E ziente në mënyrë ilegale/ 54-vjeçarit shqiptar i shpërthen kazani i rakisë, rëndë në spital

Një 54-vjeçar me origjinë shqiptare është plagosur rëndë pas shpërthimit të kazanit që përdorte për prodhimin artizanal të rakisë në banesën e tij në Noventa di Piave, në periferi të qytetit.
Ngjarja ka ndodhur të dielën, më 8 nëntor, rreth orës 13:30. Burri ndodhej në një kasolle të vogël prej druri, pranë vilës së tij në rrugën Guaianette, ku po përgatiste një sasi të vogël rakie të bërë në shtëpi, sipas traditës familjare.
Pajisja artizanale, e cila ngrohej me zjarr, dyshohet se ka dalë jashtë kontrollit për shkak të presionit të tepërt. Si pasojë, kapaku i kazanit ka shpërthyer dhe e ka goditur 54-vjeçarin në kokë, duke i shkaktuar një traumë të rëndë kraniale.
Ndërkohë, lëngu alkoolik i është përhapur në fytyrë, duke i shkaktuar edhe djegie. Në të njëjtën kohë, në kasolle ka nisur edhe një vatër zjarri.
Familjarët, pasi dëgjuan zhurmën e fortë të shpërthimit, kanë nxituar drejt vendit të ngjarjes, ku e kanë gjetur 54-vjeçarin në gjendje të rëndë dhe kanë njoftuar menjëherë emergjencën.
Në vendngjarje mbërritën zjarrfikësit e repartit të San Donà-s, ekipet mjekësore të urgjencës 118 dhe karabinierët e stacionit të Noventa di Piave-s, të cilët kryen edhe verifikimet e para.
Për shkak të gjendjes së tij, mjekët vendosën transportimin e menjëhershëm në spitalin “Dell'Angelo” në Mestre, ku ai u shtrua gjatë pasdites. Mjekët kanë rezervuar prognozën, por sipas raportimeve, 54-vjeçari nuk duket se është në rrezik për jetën. Ai do të mbahet nën vëzhgim të rreptë gjatë 48 orëve të ardhshme.
Burri ka pësuar dëmtime në fytyrë dhe në kokë, si dhe djegie, ndërsa për pak sa nuk u shënua një tragjedi.
Prodhimi i rakisë në shtëpi, i paligjshëm
Sipas mediave italiane, prodhimi i pijeve alkoolike në kushte shtëpie, edhe në sasi të vogla dhe vetëm për përdorim personal, nuk lejohet për shkak të rregullave shëndetësore, higjienike dhe fiskale, por edhe për rreziqet që paraqesin pajisjet e tilla.
Kazanët artizanalë, zakonisht prej bakri ose metali, përdoren për përftimin e pijeve alkoolike përmes një procesi të ndërlikuar ngrohjeje dhe distilimi, i cili ndan dhe përqendron lëngun sipas pikave të ndryshme të vlimit.
Megjithëse kjo praktikë është e ndaluar, në disa raste tolerohet kur bëhet fjalë për përdorim personal, pasi lidhet me traditat dhe kulturat e shumë vendeve.
Megjithatë, aksidenti në Noventa di Piave është një tjetër dëshmi e rreziqeve që mund të sjellë prodhimi artizanal i alkoolit. Fatmirësisht, banesa nuk u prek nga shpërthimi, pasi kasollja ndodhej jashtë saj dhe shpërthimi mbeti i kufizuar vetëm në atë zonë. /PiranjatNews/
Lexo edhe
AKTUALITETKlodiana Lala zbardh detaje nga hetimet e SPAK për skandalin e SHISH: Verifikohen llogaritë e Vlora Hysenit, letërporosi drejt Kosovës dh...
Klodiana Lala për përplasjen Rama-Veliaj: Ka një fërkim mes tyre, por jo për shkak të akuzave

VIDEO/ Situatë alarmante në zonën e ish-Kënetës në Durrës, mbeturinat kthehen në burim infeksioni

E rëndë në Shkodër, humb jetën 34-vjeçari me detyrë elektricist

Mjegulla mbulon Juglindjen, ulen temperaturat. Policia apel drejtuesve të mjeteve për kujdes të shtuar





