Kurti zbulon kur do të prodhohen municionet e para në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur afatet për përfundimin e fabrikës së municionit në Gjakovë, duke deklaruar se deri në fund të dhjetorit 2026 pritet të përfundojë pjesa prodhuese e saj dhe të realizohet prodhimi i parë testues.
Ndërsa laboratorët, depot dhe objektet e tjera që do të jenë pjesë e kompleksit industrial parashikohet të përfundojnë gjatë vitit 2027. Deklaratat Kurti i bëri në seancën e Kuvendit të Kosovës, në përgjigje të pyetjeve të deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Kabashi-Ramaj, e cila kërkoi sqarime mbi financimin e projektit, detyrimet financiare që burojnë nga marrëveshja dhe afatet e funksionalizimit të fabrikës.
Kreu i qeverisë e cilësoi fabrikën e municionit si një projekt strategjik për Kosovën, që synon zhvillimin e industrisë vendase të mbrojtjes dhe rritjen e kapaciteteve të sigurisë. Sipas tij, prodhimi në vend do të ulë varësinë nga importet dhe do të garantojë më shumë siguri në furnizimin me municione për ushtrinë, policinë dhe institucionet e tjera të sigurisë.
Kurti theksoi se përpara nënshkrimit të kontratës janë realizuar dy studime fizibiliteti nga kompani të vendeve anëtare të NATO-s.
Ai bëri gjithashtu të ditur se kontrata me kompaninë shtetërore turke MKE është paguar plotësisht dhe se nuk ka detyrime financiare të papaguara ndaj saj.
Sa i përket fondit prej një milion eurosh të parashikuar në projektbuxhetin e vitit 2027 për projektin “Rrethoja e sigurisë, parku industrial i mbrojtjes”, Kurti sqaroi se kjo shumë është e dedikuar për rrethimin e zonës së përgjithshme industriale prej 144 hektarësh dhe është e ndarë nga ndërtimi i fabrikës së municionit.
Sipas tij, kompleksi i prodhimit do të ketë një rrethim të veçantë, i cili do të ndërtohet gjithashtu nga kompania turke MKE.
Kryeministri njoftoi se Ministria e Mbrojtjes ka rekrutuar tashmë stafin që do të punojë në fabrikë. Para nisjes së prodhimit testues, punonjësit do të ndjekin trajnime të specializuara në Turqi.
Nga ana tjetër, deputetja Besa Kabashi-Ramaj kërkoi transparencë mbi fondet e parashikuara për projektin në buxhetin e vitit 2027, duke pyetur se në cilin program dhe kod buxhetor është përfshirë financimi për ndërtimin, pajisjen dhe funksionalizimin e fabrikës.
Në përfundim të diskutimit, Kurti u shpreh se publikimi i emrave të kompanive dhe shteteve prej nga ato vijnë nuk do të ishte i dobishëm, pasi, sipas tij, një informacion i tillë mund t’u krijojë mundësi kundërshtarëve të Kosovës për t’iu qasur kompanive të përfshira në projekt.
Lexo edhe
KOSOVA
“Nuk kemi të përbashkët asgjë”/ Përplasje mes Kurtit dhe Rrahmanit për seksin dhe gjininë

VIDEO/ Hajduti i fiksuar vjedh për tre net rresht pije energjike nga një pikë karburanti në Prizren

Ligji për Specialen, BE mesazh Kosovës: Presim të konsultohemi për çfarëdo ndryshimi

“Nuk vuaja nga leuçemia, më kërcënuan”, ja si justifikohet 22-vjeçari që mblodhi 190 mijë euro

Frika nga hakmarrja e Putin/ Diplomacia e fshehtë për të shmangur luftën në Baltik





