Editorial Emisione Investigime Aktualitet Sociale Politikë Kosova Bota Showbiz Lifestyle Sport
TË FUNDIT
Shtimi i kullave, Colliers Albania: Tregu i zyrave kalon në mbiofertë, pritet rënie e çmimeve Horoskopi/ Njihuni me parashikimin e yjeve për shenjën tuaj Tre muaj pa pagesën e ushqimit, praktikantët denoncojnë institucionet shtetërore EMRI/ Nga Saranda për të vrarë anëtarin e mafias greke, zbardhet ngjarja në Greqi. Detajet e hetimeve Rruga e amortizuar prej vitesh në Tropojë, banorët: Vështirësi edhe në rastet e urgjencave shëndetësore... Bloomberg: “Gjalp për bukën” e Putinit, NATO-ja e re që po projekton Trump! Presidenti amerikan përmbys 80 ... FOTO/ Ab*zuan me të miturën nga Shkodra, ky është një nga autorët Elton Vrenozi nga Fieri EMRI/ Vrau bashkëshorten në sy të katër fëmijëve, shqiptari dënohet me burgim të përjetshëm Bisedat e përgjuara zbulojnë ndryshimin e ekuilibrave të trafikut të kokainës: “Shqiptarët kanë marrë shumë... Berisha paralajmëron Ramën: Fjalën e fundit e ka gjithmonë sovrani! 28 Nëntori po vjen... U zhdukën 3.6 mld lekë nga posta, çifti ‘Metaj’ akuzon çiftin 'Budini'. Të dyja palët ballafaqim në SPAK... 178 ditë revoltë në Tiranë/ Qytetarët paralajmërojnë mobilizim kombëtar më 28 nëntor: Nuk ndalemi deri në l...
AKTUALITET

Shtimi i kullave, Colliers Albania: Tregu i zyrave kalon në mbiofertë, pritet rënie e çmimeve

Vala e re e ndërtimeve për kulla shumëkatëshe dhe përfundimit të ndërtimeve në Bulevardin e Ri ka krijuar mbiofertë për vitin

P
Piranjat25 November 2026, 07:08 · 6 min lexim
Shtimi i kullave, Colliers Albania: Tregu i zyrave kalon në mbiofertë,

Vala e re e ndërtimeve për kulla shumëkatëshe dhe përfundimit të ndërtimeve në Bulevardin e Ri ka krijuar mbiofertë për vitin 2026 te tregu i ambienteve të zyra ve me qira.

Pavarësisht mbiofertës çmimet e qirave kanë mbetur të pandryshuara. Për të tretin vit radhazi që prej 2024, çmimet mesatare të qirave për zyra në ambientet e kullave qëndrojnë në nivelin e 30 eurove për metër katror në muaj.

Çmimet mesatare të qirave për pjesën jashtë zonave qendrore vijuan të qëndrojnë në nivelin e 19 eurove për metër katror. Çmimi ka mbetur i pandryshuar prej 2024.

Të dhënat janë publikuar në raportin vjetor të agjencisë ndërkombëtare të pasurive të paluajtshme “Colliers Albania” “Tregu Shqiptar i Pasurive të Paluajtshme – Panorama e Përgjithshme 2026”.

“Gjatë 12 muajve të fundit, tregu i zyrave në Tiranë ka kaluar nga një situatë ekuilibri në një fazë të mbiofertës së përkohshme, pasi vala e re e ndërtimeve ka tejkaluar ritmin e përthithjes së hapësirave nga bizneset”, theksohet në raport.

Ndërtimet e reja te Bulevardi i ri shtuan ofertën; Vakanca i afrohet nivelit të pandemisë Covid-19

Mbioferta e krijuar ka sjellë që në vitin 2026 vakanca e hapësirave të lira të rritet me 8% krahasuar me 2025.

Nga 12.4 % që ishte në vitin 2025 norma e hapësirave të lira, për 2026 është ngjitur në 20.2%. Sipas Colliers Albania, në këtë zgjerim ndikuan përfundimi i projekteve Doëntoën One dhe MET Building në vitin 2025, si dhe hyrja në treg e Park Avenue në vitin 2026 në zonën e Bulevardit të Ri.

