Editorial Emisione Investigime Aktualitet Sociale Politikë Kosova Bota Showbiz Lifestyle Sport
TË FUNDIT
Mesazhi i studentëve: Donte diktaturën që të ikte, por Edi Rama nuk e linte Vokshi në Bruksel: Kërkojmë mbështetje për qeveri kujdestare, me Ramën nuk ka zgjedhje të lira dhe të nders... Gjenden 3 automjete të vjedhura, policia: Do përdoreshin për ngjarje kriminale Ujësjellësi i Korçës “i krimbur” në borxhe, 29.5 milionë euro kredi pa asnjë këst të shlyer Lagështira kërcënon Amfiteatrin e Durrësit, nisin punimet restauruese Skandali i dopingut/ Pirro Dhima jep dorëheqjen pas arrestimit të vëllait, ministria nuk ia pranon Aksidentet rrugore/ Shqipëria me 25 viktima më shumë në 2025 Kthjellime dhe vranësira, njihuni me "surprizat" e motit për sot Horoskopi i së dielës! Çfarë kanë rezervuar yjet për 12 shenjat e zodiakut? Përplasje mes dy makinave në aksin Qukës–Prrenjas, një person në spital U përjashtua nga Policia e Shtetit pas konflikteve me qytetarët/ Polici problematik rikthehet në detyrë dhe... Rruga në gjendje të mjerueshme në Dimal/ Banori ngre dyshime: Ku përfunduan 800 milionë lekët e investimit?...
AKTUALITET

Ambalazhet ushqimore nën kontroll për kimikatet, kufij të rinj dhe analiza të detyrueshme për bizneset

Prodhuesit e produkteve të ambalazhuara në Shqipëri kërkesa më rrepta për përbërjen kimike të ambalazheve që vijnë në kontakt me ushqimin.

P
Piranjat15 November 2026, 10:53 · 5 min lexim
Ambalazhet ushqimore nën kontroll për kimikatet, kufij të rinj

Prodhuesit, importuesit dhe tregtuesit e produkteve të ambalazhuara në Shqipëri pritet të përballen me kërkesa më të rrepta për përbërjen kimike të ambalazheve që vijnë në kontakt me ushqimin.

Një projektvendim i ri përcakton kufij për praninë e substancave alkil- dhe polifluorinuara (PFAS), ndërsa bizneset do të duhet të vërtetojnë përputhshmërinë e materialeve përmes analizave laboratorike dhe dokumentacionit teknik.

Sipas projektvendimit për ambalazhet dhe mbetjet e ambalazheve, hedhur në konsultim nga Ministria e Mjedisit  në treg nuk do të lejohen ambalazhet në kontakt me ushqimin që përmbajnë PFAS në përqendrime të barabarta ose më të larta se kufijtë e përcaktuar, përveç rasteve kur kufizimet përkatëse rregullohen nga një akt tjetër ligjor.

PFAS janë një grup i gjerë substancash kimike që përdoren në materiale të ndryshme, përfshirë ato që kërkojnë rezistencë ndaj ujit dhe yndyrës. Kufizimet e propozuara synojnë të zvogëlojnë praninë e substancave shqetësuese në ambalazhe dhe ndikimin e tyre të mundshëm në shëndetin e njeriut dhe mjedis.

Tre kufij të rinj për përbërjen e ambalazheve

Projektvendimi përcakton tri vlera kufi për kontrollin e këtyre substancave.

Kufiri i parë është 25 pjesë për miliard (ppb) për çdo substancë individuale PFAS të matur përmes analizave të synuara. Kufiri i dytë është 250 ppb për shumën e substancave PFAS të identifikuara, duke përfshirë, kur është e zbatueshme, edhe produktet e degradimit të prekursorëve. Në të dyja rastet, PFAS-të polimerikë përjashtohen nga llogaritja.

Kufiri i tretë është 50 pjesë për milion (ppm) për fluorin total, ku përfshihet edhe fluori që vjen nga PFAS-të polimerikë.

Kur përmbajtja e fluorit total tejkalon 50 miligramë për kilogram, prodhuesit, importuesit ose subjektet e tjera përkatëse duhet të paraqesin, sipas kërkesës së autoriteteve, prova për pjesën e fluorit që vjen nga PFAS. Kjo kërkesë shërben për të dokumentuar burimin e substancave të identifikuara në materiale.

Kufizimet prekin zinxhirin e furnizimit me ambalazhe ushqimore, nga prodhimi dhe importi i materialeve deri te bizneset që vendosin në treg produkte të paketuara.

Bizneset duhet të sigurojnë analiza laboratorike

Një nga ndryshimet kryesore lidhet me dokumentacionin që duhet të shoqërojë ambalazhet. Subjektet që vendosin në treg ambalazhe ose materiale ambalazhimi duhet të dëshmojnë përputhshmërinë me kufijtë e përcaktuar përmes deklaratës së konformitetit, të mbështetur në raporte testimi nga laboratorë të akredituar.

Detyrimi nuk kufizohet vetëm te prodhuesit e ambalazheve. Edhe bizneset që tregtojnë mallra të ambalazhuara duhet të sigurojnë një kopje të deklaratës së konformitetit nga furnizuesi i ambalazhit ose i materialit përkatës.

Dokumentacioni duhet të ruhet për pesë vjet nga data e lëshimit dhe të vihet në dispozicion të autoriteteve të kontrollit sipas kërkesës.

Projektvendimi parashikon një përjashtim për prodhuesit e ambalazheve që përdorin materiale për të cilat është hartuar më parë deklarata e konformitetit, me kusht që gjatë prodhimit të mos shtohen materiale ose substanca të tjera.

Përveç PFAS-ve, dokumenti vendos edhe një kufi të përbashkët prej 100 ppm për përqendrimin e plumbit, kadmiumit, merkurit dhe kromit gjashtëvalent në ambalazhe ose në përbërësit e tyre.

Kontrolli i respektimit të kërkesave do të kryhet nga strukturat përgjegjëse për mbikëqyrjen e tregut, të cilat do të verifikojnë deklaratat e konformitetit dhe raportet e testimit. Edhe autoritetet doganore do të kontrollojnë dokumentacionin e ambalazheve të importuara.

Sipas projektvendimit, Inspektorati përgjegjës për mbikëqyrjen e tregut mund të ndalojë tregtimin, të sekuestrojë ambalazhet që nuk përmbushin kërkesat dhe të zbatojë masa administrative sipas legjislacionit në fuqi.

Rregullat e reja janë pjesë e përafrimit të legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian për ambalazhet dhe mbetjet e tyre.

Nëse projektvendimi miratohet në formën aktuale, dispozitat për përbërjen kimike të ambalazheve parashikohet të fillojnë zbatimin nga 1 korriku 2028. Deri atëherë, bizneset që preken nga ndryshimet do të kenë një periudhë për të përshtatur materialet, marrëdhëniet me furnizuesit dhe dokumentacionin e përputhshmërisë.

SHPËRNDAJE

Lexo edhe

AKTUALITET

Me rëndësi

Ndiqni Piranjat kudo.

Investigime, denoncime dhe satirë — zëri që nuk hesht.