Tre kompani sigurimi rrezikojnë të dalin nga tregu
Të paktën tre kompani shqiptare sigurimi rrezikojnë të humbasin licencën dhe të dalin nga tregu, për shkak se nuk përmbushin

Të paktën tre kompani shqiptare sigurimi rrezikojnë të humbasin licencën dhe të dalin nga tregu, për shkak se nuk përmbushin kushtet e kapitalit sipas regjimit të ri Solvency II, që zbaton Bashkimi Europian.
Ky është përfundimi i pashmangshëm i një simulimi të kryer nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe Banka Botërore mbi bilancet e vitit 2024, i cili tregoi se nga 12 shoqëri të testuara, tre prej tyre dështuan të përmbushnin standardet e reja të kapitalit, duke shënuar nivele mbulimi prej vetëm 48%, 60% dhe 81%. Për një treg ku operojnë gjithsej 13 kompani, ky është paralajmërimi më i fortë i dekadës së fundit.
Ndonëse simulimi nuk zbulon se cilat janë emrat e tre kompanive problematike, ato kanë dy rrugë për të mbajtur liçencën e tyre. Ose të shtojnë kapitalin, ose të ulin profilin e rrezikut duke ulur portofolin e sigurimeve ose duke risiguruar më shumë.
Gati projektligji
Për vite me radhë, tregu shqiptar i sigurimeve ka funksionuar me rregulla të thjeshta: mjaftonte të llogaritej kapitali mbi bazën e primeve dhe dëmeve të shkuara, dhe aksionarët mund të tërhiqnin fitimet me relativisht pak pengesa. Kjo epokë po merr fund. Projektligji i ri “Për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit” synon të sjellë regjimin evropian Solvency II, duke e zhvendosur mbikëqyrjen nga rregullat e ngurta kontabël te rreziku real.
Sipas kuadrit të ri, siguruesit nuk do të gjykohen më thjesht nga vëllimi i policave të shitura, por nga aftësia e tyre për t’i mbijetuar goditjeve të papritura financiare, katastrofave apo rënieve të tregut. Për kompanitë me bilance të brishta, koha po mbaron.
Drafti parashikon një periudhë kalimtare deri në fund të vitit të dytë pas hyrjes në fuqi të ligjit për të plotësuar kërkesën për kapitalin e aftësisë paguese, me kusht që ato të raportojnë rregullisht progresin e tyre. Por nëse një kompani nuk arrin të mbulojë as pragun e kapitalit minimal pas afatit kalimtar, AMF-ja do të ketë dorë të lirë t’i revokojë licencën.
Ndryshimi më i dhimbshëm për pronarët fshihet në nenin 178. Ai ndalon kategorikisht shpërndarjen e dividendëve, paradhëniet e fitimit dhe bonuset për drejtuesit sa herë që kapitali i shoqërisë bie — ose rrezikon të bjerë — nën nivelin e kërkuar ligjor. Praktika e tërheqjes së fitimeve duke lënë kompanitë të pambrojtura ndaj detyrimeve të ardhshme ndaj klientëve po bllokohet me ligj.
Për Shqipërinë, kjo reformë është një kusht i panegociueshëm për mbylljen e Kapitullit 9 të negociatave me Bashkimin Evropian për shërbimet financiare. Por për aksionarët vendas, zgjedhja është e qartë: të injektojnë kapital të freskët, të ulin ekspozimin ndaj rreziqeve ose të kërkojnë një blerës përpara se rregullatori t’u mbyllë dyert./ Kapitali.al
Lexo edhe
SOCIALE
Banori i Rrashbullit denoncon: Bashkia pastroi kanalin kullues, mbeturinat i la anës rrugës

Shqipëria lë pas Serbinë dhe gjithë Ballkanin, rekord studentësh që studiojnë jashtë

Mbi 100 vjet për t'u barazuar, pensionet në Shqipëri sa 19% e nivelit të BE-së sipas fuqisë blerëse

VIDEO/ 380 metra rrugë në Tragjas-Vlorë tenderohet 3 milionë euro!

Pak minuta reshje shiu në Lezhë, përmbyten disa akse rrugore





