Tebas i nxjerr Realit transfertat 7.5 milionë euro: Mjaft gënjyet për Barcelonën, shpjegoni paratë tuaja

Presidenti i LaLiga-s, Javier Tebas, ka hapur një tjetër përplasje me Real Madrid. Pas një videoje të Real Madrid TV për kredinë 4.5 milionë euro të Barcelonës ndaj Audiovisual New Aged, Tebas publikoi shifra për transfertat e vetë klubit madrilen drejt së njëjtës kompani dhe kërkoi shpjegime për një email të 9 majit 2018...
Përplasja mes Javier Tebas dhe Real Madrid është zhvendosur këtë herë te dokumentet financiare. Presidenti i La Liga-s reagoi ndaj një videoje të Real Madrid TV, e cila trajtonte një dokument të Barcelonës për një kredi prej 4.5 milionë eurosh ndaj kompanisë Audiovisual New Aged, e lidhur me Tebas.
Reagimi erdhi pasi përdoruesi @AdriiRM33 publikoi në rrjetet sociale videon e televizionit të Real Madrid. Tebas e akuzoi median e klubit se kishte shtrembëruar çështjen dhe kishte lënë jashtë shpjegimet e dhëna më parë për funksionin e kompanisë.
“Po i përgjigjem @AdriiRM33, i cili postoi një video të Real Madrid TV që gënjen, shtrembëron dhe fsheh arsyen dhe qëllimin e Audiovisual New Aged, përveçse injoron dhjetëra herët që kjo çështje është shpjeguar”, shkroi Tebas.
Por presidenti i La Liga-s nuk u ndal tek akuza ndaj Real Madrid TV. Ai publikoi të dhëna që, sipas tij, tregojnë se edhe vetë Real Madrid kishte transferuar miliona euro drejt Audiovisual New Aged.
Tebas pretendoi se mes viteve 2011 dhe 2013, Real Madrid i transferoi kësaj kompanie në total 7,513,333.55 euro. Pikërisht këtu ai e ktheu akuzën ndaj klubit madrilen, duke kërkuar shpjegime për marrëdhënien financiare të Realit me të njëjtën kompani që Real Madrid TV e kishte vendosur në qendër të materialit për Barcelonën.
“Kam bashkëngjitur dy shembuj transferimesh nga Real Madrid tek Audiovisual New Aged. Midis viteve 2011 dhe 2013, transferimet e klubit te kjo kompani arritën në total 7,513,333.55 euro. Po, te e njëjta kompani ku kontribuonte edhe FC Barcelona. Çfarë surprize!”, deklaroi Tebas.
Presidenti i La Liga-s përmendi më pas dy emra, JAS dhe Chitín del Valle, duke kërkuar që ata të sqarojnë arsyen dhe qëllimin e transfertave. Ai ngriti gjithashtu çështjen e një emaili të datës 9 maj 2018 dhe kërkoi të bëhet publik se kush kishte dhënë udhëzimet për dërgimin e tij.
“Pyetni JAS dhe Chitín del Valle pse u bënë ato transferime dhe cili ishte qëllimi i tyre. Dhe le ta shpjegojë edhe Chitín emailin e 9 majit 2018 dhe kush i dha udhëzimet për atë email”, vijoi Tebas.
Në këtë mënyrë, Tebas e zhvendosi debatin nga kredia 4.5 milionë euro e Barcelonës te transfertat prej mbi 7.5 milionë eurosh që, sipas dokumenteve të publikuara prej tij, Real Madrid kishte kryer drejt Audiovisual New Aged gjatë viteve 2011-2013.
Në fund, ai i kërkoi përdoruesit që kishte shpërndarë videon t'ia dërgonte dokumentet Real Madrid TV, duke sfiduar televizionin e klubit që të prodhonte një material tjetër mbi këto të dhëna.
“Dërgoju dokumentet, @AdriiRM33, dhe kërkoju të bëjnë një video tjetër. Këtë herë duke shpjeguar se çfarë po fshehin tani. Vazhdon… mjaft me gënjeshtrat dhe manipulimet”, përfundoi Tebas.
Lexo edhe
SPORT
U la në stol në ndeshjen me Norvegjinë, reagon trajneri portugez: Ronaldo nuk refuzoi asgjë, vendos unë kush luan

Çfarë ndodhi mes Ronaldos dhe Jorge Jesus? Trajneri portugez del me deklaratën e fortë: Ai nuk refuzoi asgjë

Futbolli shkodran në zi, ndahet nga jeta legjenda e Vllaznisë Ismet Hoxha

Vetëm 17 vjeç, mesfushori që SHBA-ja e mori nga Shqipëria vendos rekord me ekipin e Pochettinos

Topi i Artë, Presidenti i PSG: Ja kush nga lojtarët e mi e meriton





