkimit Europian
“Në luftën kundër korrupsionit, Strategjia Kombëtare Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit synon të sigurojë llogaridhënie dhe qeverisje etike. Shqipëria duhet të vijojë përpjekjet për të forcuar transparencën dhe llogaridhënien, veçanërisht në inspektimet fitosanitare dhe veterinare. Duhet të forcohen masat për parandalimin e rreziqeve të korrupsionit dhe garantimin e integritetit të proceseve të inspektimit dhe certifikimit”, thuhet në raport.
Lexo edhe
AKTUALITET
Shpërthimi i fuqishëm në Elbasan, gjendet nën rrënoja viktima e dytë

Shpërthimi në Elbasan, vijon operacioni i kërkimit të 69-vjeçarit në rrënojat e pallatit

Buxheti 2027, ulet pesha e shpenzimeve për mbrojtjen sociale, rritet ajo për mbrojtjen

Dokumenti i vitit 1945. Si u vulos me një komunikatë dënimi me vdekje i Murat Bashës

Tabelat, Shqipëria me 300 mijë makina mbi 2 mijë kubikë detyrimi i taksës do të rritet deri 3.8 herë





