Editorial Emisione Investigime Aktualitet Sociale Politikë Kosova Bota Showbiz Lifestyle Sport
TË FUNDIT
Kushtetuesja pezulloi gjobën për bllokimin e rrugëve gjatë protestave, reagojnë studentët: Fitore, Gjykata ... Berisha: Dekreti për protestat nuk mund të votohet në këtë moment kur Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar një ne... Gjendet e pajetë në tualetin e shtëpisë 43-vjeçarja në Maliq, dyshimet e para Studentët krijojnë partinë e re “Të Bashkuar për Shqipërinë” Pasagjeri tentoi të hapte derën e kabinës, avioni me destinacion Çikagon bën ulje emergjente në Arizona (VI... “Hiqni lulen si simbol, vendosni shkopin e bejsbollit”, Zhupa kritika për PS-në, sulmon dhe Ballën: A e mba... Macron i vendos ultimatum BE-së: T5 arrihet marrëveshja për buxhetin deri në fund të vitit, ose Franca tërh... PD: 7 vite pas tërmetit, Sako e ka kthyer rindërtimin në aferë, bonuset e qirasë janë ndërprerë Mitsotakis: Nuk mund të ketë Evropë të fortë me buxhet të dobët Skandali/ Vinçesk Piroli në kërkim për vrasjen e policit, gjyqtarët e Apelit e liruan nga qelia Kompania B52 lë tre muaj pa paguar punëtorët, i thërret vetëm kur i duhet prodhimi Trafiku ajror drejt Gjirit Persik devijohet papritur! Kuvajti intercepton dronët iranianë, plagosen 4 perso...
BOTA

Nga premtimi për punë në Europë në llogoret e Ukrainës, si mashtrohen të rinjtë për të luftuar për Putinin

P
Piranjat26 November 2026, 19:00 · 4 min lexim
Nga premtimi për punë në Europë në llogoret e

U nis nga Kolumbia me ëndrrën për të punuar si berber në Spanjë, por përfundoi në frontin e luftës në Ukrainë, duke luftuar për ushtrinë ruse. Historia e 22-vjeçarit Jhon është një nga rastet që hedhin dritë mbi rrjetet e rekrutimit të shtetasve të Amerikës Latine për nevojat ushtarake të Moskës.

Gazeta britanike “The Times” i ka kushtuar një investigim fenomenit, duke sjellë historinë e Ceneida Muñoz, një nëne kolumbiane që përshkoi mijëra kilometra deri në Moskë për të shpëtuar të birin.

I riu kishte pranuar një ofertë pune në TikTok, por përfundoi në Rusi, ku nënshkroi një kontratë ushtarake në një gjuhë që nuk e kuptonte. Ai u plagos nga një sulm me dron gjatë misionit të parë në front.

Përballë mundësisë që i biri të dërgohej sërish në luftë, nëna udhëtoi drejt Moskës dhe u përball me drejtuesit ushtarakë rusë. Tashmë 22-vjeçari ka kërkuar largimin nga ushtria dhe është në pritje të një ndërhyrjeje kirurgjikale. 

Rasti i tij nuk është i izoluar. Një raport i organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut ka dokumentuar metoda mashtruese të rekrutimit të shtetasve të huaj në ushtrinë ruse, me Kubën dhe Kolumbinë që janë shndërruar në dy prej qendrave kryesore të rekrutimit në Amerikën Latine.

Nëpërmjet rrjeteve sociale dhe kompanive ndërmjetëse, qytetarëve u ofrohen vende pune si punonjës sigurie, kuzhinierë apo punonjës në sektorë të ndryshëm civilë. Pagat e larta dhe shpërblimet financiare për nënshkrimin e kontratave janë ndër elementët kryesorë që përdoren për t'i joshur. 

Një investigim i medias së pavarur ruse “iStories”, në bashkëpunim me gazetarë peruanë, ka zbuluar se një 55-vjeçari nga Peruja i ishte premtuar një pagë mujore prej 2,800 eurosh dhe një shpërblim prej 20 mijë eurosh për nënshkrimin e kontratës. Ai besonte se do të punonte duke ruajtur kontejnerë.

Familjarët e shtetasve të tjerë peruanë kanë denoncuar raste të ngjashme, duke deklaruar se të afërmit e tyre kishin nënshkruar kontrata në gjuhën ruse, pa kuptuar detyrimet që merrnin përsipër.

Amnesty International ka kërkuar që shtetasit e huaj të rekrutuar nëpërmjet mashtrimit në ushtrinë ruse të trajtohen si viktima të trafikimit të qenieve njerëzore. 

Sipas të dhënave të Ministrisë së Jashtme të Kolumbisë, të publikuara në qershor, 173 shtetas kolumbianë kishin humbur jetën dhe 670 rezultonin të zhdukur në kuadër të luftës ruso-ukrainase, në të dyja kampet.

Ndërkohë, autoritetet peruane kanë raportuar se 25 shtetas të tyre kanë humbur jetën duke luftuar për Rusinë, ndërsa 187 rezultojnë të zhdukur.

Moska, nga ana tjetër, mohon përfshirjen në skemat e rekrutimit përmes mashtrimit, duke argumentuar se legjislacioni rus u lejon shtetasve të huaj të nënshkruajnë vullnetarisht kontrata me forcat e armatosura. 

Teksa lufta në Ukrainë ndodhet në vitin e saj të pestë, nevoja për personel ushtarak ka bërë që rekrutimi i luftëtarëve të huaj të shtrihet shumë përtej kufijve të Europës. Për shumë familje në Amerikën Latine, një ofertë pune jashtë vendit është shndërruar në një tragjedi, ndërsa kërkimet për të afërmit e zhdukur vazhdojnë.

SHPËRNDAJE

Lexo edhe

BOTA

Me rëndësi

Ndiqni Piranjat kudo.

Investigime, denoncime dhe satirë — zëri që nuk hesht.