Nga Ekuadori në Meksikë, si rrjetet kriminale shqiptare ndërtuan një perandori të kokainës në Amerikën Latine! Lidhja me 3 mafiet e famshme

Për më shumë se një dekadë, rrjetet kriminale shqiptare kanë zgjeruar sistematikisht praninë e tyre në Amerikën Latine, duke u shndërruar nga ndërmjetës të organizatave të mëdha kriminale evropiane në aktorë të pavarur të trafikut ndërkombëtar të kokainës.
Një analizë e publikuar nga revista “Diálogo Americas” evidenton mënyrën se si këto organizata kanë ndërtuar një rrjet të gjerë bashkëpunimi, që shtrihet nga prodhuesit e kokainës në Kolumbi dhe Peru, te grupet kriminale në Ekuador, Brazil, Paraguai dhe Meksikë, deri te shpërndarja e drogës në tregjet evropiane dhe pastrimi i parave.
Nëse fillimisht shqiptarët vepronin kryesisht si ndërmjetës mes furnizuesve të Amerikës së Jugut dhe organizatave kriminale evropiane, përfshirë mafien italiane ‘Ndrangheta, sot ata kanë marrë një rol shumë më të rëndësishëm në të gjithë zinxhirin e trafikut ndërkombëtar.
Megjithatë, ndryshe nga kartelet e mëdha të drogës në Amerikën Latine, organizatat shqiptare nuk synojnë domosdoshmërisht kontrollin e territoreve dhe nuk mbështeten në praninë e një numri të madh anëtarësh.
“Ndryshe, për shembull, nga kartelet e mëdha meksikane, krimi i organizuar shqiptar nuk mbështetet në një numër të madh operativësh ose në dhunë të dukshme territoriale. Meqenëse Shqipëria është një vend i vogël, me një popullsi të kufizuar, këto rrjete dërgojnë vetëm një numër të vogël njerëzish në Amerikën Latine”, deklaroi për “Diálogo” gazetarja Fatjona Mejdini, drejtoreshë e Observatorit të Ekonomive të Paligjshme në Evropën Juglindore, pranë Iniciativës Globale Kundër Krimit të Organizuar Transnacional (GI-TOC).
Prania e kufizuar fizike është pjesë e modelit të tyre organizativ, i cili mbështetet në bashkëpunimin me aktorët kriminalë vendas.
Ekuadori ka shërbyer prej kohësh si qendra kryesore e veprimtarisë së këtyre organizatave, por vitet e fundit rrjetet shqiptare kanë zgjeruar lidhjet me prodhuesit në Kolumbi dhe Peru, si dhe me organizatat e fuqishme kriminale braziliane, Komanda e Parë e Kryeqytetit (PCC) dhe Komanda e Kuqe (CV).
Gjithashtu, janë krijuar lidhje me organizatat kriminale meksikane, veçanërisht në fushën e pastrimit të parave.
Sipas Agjencisë së Bashkimit Evropian për Drogën (EUDA), disa prej këtyre organizatave kanë arritur të lidhin furnizimin me kokainë në Amerikën e Jugut me shpërndarjen me pakicë në Evropë, duke krijuar një model që përfshin të gjithë zinxhirin e trafikut.
“Ata veprojnë si subjekte plotësisht të pavarura, duke ndjekur interesat, rrugët dhe marrëveshjet e tyre të biznesit. Ata veprojnë si partnerë autonomë dhe jo si zgjatime të varura të karteleve të Amerikës Latine”, shpjegon Mejdini.
Analiza përmend edhe sekuestrimin e 41.35 kilogramëve kokainë të ardhur nga Brazili në Portin e Durrësit, më 14 shtator, si një shembull të shtrirjes ndërkombëtare të këtij aktiviteti kriminal.
Ekuadori, porta e kokainës drejt Evropës
Pozicioni gjeografik i Ekuadorit, mes Kolumbisë dhe Perusë, dy prej vendeve kryesore prodhuese të kokainës në botë, si dhe infrastruktura e zhvilluar portuale, e kanë shndërruar vendin në një qendër strategjike për trafikun ndërkombëtar të drogës.
Zgjerimi i organizatave shqiptare në Ekuador është favorizuar edhe nga rritja e prodhimit të kokainës dhe fragmentimi i organizatave të trafikimit pas çmobilizimit të Forcave të Armatosura Revolucionare të Kolumbisë (FARC).
