Merz: Emigrantët myslimanë që nuk pranojnë përgjegjësinë historike të Gjermanisë për Holokaustin, duhet të largohen nga vendi

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, u ka bërë thirrje emigrantëve myslimanë që nuk pranojnë përgjegjësinë historike të Gjermanisë për Holokaustin, të largohen nga vendi.
“Përgjegjësia historike e vendit tonë vlen njësoj edhe për ata që vijnë këtu, në Gjermani, nga vende myslimane”, deklaroi Merz gjatë një aktiviteti të zhvilluar në Berlin, në nder të sportistëve hebrenj, në kuadër të Maccabiah, aktivitetit ndërkombëtar sportiv hebre që organizohet çdo katër vjet në Izrael.
“Dhe kushdo që nuk e pranon këtë, duhet të largohet nga vendi ynë”, u shpreh kancelari.
Gjatë të njëjtit aktivitet, një trajner basketbolli i tregoi Merz-it se sportistët kanë frikë se mund të sulmohen nëse dalin në rrugët e Gjermanisë të veshur me xhupat e kuq sportivë të ekipit “Maccabi”, të cilët mbajnë Yllin e Davidit.
Në përgjigje, kancelari citoi një pjesë të fjalimit të mbajtur në vitin 1985 në Bundestag nga ish-presidenti gjerman, Richard von Weizsäcker, me rastin e 40-vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
Duke iu referuar krimeve naziste dhe përgjegjësisë së Gjermanisë për shfarosjen sistematike të miliona hebrenjve, Von Weizsäcker ishte shprehur: “Të rinjtë nuk mbajnë përgjegjësi për atë që ndodhi atëherë. Por ata mbajnë përgjegjësi për mënyrën se si këto ngjarje do të ruhen në histori”.
Merz theksoi se këto fjalë janë të panegociueshme dhe se përgjegjësia për kujtesën historike vlen për të gjithë shoqërinë gjermane.
“Do të shtoja se, duke pasur parasysh rrethanat aktuale, kjo vlen edhe për emigrantët që vijnë në Gjermani”, deklaroi ai, duke iu referuar rasteve antisemitike ku dyshohet se janë përfshirë emigrantë myslimanë. /PiranjatNews/
Lexo edhe
BOTA
Partia e Mélenchon kërkon daljen e Francës nga NATO, propozon shtetëzimin e industrisë së mbrojtjes

Merr vrull gara për armët hipersonike mes SHBA-së, Kinës dhe Rusisë

“Mos hani bukë!”/ Udhëheqësi i sektit çoi drejt vdekjes 191 persona, shumica fëm*jë. Dënohet me 200 vite burg

Cili është grupi rus që dyshohet se qendron pas kërcënimeve me bomba për fluturimet e avionëve në Evropë

Votoi në zgjedhjet e mesit të mandatit në SHBA, Papa Leo: Jam krenar që jam amerikan





