Shembje në rrugën Qafë Bualli-Krastë/ 22 mln euro për aksin që ende s'ka përfunduar, Martaneshi drejt shpopullimit

Shembet një masiv shkëmbor në rrugën Qafë Bualli-Krastë, duke nxjerrë sërish në pah problematikat e këtij aksi rrugor, punimet e të cilit ende nuk kanë përfunduar, pavarësisht miliona eurove të shpenzuara.
Fatmirësisht, në momentin e shembjes nuk ka pasur automjete në qarkullim dhe nuk raportohet për persona të lënduar. Për përfundimin e punimeve, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka akorduar një tjetër fond prej afro 10 milionë eurosh, duke e çuar koston totale të këtij aksi në rreth 22 milionë euro. Por ajo që e bën edhe më problematike këtë investim është fakti se edhe tenderi i dytë për plotësimin e punimeve i është dhënë të njëjtit bashkim kompanish që fitoi kontratën e parë.
Bëhet fjalë për kompanitë “BE – IS SH.PK”, “ERGI” dhe “VËLLEZËRIT HYSA”, të cilat janë shpallur fituese të procedurës së re me një ofertë prej 952,928,422 lekësh pa TVSH. Kontrata e parë ishte nënshkruar në dhjetor 2023 për sistemimin dhe asfaltimin e segmentit prej 16.5 kilometrash, ndërsa fazës së dytë i është përcaktuar një afat zbatimi prej 10 muajsh. Kështu, një rrugë që synonte të përmirësonte lidhjen e Martaneshit me pjesën tjetër të vendit po kushton tashmë rreth 22 milionë euro.
Ndërkohë, ndërsa miliona euro shkojnë për këtë aks rrugor, zona e Martaneshit po përballet me një tjetër problem të rëndë: shpopullimin. Sipas Censusit të INSTAT-it 2023, Njësia Administrative Martanesh kishte vetëm 1,339 banorë rezidentë, nga të cilët 688 meshkuj dhe 651 femra. Të dhënat administrative të Bashkisë Bulqizë tregonin 2,017 banorë të regjistruar në vitin 2023, 2,006 në vitin 2024 dhe 1,997 në vitin 2025, ndërsa për vitin 2026 shënohet shifra prej 1,339 banorësh.
Këto shifra tregojnë një tkurrje të fortë demografike, megjithëse të dhënat e Censusit dhe regjistrit administrativ nuk janë drejtpërdrejt të krahasueshme. Martaneshi, që përfshin qytetin e Krastës dhe shtatë fshatra të tjerë, është një zonë malore me një territor prej rreth 169 kilometrash katrorë.
Në vend që investimet publike të shoqërohen me zhvillim ekonomik dhe kushte për të mbajtur banorët në zonë, Martaneshi vijon të përballet me largimin e popullsisë.
Shembja e masivit shkëmbor në një rrugë që po kushton 22 milionë euro ngre pikëpyetje jo vetëm për cilësinë dhe sigurinë e punimeve, por edhe për efektivitetin e investimeve publike në një zonë që po zbrazet gjithnjë e më shumë.
Lexo edhe
SOCIALE
Luksemburgu kërkon punonjës të huaj në 5 sektorë, ja sa do të jetë paga

Tre kompani sigurimi rrezikojnë të dalin nga tregu

Banori i Rrashbullit denoncon: Bashkia pastroi kanalin kullues, mbeturinat i la anës rrugës

Shqipëria lë pas Serbinë dhe gjithë Ballkanin, rekord studentësh që studiojnë jashtë

Mbi 100 vjet për t'u barazuar, pensionet në Shqipëri sa 19% e nivelit të BE-së sipas fuqisë blerëse





