Tabaku paralajmëron skemën KAYO në Teknologjinë e Informacionit
Deputetja e PD-së i kërkon shumicës të provojë kursimet që pretendon se do të sjellë kontraktimi i drejtpërdrejtë dhe të sqarojë si do të mbrohet konkurrenca. Deputetja e...

Deputetja e PD-së i kërkon shumicës të provojë kursimet që pretendon se do të sjellë kontraktimi i drejtpërdrejtë dhe të sqarojë si do të mbrohet konkurrenca.
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, paralajmëroi se projektligji që u hap rrugë marrëveshjeve të drejtpërdrejta me prodhuesit e teknologjisë rrezikon të krijojë një monopol të mbrojtur me ligj në një pjesë të tregut. Në një postim në rrjetet sociale, ajo i kërkoi shumicës të shpjegojë si do të krahasohen çmimet, kush do të kontrollojë kushtet e kontratave dhe çfarë mundësie do të kenë kompanitë e tjera për të konkurruar.
Sipas Tabakut, shtesa në ligjin për qeverisjen elektronike do t’u lejonte shoqërive operatore të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, si Albanian Digital Solution (ADS), të negocionin drejtpërdrejt me prodhuesit për licenca softuerësh, shërbime cloud dhe shërbime të lidhura me to. Argumenti i paraqitur për propozimin, sipas saj, është se blerja e përqendruar sjell kursime dhe siguron vazhdimësinë e shërbimit.
“Një premtim për çmime më të ulëta nuk mjafton për të justifikuar shmangien e garës”, shkroi Tabaku. Ajo tha se mundësia për të negociuar kontrata drejtpërdrejt do t’i shtohej së drejtës që ka AKSHI për t’u kaluar sisteme dhe infrastrukturë në administrim këtyre shoqërive. Sipas saj, mundësia e pjesëmarrjes private deri në 49% e bën edhe më të rëndësishme transparencën në përzgjedhjen e partnerëve, vlerësimin e pasurive publike dhe ndarjen e përfitimeve.
Tabaku iu referua të dhënave të Komisionit të Prokurimit Publik të raportuara nga BIRN, sipas të cilave 43 nga 94 tenderët e zhvilluar nga AKSHI në vitin 2025 u ankimuan. Në 62,7% të ankimeve, kompanive ankuese iu dha e drejtë plotësisht ose pjesërisht. Deputetja kërkoi të sqarohet se çfarë mundësish do të kenë operatorët për të kundërshtuar kriteret dhe për të ankimuar vendimmarrjen kur kontraktimi bëhet drejtpërdrejt.
Duke e lidhur çështjen e ADS-së me përjashtimet nga procedurat standarde në sektorë të tjerë, Tabaku kërkoi shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike dhe heqjen e privilegjeve që, sipas saj, kufizojnë konkurrencën, përfshirë përjashtimet në sektorin e porteve.
Mesazhi i plotë:
Si përjashtimi po bëhet rregull dhe po vret garën në ekonomi
Sa herë shpërthen një skandal, qeveria premton një reformë. Propozohet një ligj që do të ndryshojë mënyrën e funksionimit të institucioneve, do të luftojë korrupsionin dhe do të mbrojë paratë e shqiptarëve. Më pas, përmes një tjetër ndërhyrjeje ligjore, shpesh me firmën e një deputeti të shumicës, krijohet përjashtimi që i shërben të njëjtit sistem dhe të njëjtës pakicë.
Kështu, ndryshojnë emrat, institucionet dhe procedurat, por pushteti për të vendosur se kush përfiton mbetet në të njëjtat duar.
Rasti i Albanian Digital Solution, ADS, e ilustron këtë shqetësim. Pas skandalit të AKSHI-t dhe dyshimeve të rënda për mënyrën se si kontrolloheshin tenderët e teknologjisë, shqiptarët kishin nevojë për më shumë transparencë, konkurrencë dhe kontroll mbi shpenzimet publike. Qeveria prezantoi një shoqëri të re, me premtimin se do të zhvillonte dhe mirëmbante sistemet shtetërore, duke ulur varësinë nga kompanitë private.
Kuadri ligjor i miratuar lejon që AKSHI të krijojë ose të bashkëpunojë me shoqëri operatore TIK, ku shteti zotëron të paktën 51% të aksioneve, dhe t’u kalojë atyre sisteme e infrastruktura në administrim. Pra, ligji lë hapësirë edhe për pjesëmarrje private deri në 49%. Kjo e bën edhe më të nevojshme transparencën mbi përzgjedhjen e partnerëve, vlerësimin e pasurive publike dhe ndarjen e përfitimeve.
Tani vjen hapi tjetër.
Më 8 nëntor, deputetja e shumicës depozitoi një shtesë në ligjin për qeverisjen elektronike. Propozimi synon t’u japë shoqërive operatore TIK të drejtën të negociojnë dhe të lidhin drejtpërdrejt marrëveshje me prodhuesit e teknologjisë për licenca softuerësh, shërbime cloud dhe shërbime të lidhura me to. Argumenti është se blerja e përqendruar do të sjellë kursime dhe vazhdimësi shërbimi.
