Fati i Borsellinos, ish-kreu i policisë italiane kundërshtoi pretendimet për devijimin e hetimit!
Ish-kreu i policisë italiane, Gianni De Gennaro, kishte mohuar në një letër të shkruar përpara vdekjes akuzat për devijimin e hetimeve mbi vrasjen e gjyqtarit antimafia Paolo Borsellino

Ish-kreu i policisë italiane, Gianni De Gennaro, kishte mohuar në një letër të shkruar përpara vdekjes akuzat për devijimin e hetimeve mbi vrasjen e gjyqtarit antimafia Paolo Borsellino. Autoritetet po shqyrtojnë rrethanat e vdekjes së tij dhe materialet elektronike të sekuestruara gjatë hetimit.
Në një letër prej tetë faqesh, të shkruar pak përpara vdekjes, Gianni De Gennaro kundërshtoi akuzat se kishte penguar zbardhjen e vrasjes së gjyqtarit antimafia Paolo Borsellino.
Ish-kreu i policisë italiane, 78 vjeç, u gjet i pajetë të shtunën në banesën e tij në Toskanë. Autoritetet dyshojnë për vetëvrasje, ndërsa autopsia ishte parashikuar për të premten.
Letra, e publikuar nga gazeta “Corriere della Sera”, përmban mohimin e tij ndaj pretendimeve se kishte devijuar hetimin fillestar për atentatin e korrikut 1992 në Sicili.
Vrasja e Borsellinos dhe ajo e kolegut të tij, Giovanni Falcone, dy muaj më herët, u organizuan nga Cosa Nostra. Por dyshimet për fshehje të së vërtetës dhe ndërhyrje të zyrtarëve të lartë kanë sjellë hetime të tjera ndër vite.
Akuzat ndaj De Gennaros shkaktuan reagime të forta në Itali. Ai kishte punuar ngushtë me Falconen dhe konsiderohej një prej figurave kryesore të luftës kundër krimit të organizuar.
Në letrën e tij, De Gennaro këmbëngulte se nuk kishte tradhtuar betimin ndaj shtetit dhe kërkonte që e vërteta të dilte në dritë.
Pranë letrës u gjet një disk i jashtëm, që, sipas tij, përmbante shënime nga katër dekada karrierë. Mediat italiane raportojnë edhe sekuestrimin e dy disqeve të tjera dhe dy memorieve USB.
Këto të fundit mbanin shënimet “Shteti–Mafia” dhe “Masakrat”. Specialistët pritet të verifikojnë përmbajtjen e pajisjeve dhe nëse dokumente janë ndryshuar apo fshirë.
Kryeministrja Giorgia Meloni tha se ishte tronditur thellë nga çështja dhe kërkoi mbështetje për punën e prokurorëve. Hetimet pritet të sqarojnë rrethanat e vdekjes dhe rëndësinë që materialet e sekuestruara mund të kenë për dosjet e atentateve mafioze.
Lexo edhe
BOTA
VIDEO/ Telefonata për Ditën e Falenderimeve, moment i sikletshëm i Trump dhe Melanias me ushtarët jashtë vendit

Sulmi kibernetik preku 11,000 persona, Danimarka arreston një 18-vjeçar

Alarm në Baltik: Letonia dhe Estonia në gatishmëri pas sulmeve me dronë në Rusi, NATO ngre avionët luftarakë

VIDEO/ Fenomen i rrallë në Rio de Janeiro, një “ujëvarë” resh mbështjell statujën e Krishtit

Hakerët depërtojnë në platformën dixhitale të Forcave Ajrore Amerikane, frikë për rrjedhjen e të dhënave





