SHBA vendos sanksione të reja ndaj Iranit, në shënjestër rrjeti i fshehtë bankar, Besant: Ekonomia po fundoset
Shtetet e Bashkuara kanë shpallur një paketë të re sanksionesh ndaj Iranit, duke vënë në shënjestër dhjetëra individë dhe kompani që, sipas Departamentit amerikan të Thesarit, janë të përfshirë në rrjetet ndërkombëtare të transferimit të parave në emër të Teheranit. Masat e reja u njoftuan të hënën, më 23 nëntor, dhe synojnë kryesisht atë që […]

Shtetet e Bashkuara kanë shpallur një paketë të re sanksionesh ndaj Iranit, duke vënë në shënjestër dhjetëra individë dhe kompani që, sipas Departamentit amerikan të Thesarit, janë të përfshirë në rrjetet ndërkombëtare të transferimit të parave në emër të Teheranit.
Masat e reja u njoftuan të hënën, më 23 nëntor, dhe synojnë kryesisht atë që autoritetet amerikane e cilësojnë si “rrjeti bankar në hije” i Iranit. Bëhet fjalë për një sistem kompanish, zyrash këmbimi valutor dhe ndërmjetësish financiarë, përmes të cilëve Teherani dyshohet se transferon fonde dhe anashkalon kufizimet e vendosura ndaj sistemit të tij bankar.
Njoftimi u shoqërua me deklarata të ashpra nga Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Besant, i cili pretendoi se sanksionet e deritanishme kanë shkaktuar vështirësi të mëdha në ekonominë iraniane.
“Ekonomia e Iranit po fundoset dhe udhëheqësit e tij janë në panik”, deklaroi Besant, duke i cilësuar masat e reja si një tjetër hap në përpjekjet e Uashingtonit për të kufizuar aksesin e Teheranit në sistemin financiar ndërkombëtar.
Në një reagim në rrjetin social X, ai e përshkroi sistemin bankar në hije si “shpëtimin e fundit ekonomik të një regjimi të falimentuar”. Besant paralajmëroi se Departamenti i Thesarit do të vijojë të godasë këto rrjete, deri në shkatërrimin e plotë të tyre.
Sipas administratës amerikane, këto struktura i mundësojnë Iranit të menaxhojë të ardhurat dhe të kryejë transaksione ndërkombëtare, pavarësisht kufizimeve financiare dhe bankare.
Sanksionet e fundit janë pjesë e fushatës më të gjerë të presionit ekonomik të administratës Trump ndaj Teheranit. Përmes tyre, Uashingtoni synon të kufizojë burimet financiare të Iranit dhe të rrisë presionin ndaj udhëheqjes së vendit, me synimin për ta detyruar të rikthehet në negociata.
Ndërkohë, vlerësimet për gjendjen e ekonomisë iraniane të bëra nga Besant përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të qeverisë amerikane dhe jo një vlerësim të pavarur të situatës ekonomike në Iran.
Lexo edhe
BOTA
Trump rikthen dënimin me vdekaje për krimet më të rënda, paralajmëron përshpejtimin e ekzekutimeve federale

Çmimi i naftës bie nën 90 dollarë për fuçi, investitorët presin negociatat SHBA-Iran

Mosmarrëveshje e re BE-SHBA lidhur me "renditjen e hapave" në bisedimet për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë

Libia kërkon nga Ukraina sqarime për sulmet ndaj anijeve ruse pranë Bengazit

10 miliardë euro kursime ndezin revoltën në Belgjikë, vendi paralizohet nga greva





