Kryebashkiakja “thyen” tabu në Japoni, Shoko Kawata bëhet e para që merr leje lindjeje gjatë mandatit

Shoko Kawata, kryebashkiakja e qytetit Yawata në Japoninë perëndimore, është bërë zyrtarja e parë vendore në detyrë në vend që merr leje lindjeje, duke rikthyer në vëmendje debatin për barazinë gjinore dhe sfidat e grave në politikën japoneze. Kawata, e cila drejton një qytet me rreth 69 mijë banorë, pritet të bëhet nënë në shtator.
Për një periudhë të caktuar ajo do të mungojë nga detyra, ndërsa funksionet e saj do të vijojnë të menaxhohen sipas një procedure të përcaktuar posaçërisht për rastin. Vendimi vjen pasi kryebashkiakja zbuloi se kuadri ligjor japonez parashikonte leje lindjeje për punonjësit e administratës vendore, por jo në mënyrë të qartë për drejtuesit vendorë të zgjedhur.
Për këtë arsye, Kawata u përball me nevojën për të përcaktuar një mënyrë të posaçme për zbatimin e lejes së saj. Kawata kishte bërë histori edhe më herët. Në vitin 2023, në moshën 33-vjeçare, ajo u zgjodh kryebashkiakja më e re femër në historinë e Japonisë.
Rasti i saj ka nxjerrë sërish në pah përfaqësimin e ulët të grave në politikën japoneze. Sipas të dhënave të Forumit Ekonomik Botëror për hendekun gjinor, Japonia renditet në vendin e 118-të nga 148 vende, ndërsa në kategorinë e fuqizimit politik renditet e 125-ta.
Debati merr një rëndësi edhe më të madhe në një vend që përballet me rënie të lindjeve dhe plakje të shpejtë të popullsisë. Kawata argumenton se shoqëria duhet të krijojë kushte ku njerëzit, përfshirë edhe ata që mbajnë poste të larta publike, të mund të krijojnë familje pa qenë të detyruar të zgjedhin mes karrierës dhe jetës familjare.
Vendimi i saj ka marrë mbështetje nga qytetarë që e konsiderojnë lejen e lindjes një të drejtë të nevojshme, por ka shkaktuar edhe kritika për faktin se ajo do të vazhdojë të përfitojë pagën e plotë gjatë periudhës së mungesës. Përkrahësit e kryebashkiakes argumentojnë se rasti mund të shërbejë si precedent për krijimin e një modeli më të qartë për drejtuesit e zgjedhur vendorë dhe për të treguar se karriera politike dhe jeta familjare mund të bashkëjetojnë.
Lexo edhe
LIFESTYLE
VIDEO/ Qeni çon policin te pronari i sëmurë

Pse njerëzit e shfaqin dashurinë në publik? Përgjigjja mund t'ju habisë

Pse bëhet më e vështirë të humbni peshë me kalimin e moshës? Ja çfarë ndryshon në organizëm

E premte e zezë! Disa shenja shlyejnë borxhet, por të tjerat rrezikojnë kriza financiare

Venusi hyn në retrogradë më 3 tetor! Dashuritë e vjetra rikthehen? Ja çfarë na pret deri në nëntor…

Sëmundja e arterieve nis më herët, shenja të saj gjenden edhe te të rinjtë

Lëkurë e yndyrshme apo e thatë? Ja si duhet të kujdeseni për secilën

A e dinit se sot është Dita Ndërkombëtare e Kafesë?





