Florjan Binaj: Institucionet në shërbim të krimit. Pse hesht kryeministri për skandalet?

Nga Florjan Binaj
Nuk e di a ka një vend, ku shefja a shefi i agjencisë më të rëndësishme të sigurisë kombëtare i thotë të dashurit të vet, ndërsa ky është në kërkim nga organet e ligjit, “unë për ty fik krejt radarët e shtetit”. Nuk e di a ka ndonjë vend, ku drejtorë të rëndësishëm të organeve të rendit i dërgojnë dokumente, përgjime apo akt-ekspertize një njeriu të akuzuar për shumë krime e që është në kërkim.
Nuk e di a ka ndonjë vend, ku shefja e shërbimeve sekrete, e vënë nën arrest dhe e akuzuar për kompromentim të sigurisë kombëtare, e plot gjëra të tjera, të shantazhojë një gazetare publikisht vetëm se ajo i bën pyetje.
Nuk e di a ka ndonjë vend, ku pasi ndodhin të gjitha këto, Kryeministri jo vetëm nuk jep dorëheqjen, por akuzon mediat e opozitën.
Po, ka një vend. Vetëm një, Shqipëria dhe qeveria shqiptare.
Jemi mësuar që për sukseset edhe kur janë të imagjinuara, kryeministri del vetë në ekran; ama për skandalet, ia lë në derë vartësit.
Këtu qëndron pyetja që sot Shqipëria i bën Kryeministrit: pas 2 ish-zëvendëskryeministrave, dhjetëra kryetarëve të bashkive e ministrave që presin gjykimin për abuzime me pushtetin, tashmë dhe me shefen e SHISH-it, a kemi përpara individë që abuzuan me detyrën, apo një mënyrë qeverisjeje që ua bëri të mundur?
Për vite kemi dëgjuar të njëjtin shpjegim: kryeministri punon, vartësit ia bëjnë pas shpine.
Ai ndërton, ata prishin.
Ai zgjedh bashkëpunëtorë, por kur nisin hetimet, zbulojmë se mezi i njihte.
Po sa e madhe qenka kjo shpinë, që pas saj mund të fshihen kaq shumë zullume e abuzime?
Vërtet, një drejtues mund të mashtrohet nga një bashkëpunëtor. Por kur skandalet përsëriten dhe kapin majat e shtetit, e deri te njerëzit e paradhomës së kryeministrit, ai duhet të shpjegojë edhe si i zgjedh, edhe si i kontrollon dhe pse u beson.
Por, zoti Kryeministër, kur një zyrtar shkel ligjin, është çështje penale e individuale; por, kur institucionet vihen në shërbim të shkelësve të ligjit, është një çështje shteti.
Janë çështja jote.
Çështja jote personale./piranjat news
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Piranjat.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Piranjat.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi
Lexo edhe
EDITORIAL
Liria nuk burgoset, as në Hagë, as në Beograd

“Nuk duam të ikim nga Shqipëria, por nga ju”/ Monologu i një brezi që nuk ju ka frikë

Flamingot që “zgjuan” një popull kundër qeverisë/ Revolta më e madhe qytetare në 30 vite

Pse u dënua Hashimi?

Keqkuptimi me takimet e së premtes!





