Kapiteni anulon fluturimin vetëm se pilotit në krah i ra zilja e telefonit, ky i fundit humbi dhe punën
Një pilot i sapopunësuar në kompaninë amerikane Delta Air Lines raportohet se ka humbur vendin e punës pasi iu përgjigj

Një pilot i sapopunësuar në kompaninë amerikane Delta Air Lines raportohet se ka humbur vendin e punës pasi iu përgjigj një telefonate personale ndërsa avioni po lëvizte drejt pistës për t’u ngritur.
Ngjarja mësohet të ketë ndodhur në aeroportin ndërkombëtar të Atlantës, në Shtetet e Bashkuara, gjatë një fluturimi në të cilin piloti i ri po kryente fazën fillestare të trajnimit operacional.
Sipas një rrëfimi të publikuar nga Black Box Aviation Podcast, piloti i dytë ishte në kabinën e komandimit, përkrah kapitenit që mbikëqyrte trajnimin e tij, kur telefoni personal filloi t’i binte.
Në vend që ta injoronte telefonatën, ai dyshohet se iu përgjigj thirrjes ndërsa avioni ishte ende në lëvizje.
Veprimi shkaktoi reagimin e menjëhershëm të kapitenit, i cili vendosi të mos vazhdonte drejt pistës së ngritjes.
Sipas rrëfimit, ai e ktheu avionin në terminal dhe kërkoi largimin e pilotit të dytë nga kabina e komandimit.
Piloti i ri raportohet se u pushua më pas nga puna.
Ngjarja është pasqyruar edhe nga portalet e specializuara të aviacionit Live and Let’s Fly dhe View from the Wing, duke shkaktuar diskutime për disiplinën dhe standardet e sigurisë në transportin ajror.
Megjithatë, Delta Air Lines nuk e ka konfirmuar publikisht incidentin, ndërsa data e saktë, numri i fluturimit dhe identiteti i pilotit nuk janë bërë të ditur.
Por pse një telefonatë mund t’i kushtojë vendin e punës një piloti?
Në aviacionin civil ekziston një rregull i njohur si Sterile Cockpit, i cili ndalon çdo aktivitet që mund të shpërqendrojë pilotët gjatë fazave kritike të fluturimit.
Këto faza përfshijnë jo vetëm ngritjen dhe uljen e avionit, por edhe lëvizjen e tij në tokë, nga terminali drejt pistës dhe anasjelltas.
Sipas rregullores 14 CFR 121.542 të Administratës Federale të Aviacionit në SHBA (FAA), pilotët duhet të përqendrohen te detyrat që lidhen drejtpërdrejt me sigurinë dhe funksionimin e avionit.
Gjatë lëvizjes në aeroport, ata duhet të ndjekin udhëzimet e kontrollorëve të trafikut ajror, të monitorojnë pozicionin e avionit dhe të shmangin çdo manovër që mund të krijojë rrezik.
Edhe kur avioni drejtohet në tokë nga kapiteni, piloti i dytë ka përgjegjësi të rëndësishme për monitorimin e instrumenteve, komunikimin me kullën dhe kontrollin e procedurave.
Për këtë arsye, përdorimi i telefonit personal për biseda private konsiderohet shkelje e disiplinës së sigurisë.
Rregullat amerikane ndalojnë përdorimin personal të pajisjeve të komunikimit në vendet e punës së pilotëve gjatë operimit të avionit, duke lejuar vetëm komunikimet e përcaktuara për nevoja operacionale, sigurie ose emergjence.
Rasti bëhet edhe më i rëndësishëm për faktin se piloti i përfshirë ishte në fazën Initial Operating Experience (IOE).
Gjatë kësaj periudhe, pilotët e sapopunësuar kryejnë fluturime reale nën mbikëqyrjen e kapitenëve instruktorë, të cilët vlerësojnë aftësitë profesionale dhe respektimin e procedurave. /skyweb.al
Lexo edhe
BOTA
Gjermania investon 34 milionë euro për prodhimin e dronëve zbulues për ushtrinë ukrainase

Netanyahu për rikthimin e Huang në krye të Nvidia-s: Lajm i mirë për Izraelin dhe industrinë globale të IA

Izraeli vret kreun e sigurisë së brendshme të Hamasit në Gaza, Netanyahu: Asnjë terrorist nuk do t’i shpëtojë krahut të gjatë të Izraelit...

Samiti BE-Ballkani Perëndimor sërish pa Serbinë: Brukseli optimist për udhëheqjen e re

53 emigrantë pretendojnë se u dhunuan nga policia kroate