Në total sipas Colliers Albania sipërfaqet e lira u rritën me rreth 17 mijë m². Sipas përllogaritjeve mbi stokun dhe normën e vakancës, hapësirat e papërdorura u zgjeruan nga rreth 23,800 m² në 40,700 m². Ndërkohë, sipërfaqja e zënë nga qiramarrësit u tkurr me rreth 5,500 m².

“Kjo tregon përthithje neto negative të tregut, çka sugjeron se disa kompani kanë liruar ambiente në ndërtesat më të vjetra, kanë konsoliduar aktivitetin në më pak hapësira ose janë zhvendosur në seli të reja në pronësi të tyre, në zonat periferike të qytetit”, theksohet në analizën e Colliers Albania.

Sipas të dhënave, tregu ka kaluar edhe më parë cikle të ngjashme.

Në 16 vitet e fundit, për periudhën 2011 deri në 2026 norma e lartë e vakancës u shënua në 2020, duke arritur në nivelin e 24.3% Më pas në 2021 zbriti në 16.5% dhe 2022 zbriti në 13.5%.

“Në të dyja rastet, tregut iu deshën rreth një deri në dy vite për të përthithur ofertën e tepërt dhe për t’u rikthyer në nivele më të balancuara”, thuhet në raport.

Çmimet mesatare të qirave për kullat qëndrojnë 30 euro për metër katror; Paralajmërohet ulje të çmimeve për tregun dytësor

Qiratë nuk kanë reflektuar ende rritjen e ofertës. Pavarësisht shtimit të ndjeshëm të hapësirave të lira, çmimet e kërkuara të qirave kanë mbetur të pandryshuara që nga viti 2024. Për ambientet më cilësore, të kategorisë Prime, qiraja vijon të jetë 30 euro/m² në muaj, ndërsa mesatarja e tregut është 19 euro/m² në muaj.

Kjo e fundit është rritur nga 16 euro/m² që ishte në vitin 2022.

Me zgjerimin e alternativave për qiramarrësit, pronarët mund të përpiqen të ruajnë çmimet nominale përmes periudhave pa pagesë qiraje dhe kontributeve për përshtatjen e ambienteve. Kjo mund të sjellë ulje të qirasë efektive, veçanërisht në ndërtesat e kategorisë B dhe në segmentin dytësor të tregut.

Sipas analizës së Colliers Albania, kërkesa për hapësira zyrash në Tiranë mbështetet nga rritja e investimeve të huaja direkte, të cilat arritën një rekord prej 1.64 miliardë eurosh në vitin 2025. Flukset e reja të investimeve u rritën me 13.5%, duke arritur në 798 milionë euro.

Tirana mbetet qendra kryesore e sektorëve ICT (teknologjia e informacionit dhe komunikimit) dhe BPO (nënkontraktimi i proceseve të biznesit) në vend.

Në nivel kombëtar operojnë mbi 5,400 kompani aktive në këta sektorë, të cilat ofrojnë shërbime kryesisht për klientë në Itali, Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermani. Ndërkohë, shërbimet financiare renditen si përfituesi i dytë më i madh i investimeve të huaja direkte, pas pasurive të paluajtshme.

Nga kullat Tiranës pritet t’i shtohen edhe 192 mijë m2 katror zyra të reja

Në Tiranë pritet të pasurohet oferta për ambiente zyrash.

Gjatë 12 muajve të ardhshëm, ritmi i përfundimit të projekteve të reja do të përcaktojë ecurinë e rimëkëmbjes së tregut. Rreth 192,338 m² hapësira zyrash janë ende në fazën e zhvillimit, përfshirë projektet Book Building, T’ Rock, Tirana Boulevard, Lake Park Central, Eyes of Tirana dhe një projekt në zonën e Bulevardit të Ri.

Përfundimi gradual i projekteve, dhënia paraprake me qira e hapësirave dhe ndërtesat me një pronar të vetëm, të administruara në mënyrë profesionale, do të jenë faktorë kyç për të kufizuar rritjen e mëtejshme të sipërfaqeve të zëna nga zyra të padhëna me qira (vakanca)./ Monitor 

SHPËRNDAJE

Lexo edhe

AKTUALITET

Me rëndësi

Ndiqni Piranjat kudo.

Investigime, denoncime dhe satirë — zëri që nuk hesht.