Shpërthimi me eksploziv në banesën e 47-vjeçares në Tiranë, identifikohet dhe shpallet në kërkim autori 60-vjeçar, ishte në automjet me tre vajza dhe..

Komisariati nr. 4 në Tiranë ka bërë të mundur zbardhjen e ngjarjes së shpërthimit me tritol në një banesë në rrugën “Sadik Petrela”. Hetuesit kanë arritur të identifikojnë lëvizjet e automjetit të përdorur nga autori i dyshuar, duke analizuar pamjet e kamerave të sigurisë.
Sipas burimeve, Albert Zevelizhdaj, i shpallur në kërkim, dyshohet se ka marrë me qira për tre ditë një automjet në emër të fqinjës së tij në Elbasan. Me këtë makinë, ai ka udhëtuar drejt Tiranës së bashku me fqinjën dhe dy persona të tjerë, të cilët i linte në zonën e ish-Bllokut.
Në ditën e tretë të qëndrimit në kryeqytet, pasi ka lënë tre personat në zonën e ish-Bllokut, Zevelizhdaj është drejtuar për në rrugën “Sadik Petrela”, ku dyshohet se ka vendosur lëndën plasëse në derën e banesës.
Hetimet paraprake ngrenë dyshime se 60-vjeçari mund të jetë paguar nga persona të tjerë për të kryer këtë veprim. Një prej elementeve që po shqyrtohet nga hetuesit është fakti se pronarja e banesës dhe fëmijët e saj nuk e kanë njohur më parë të dyshuarin.
Burime bëjnë me dije se, pas vendosjes së tritolit, ai ka ndjekur rrugica të ndryshme për të shmangur identifikimin dhe dyshohet se ka ndërruar edhe veshjet, me qëllim humbjen e gjurmëve.
Njoftimi:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, menjëherë pas njoftimit për shpërthimin e një sasie të dyshuar lënde plasëse në derën e jashtme të banesës së shtetases A. M., në rrugën “Sadik Petrela”, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Gjurmimi”, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.
Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore, administrimit të provave, si dhe kryerjes së veprimeve të tjera procedurale, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes dhe identifikimi dhe shpallja në kërkim i autorit të dyshuar shtetasit A. Z., 60 vjeç, banues në Elbasan.
Gjithashtu, nisi procedimi penal në gjendje të lirë për 3 shtetase, A. Ç, 21 vjeçe, A. L, 18 vjeçe dhe një 17-vjeçare, komshinj me autorin, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi dyshohet se kanë qenë në automjet së bashku me autorin e dyshuar, në momentin e kryerjes së ngjarjes, dhe nuk kanë kallëzuar krimin.
Gjatë veprimeve hetimore u sekuestruan në cilësinë e provës materiale automjeti i përdorur ditën e ngjarjes, si dhe 4 aparat celularë.
Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Lexo edhe
AKTUALITET
Vrasja e “Sel Çamit” në Fier, policia: Ja si arritën autorët tek objektivi

Nga portet e Holandës në zemër të Italisë, si po ndryshojnë shqiptarët hartën e trafikut të kokainës në Evropë

Dilemat e Gjykatës së Posaçme: Çfarë është një krim i rëndë në Shqipëri?

Shpërthimi me tritol në banesën e 47-vjeçares, identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar

Po udhëtonin drejt një feste ditëlindjeje, aksidenti i merr jetën 31-vjeçares shqiptare në Itali! Plagosen 3 fëmijë