Një tjetër faktor ka qenë politika e udhëtimit pa viza, e prezantuar nga Ekuadori në vitin 2008 dhe që mbeti në fuqi për shtetasit shqiptarë deri në shtator të vitit 2022. Sipas analizës, kjo lehtësoi hyrjen në vend të individëve të lidhur me organizatat kriminale, në disa raste edhe me identitete të rreme.
Me kalimin e viteve, Ekuadori u transformua nga një vend tranziti në një qendër të rëndësishme logjistike të trafikut ndërkombëtar të kokainës.
Rrjetet shqiptare kanë krijuar lidhje me dy prej organizatave më të fuqishme kriminale ekuadoriane, Los Lobos dhe Los Choneros.
Bashkëpunimi mes tyre nuk kufizohet vetëm te furnizimi me drogë, por përfshin edhe marrëveshje për ndarjen e fitimeve nga shitja e kokainës në tregjet evropiane.
Sipas Mejdinit, këto partneritete u kanë mundësuar organizatave ekuadoriane të përfitojnë nga lidhjet e grupeve shqiptare në Evropë dhe të rrisin ndjeshëm të ardhurat e tyre.
Analiza evidenton gjithashtu se rrjetet shqiptare kanë krijuar mes partnerëve kriminalë një reputacion për respektimin e marrëveshjeve financiare, veçanërisht për kryerjen në kohë të pagesave.
Një prej rasteve të përmendura nga “Diálogo” lidhet me portin e Mantës, në provincën ekuadoriane të Manabísë.
Një kompani eksportuese e peshkut ton dyshohet se është përdorur nga rrjete kriminale ballkanike për trafikimin e rreth 11 tonëve kokainë drejt Evropës, gjatë periudhës 2020–2025.
Hetimet kanë evidentuar dyshime për përfshirjen e infrastrukturës tregtare dhe të personave me akses në informacionin e brendshëm të kompanisë.
Luis Córdova Alarcón, drejtor i programit për Rendin, Konfliktin dhe Dhunën në Universitetin Qendror të Ekuadorit, deklaron se organizatat shqiptare kanë zhvilluar “struktura tregtare shumë të sofistikuara”, duke shfrytëzuar biznese të ligjshme në sektorët e eksportit të bananeve, peshkimit dhe logjistikës.
Në korrik të këtij viti, policia ekuadoriane arrestoi 18 persona, të dyshuar si pjesëtarë të një rrjeti të lidhur me organizatat kriminale shqiptare dhe polake.
Sipas hetuesve, grupi vepronte që prej vitit 2019 dhe ishte përfshirë në trafikimin e kokainës drejt Evropës përmes aktivitetit tregtar ndërkombëtar.
Një tjetër goditje e rëndësishme ishte operacioni “Bremen”, i cili kulmoi më 12 mars 2026 me arrestimin e 26 personave.
Gjatë hetimit, që zgjati 20 muaj, autoritetet sekuestruan 2.5 tonë kokainë dhe identifikuan lidhje mes rrjetit kriminal, organizatave shqiptare dhe grupit ekuadoras Los Lagartos.
Brazili dhe dosja e Ervin Matës
Zgjerimi i organizatave shqiptare përtej Ekuadorit ilustrohet edhe nga rasti i Ervin Matës në Brazil. Mata u arrestua në prill të këtij viti në Ilhabela, në shtetin brazilian të São Paulos, me kërkesë të autoriteteve shqiptare. Emri i tij është lidhur me katër sekuestrime të mëdha droge, mes të cilave 446 kilogramë kokainë në Holandë dhe 69 kilogramë në Brazil. Ai dyshohet gjithashtu për përfshirje në planifikimin e vrasjeve në Shqipëri.
Sipas hetuesve, komunikimet e zbardhura nga platforma e koduar Sky ECC kanë evidentuar lidhjet mes personave që vepronin në Amerikën e Jugut dhe organizatave kriminale në Evropë. Autoritetet shqiptare kanë kërkuar ekstradimin e Matës nga Brazili. Rasti i tij konsiderohet nga “Diálogo” një shembull i dimensionit transnacional të hetimeve ndaj organizatave shqiptare.
Paraguai, Franc Çopja dhe lidhjet me Sebastián Marset
