EMRI/ Vrau bashkëshorten në sy të katër fëmijëve, shqiptari dënohet me burgim të përjetshëm
Gjykata Penale e Trikalasë në Greqi dënoi me burgim të përjetshëm 40-vjeçarin Pandeli Nakoleci, i cili në fund të gushtit 2025 vrau bashkëshorten e tij, Marjola Nakoleci, duke e goditur disa herë me sende të forta, në pallatin ku banonte familja në Volos

Gjykata Penale e Trikalasë në Greqi dënoi me burgim të përjetshëm 40-vjeçarin Pandeli Nakoleci, i cili në fund të gushtit 2025 vrau bashkëshorten e tij, Marjola Nakoleci, duke e goditur disa herë me sende të forta, në pallatin ku banonte familja në Volos.
Mediat greke shkruajnë se burri e kreu vrasjen në banesën e familjes së tij, në prani të katër fëmijëve të tyre.
Sipas portalit magnesianews.gr, gjyqi në Gjykatën Penale nisi të enjten e kaluar dhe vijoi deri të hënën, kur u shpall vendimi. I pandehuri u shpall fajtor për vrasje me dashje, të kryer në gjendje të qetë shpirtërore. Gjithashtu, ndaj tij u dha edhe një dënim me një vit burg për mbajtje dhe përdorim të paligjshëm të armëve.
Në sallën e gjyqit ishin të pranishëm edhe katër fëmijët e çiftit, të cilët, megjithatë, nuk u thirrën për të dëshmuar gjatë procesit gjyqësor.
Vrasja në Volos: ‘Krimi ishte i paramenduar dhe u krye me dashje’
Pala që mbështeste akuzën foli për dhunë psikologjike, verbale dhe fizike që autori ushtronte ndaj bashkëshortes 36-vjeçare. Sipas Prokurorisë, i pandehuri e kishte planifikuar vrasjen dhe kishte vepruar me paramendim.
Gjatë mbrojtjes së tij, i akuzuari pretendoi se kishte vuajtur dhe vazhdonte të vuante nga probleme të shëndetit mendor, të cilat, së bashku me sjelljen e bashkëshortes së tij, sipas pretendimit të tij, e kishin çuar drejt kryerjes së krimit.
Prokurorja kërkoi shpalljen e tij fajtor për vrasje me dashje, të kryer në gjendje të qetë shpirtërore. Ajo kërkoi gjithashtu rrëzimin e pretendimit për uljen e përgjegjësisë penale, për shkak të gjendjes së tij të shëndetit mendor.
Avokati mbrojtës kishte kërkuar që klientit të tij t'i njihej përgjegjësi penale e reduktuar, duke iu referuar një çrregullimi psikik të diagnostikuar dhe gjendjes së tij të rënduar psikike, të cilat, sipas mbrojtjes, kishin ndikuar në kryerjen e aktit.
Ai deklaroi gjithashtu në gjykatë se klienti i tij vazhdonte të merrte trajtim me medikamente për problemet e shëndetit mendor edhe gjatë qëndrimit në burg.
Në përfundim, gjykata pranoi propozimin e prokurores dhe e shpalli 40-vjeçarin fajtor për veprat penale për të cilat akuzohej. Njëkohësisht, rrëzoi edhe kërkesën e mbrojtjes për njohjen e rrethanave lehtësuese.
Lexo edhe
AKTUALITET
Çfarë po ndodh në Fier? Një tjetër person filmohet me thikë në hyrje të pedonales

EMRI/ Shqipëria tërhiqet nga ekstradimi i shqiptarit të dënuar për vrasje në Angli

Nga Ekuadori në Meksikë, si rrjetet kriminale shqiptare ndërtuan një perandori të kokainës në Amerikën Latine! Lidhja me 3 mafiet e famsh...

Pas protestës para Kryeministrisë, qytetarët marshojnë në rrugët e Tiranës

Bisedat e përgjuara zbulojnë ndryshimin e ekuilibrave të trafikut të kokainës: “Shqiptarët kanë marrë shumë pushtet, tani mafies ia presi...





