Kurti: Drafti i parë i Ligjit për Specialen dorëzohet javën e ardhshme nga grupi i ekspertëve
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se javën e ardhshme pritet të pranohet drafti i parë i strategjisë nga grupi punues për Ligjin për Specialen, si dhe drafti i parë i ligjit nga...

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se javën e ardhshme pritet të pranohet drafti i parë i strategjisë nga grupi punues për Ligjin për Specialen, si dhe drafti i parë i ligjit nga ekspertët.
Duke komentuar Ligjin për Specialen, i cili ka ardhur në Kuvend, Kurti ka thënë se ai është hartuar si rezultat i pakënaqësisë lidhur me aktgjykimin, duke shtuar se që nga fillimi kishin shprehur rezervat e tyre për të.
“Nga pakënaqësia lidhur me aktgjykimin erdhi edhe shkrimi i shpejtë i atij ligji, për të cilin patëm shprehur rezervat tona. Nuk dyshoj në qëllimin e mirë, por nuk mjafton vetëm qëllimi i mirë, duhet të kemi edhe sukses. Për këtë na duhet një ligj që nuk kthehet mbrapsht dhe bëhet praktik në realitet. Ne presim që javën e ardhshme grupi punues ta sjellë draftin e parë. Aty janë të angazhuar të gjithë dhe ne e presim strategjinë javën e ardhshme. Presim gjithashtu që ky ekip me ekspertë ta sjellë javën e ardhshme draftin e ri të ligjit për Dhomat e Specializuara”, ka thënë ai.
Tutje, Kurti gjatë fjalës së tij në Kuvend ka thënë se nuk e ka ndryshuar qëndrimin për Dhomat e Specializuara që nga viti 2015.
“Unë, si kryeministër, nuk kam ndryshuar qëndrim për Dhomat e Specializuara që nga pranvera e vitit 2015. Mendimi është i njëjtë, se kjo gjykatë është e pazakontë, aq sa edhe termi ‘sui generis’ për të është i ngushtë”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se nismëtarët e ligjit për Dhomat e Specializuara kanë pasur qëllim të mirë.
“Ky qëllim ka ardhur nga zhgënjimi me vendimin e 16 shtatorit. Duhet ta përmendim se ku janë rrënjët e kësaj gjykate. Në pranverën e vitit 2008, dy delegatë në Këshillin e Evropës e lansuan rrëfimin horror për të ashtuquajturën Shtëpia e Verdhë dhe trafikimin e organeve. Nuk pati kundërvënien e duhur nga ana jonë. U bënë hulumtime dhe nuk u gjet asgjë”.
Sipas tij, ajo që mbeti dhe duhet të trajtohet në Apel është e ashtuquajtura ndërmarrje kriminale.
Kurti ka thënë se janë të bindur që korrigjimi i vendimit të 16 shtatorit duhet dhe do të ndodhë në Apel, gjë që, sipas tij, pritet të ndodhë gjatë vitit 2027.
Lexo edhe
KOSOVA
Jakup Krasniqi pranë familjes në Prishtinë, Kurti: Momente të vështira, urojmë që gjithçka të shkojë mirë

Kosovë, shtyhet seanca ku pritej rishqyrtimi i Ligjit për Specialen

Pagat, shërbimet sociale dhe arsimi, tri protesta sot në Prishtinë

Krimi i rëndë në Suharekë/ Ky është 59-vjeçari që u vra në sy të gruas dhe vajzës

Jakup Krasniqi përfundon pas 6 orësh vizitën në Kosovë, largohet nën prezencën e policisë dhe thirrjeve: UÇK