Një tjetër emër që zë vend të rëndësishëm në analizë është ai i Franc Çopjas, i dyshuar për organizimin e dërgesave të mëdha të kokainës nga Amerika e Jugut drejt Evropës. Në Paraguai, Çopja dyshohet se bashkëpunonte me një rrjet personash, ku përfshihej edhe biznesmeni Diego Isaac Benítez Cañete, ish-zyrtar i klubit të futbollit Olimpia. Çopja dyshohet gjithashtu se kishte lidhje me trafikantin uruguaian Sebastián Marset, një prej figurave të njohura të krimit të organizuar në Amerikën e Jugut. Një kompani e lidhur me Benítezin është përfshirë në hetimet për sekuestrimin e 16.174 tonëve kokainë në Hamburg, në vitin 2021. Sipas hetuesve shqiptarë, organizata dyshohet se ishte përgjegjëse për trafikimin e rreth 28 tonëve kokainë vetëm gjatë vitit 2020. Rreth 17 tonë prej tyre u sekuestruan në dërgesat e ardhura nga Paraguai, në portet e Hamburgut në Gjermani dhe Antverpit në Belgjikë. Hetimet kanë evidentuar përfshirjen e shtetasve shqiptarë, personave nga Amerika e Jugut, si dhe të një shtetasi iranian, duke dëshmuar përbërjen ndërkombëtare të rrjetit.
Kili dhe arrestimi i Viktor Gjinit
Rrjetet kriminale shqiptare kanë zgjeruar aktivitetin e tyre edhe në Kili. Analiza përmend rastin e Viktor Gjinit, një shtetas shqiptar i lindur në Kosovë, i cili në vitin 2023 u përfshi në një hetim për trafik ndërkombëtar të kokainës. Hetimet lidheshin me një operacion që përfshinte portet kiliane të San Antonios dhe Valparaísos, me destinacion përfundimtar Roterdamin, në Holandë. Operacioni përfundoi me sekuestrimin e afro 98 kilogramëve kokainë dhe arrestimin e Gjinit.
Meksika, grupi Hysa dhe lidhjet e dyshuara me kartelin Sinaloa
Përveç trafikut të drogës, një pjesë e rëndësishme e veprimtarisë së organizatave shqiptare lidhet me administrimin dhe pastrimin e të ardhurave kriminale. Në nëntor të vitit 2025, Departamenti amerikan i Thesarit vendosi sanksione ndaj Grupit të Krimit të Organizuar Hysa (HOCG), një organizatë kriminale transnacionale shqiptare që vepron në Meksikë dhe njihet gjithashtu si grupi ISA. Autoritetet amerikane e akuzuan organizatën për përdorimin e kazinove, restoranteve dhe bizneseve të tjera për pastrimin e të ardhurave nga trafiku i drogës. Sipas Zyrës së Kontrollit të Pasurive të Huaja (OFAC), pranë Departamentit amerikan të Thesarit, besohet se grupi “vepron me pëlqimin e kartelit Sinaloa”. Ky rast evidenton shtrirjen e aktivitetit të organizatave shqiptare përtej trafikut të kokainës, duke përfshirë edhe sistemet financiare dhe bizneset në Amerikën Latine.
Aleancat me ‘Ndrangheta-n dhe mafien Mocro
Në Evropë, organizatat shqiptare vazhdojnë të mbajnë lidhje me mafien italiane ‘Ndrangheta dhe me mafien Mocro, aktive veçanërisht në Holandë dhe Belgjikë. Megjithatë, sipas Fatjona Mejdinit, marrëdhëniet mes këtyre organizatave nuk përbëjnë domosdoshmërisht aleanca të përhershme. “Bashkëpunimi i tyre bazohet rreptësisht në projekte dhe zhvillohet rast pas rasti”, shpjegon ajo. Kjo strukturë e decentralizuar e krimit të organizuar përbën një sfidë të konsiderueshme për autoritetet, pasi hetimet duhet të përfshijnë një numër të madh aktorësh dhe juridiksionesh.
Lexo edhe
AKTUALITET
Pas protestës para Kryeministrisë, qytetarët marshojnë në rrugët e Tiranës

Bisedat e përgjuara zbulojnë ndryshimin e ekuilibrave të trafikut të kokainës: “Shqiptarët kanë marrë shumë pushtet, tani mafies ia presi...

Plagosi me thikë 29-vjeçarin, arrestohet 17-vjeçari në Fier

EMRAT/ Abuzimi me 13-vjeçaren shqiptaro-amerikane, arrestohet 46-vjeçari në Tiranë dhe 49-vjeçari në Fier

“Pyttt të q**sha robt”: Motoristi acaron shqiptarin me furgon, të shara e kërcënime në rrugë





