Ku shkuan fondet e rikonstruksionit?/ Shkolla në Durrës reklamon kontributin e prindit, por kush mban përgjegjësi për mirëmbajtjen?

Pas denoncimit të publikuar nga Piranjat News për problematikat në shkollën 9-vjeçare “Bajram Curri” në Durrës, vjen një tjetër reagim nga vetë institucioni arsimor, këtë herë përmes një postimi në rrjetet sociale.
Shkolla ka zgjedhur të promovojë kontributin e një prindi, i cili, sipas postimit, ka vënë në dispozicion kohën dhe punën e tij për vendosjen e emrit të shkollës, tabelave orientuese dhe elementeve dekorative në ambientet e brendshme.
Kontributi vullnetar i një prindi është sigurisht i mirëpritur dhe askush nuk e vë në diskutim dëshirën e qytetarëve për të kontribuar në përmirësimin e ambienteve ku mësojnë fëmijët e tyre.
Por çështja që ngre pikëpyetje është tjetër: A duhet të mbështetet mirëmbajtja dhe përmirësimi i shkollave publike te vullneti dhe xhepi i prindërve?
Pas denoncimit të qytetarëve te Piranjat News për kërkesat financiare drejtuar prindërve për pastrimin, lyerjen dhe ndërhyrje të tjera në shkollë, tani ngrihet një tjetër pikëpyetje. Nëse për rikonstruksionin e shkollës janë miratuar fonde publike, si është administruar ky investim dhe kush mban përgjegjësi për përfundimin dhe mirëmbajtjen e ambienteve?
Piranjat News rikthen në vëmendje shqetësimin e prindërve: kontributi duhet të jetë zgjedhje dhe jo detyrim i imponuar, ndërsa shkollat publike duhet të garantojnë kushte dinjitoze për nxënësit përmes fondeve të parashikuara për këtë qëllim.
Ku përfunduan paratë e investimit dhe pse prindërit duhet të vazhdojnë të kontribuojnë për nevoja që duhet të mbulohen nga institucionet përgjegjëse?





Lexo edhe
AKTUALITET
Intelligence Online: Drejtuesja e re e SHISH është aset i Romës, ka marrë pagesa shtetërore nga Italia

“Zbërthehen” rrjetet shqiptare të drogës në Britani, si bëhet rekrutimi përmes TikTok-ut, një telefon shitet 300 mijë paund

Vrasja e Gentianës/ Nis procesi, fëmijët paraqiten si palë civile kundër babait të tyre

E rëndë në Austri, 47-vjeçari shqiptar vret gruan

Jep dorëheqjen nga detyra, kreu i IKMT-së, Afrim Qendro