Por kursimi duhet provuar. Duhet të dimë si zgjidhet teknologjia, si krahasohen çmimet, kush kontrollon kushtet e marrëveshjes dhe çfarë mundësie kanë operatorët e tjerë për të konkurruar. Një premtim për çmime më të ulëta nuk mjafton për të justifikuar shmangien e garës.
Shqetësimi është se përqendrimit të sistemeve shtetërore po i shtohet përqendrimi i kontraktimit të drejtpërdrejtë. Me këtë kombinim, rrezikojmë të ndërtojmë një monopol të mbrojtur me ligj në një pjesë të rëndësishme të tregut të teknologjisë.
Pikërisht pas një skandali që ka ngritur dyshime për mbylljen dhe kontrollin e garës, shumica duhet të shpjegojë përse zgjidhja e saj krijon hapësira të reja për ta anashkaluar atë.
Problemi shkon përtej ADS-së.
Sipas Raportit të Komisionit Europian për vitin 2026, 23,5% e tenderëve të vitit 2025 u dhanë me një ofertues të vetëm. Në procedurat me vlerë të lartë, kjo shifër arriti në 29%. Ndërkohë, pesha në vlerë e procedurave të negociuara pa shpallje paraprake u rrit nga 0,4% në vitin 2024 në 2,8% në vitin 2025. Këta janë tregues që kërkojnë më shumë konkurrencë dhe mbikëqyrje.
Te AKSHI, të dhënat janë edhe më domethënëse. Sipas të dhënave të KPP-së, të raportuara nga BIRN, nga 94 tenderë të zhvilluar gjatë vitit 2025, 43 u ankimuan. Në 62,7% të ankimeve, kompanive ankuese iu dha e drejtë plotësisht ose pjesërisht. Procedurat e kundërshtuara kapnin një vlerë prej rreth 10,7 miliardë lekësh.
Këto shifra tregojnë sa rëndësi ka që kompanitë të kenë mundësi të konkurrojnë, të kundërshtojnë kriteret dhe të ankimojnë vendimmarrjen. Sa herë zgjerohet përjashtimi nga procedurat e zakonshme, duhet të shpjegohet çfarë ndodh me këto garanci.
Ndërkohë, përjashtimet vazhdojnë të shtohen. Komisioni Europian evidenton se regjimi i posaçëm për portet turistike, i miratuar në prill 2026, u jep privilegje shtesë investitorëve strategjikë dhe anashkalon procedurat standarde të prokurimit, duke ngritur shqetësime për transparencën dhe trajtimin e barabartë.
Këtë logjikë kemi kundërshtuar te ligjet speciale, te projekti i Portit të Durrësit, te Teatri Kombëtar dhe te administrimi i pronave publike përmes Korporatës së Investimeve: pushteti krijon një rrugë të posaçme për disa, ndërsa pjesa tjetër e sipërmarrjes duhet të përballet me të gjitha pengesat e tregut.
Pasojat i paguan e gjithë ekonomia.
Kur suksesi i një biznesi varet nga marrëdhënia me qeverinë, investimi në teknologji, cilësi dhe produktivitet humbet terren përballë investimit në lidhje politike. Kompania që punon ndershmërisht për të ofruar një shërbim më të mirë përballet me konkurrentin që ka siguruar aksesin te vendimmarrja.
Biznesi me shtetin bëhet rruga drejt fitimit të garantuar. Sipërmarrja që konkurron në treg mban rrezikun, paguan taksat dhe financon edhe privilegjet e të tjerëve.
Kur vritet gara, qytetari paguan dy herë: si taksapagues që financon kontratën dhe si konsumator që humbet çmime më të mira e shërbime më cilësore.
Lehtësia e padurueshme me të cilën kjo qeveri kufizon konkurrencën në ekonomi, njësoj si në politikë, po gërryen besimin se mund të ecësh përpara me punë, aftësi dhe një ofertë më të mirë.
E gjithë kjo ndodh ndërsa Shqipëria duhet të përmbushë detyrimet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Neni 71 trajton mbrojtjen e konkurrencës nga shtrembërimi, abuzimi me pozitën dominuese dhe ndihma shtetërore favorizuese. Neni 74 trajton hapjen e kontratave publike mbi bazën e mosdiskriminimit dhe reciprocitetit. Këto parime duhet të udhëheqin ligjet që miratojmë.
Prandaj kërkoj shfuqizimin e ligjit të investimeve strategjike dhe heqjen e privilegjeve që mbyllin tregun, përfshirë përjashtimet në sektorin e porteve. Shqipërisë i duhen rregulla të barabarta, kontrata transparente dhe mundësi reale për të konkurruar.
Një sistem që, pas çdo skandali, prodhon një përjashtim të ri po mbron mënyrën e vet të funksionimit.
Kush pret që gara të rikthehet nga ata që përfitojnë prej mungesës së saj, vetëm i zgjat agoninë këtij sistemi. Ndryshimi kërkon të çmontojmë privilegjet mbi të cilat është ndërtuar.
Lexo edhe
POLITIKE
Protesta e 28 nëntorit, pedagogu: Pritet të vijnë edhe të huaj për t’iu bashkuar studentëve

Spiropali reagon ashpër: “Jam si ato qenie mitologjike që po më preve një kokë, më dalin 7 të tjera”

Distafa: Një qytete është evropian, kur qytetari ka hapësirë për të jetuar

Takimi i Ramës me studentët, studentja: Fëmijë zyrtarësh dhe anëtarë të FRESSH-it

Xhixho: Pensionistëve u duhen mbi 100 vjet për të arritur fuqinë blerëse europiane





