Tabaku përballë komisioneres Kos: Integrimi në BE nuk mund të jetë fasadë për të mbrojtur korrupsionin

Në mbledhjen e Këshillit të Integrimit Evropian, ku e ftuar ishte komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, ngriti shqetësimet për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke u ndalur veçanërisht te korrupsioni, pavarësia e drejtësisë dhe rasti i ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Tabaku deklaroi se mazhoranca socialiste ka dobësuar kontrollin parlamentar dhe ka eliminuar hapësirën për diskutime të rëndësishme mbi integrimin evropian. Sipas saj, në Parlament flitet gjithnjë e më pak për këtë proces, ndërsa qeveria jep gjithnjë e më pak llogari.
Ajo theksoi se në Bruksel dhe në institucionet evropiane ngrihen shqetësime për pastrimin e parave në sektorin e ndërtimit dhe fusha të tjera, ndërsa këto çështje, sipas saj, nuk janë trajtuar sa duhet në Kuvend.
Duke iu referuar raportimeve dhe shqetësimeve të Komisionit Evropian për ndikimin politik mbi sistemin e drejtësisë, Tabaku përmendi edhe çështjen e Belinda Ballukut.
“KE konstaton përpjekje për ndikim politik ndaj drejtësisë, përfshirë edhe SPAK. Ka shqetësime për barazinë para ligjit pas refuzimit për arrestimin e ish-zëvendëskryeministres. Rasti i saj shkon përtej këtyre shqetësimeve, me akuza të reja për korrupsion dhe pastrim parash. Dosja e zëvendëskryeministres është dërguar për gjykim pa autorizimin e Parlamentit dhe pushteti i saj mbetet i paprekur”, deklaroi Tabaku.
Deputetja e opozitës kritikoi gjithashtu miratimin e ligjeve që, sipas saj, cenojnë Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Ajo përmendi edhe ligjin për investimet strategjike, duke theksuar se qeveria ishte angazhuar, me kërkesë të Komisionit Evropian, për shfuqizimin e tij.
Në vijim, Tabaku u ndal te situata politike në vend dhe protestat që po zhvillohen prej ditësh, duke i cilësuar kërkesat e protestuesve si një thirrje për më shumë Evropë, institucione të forta dhe sundim të ligjit.
"Ne kemi dërguar letra për këto shkelje dhe ju vini në një moment kur ka një protestë prej shumë ditësh, ku kërkohet më shumë Evropë, institucione të forta dhe sundim i ligjit. Për ne kjo është kërkesë për më shumë Evropë. Pas çdo pale zgjedhjesh kemi pasur më pak Evropë, më pak shtet të së drejtës dhe më shumë mbrojtje politike të korrupsionit”, u shpreh Tabaku.
Ajo paralajmëroi se procesi i integrimit evropian nuk duhet të përdoret si fasadë, ndërsa theksoi se shqetësimi i qytetarëve shqiptarë lidhet me rrezikun që përparimi drejt BE-së të mos shoqërohet me forcimin e institucioneve dhe zbatimin e barabartë të ligjit.
Lexo edhe
POLITIKE
“Hiqni lulen si simbol, vendosni shkopin e bejsbollit”, Zhupa kritika për PS-në, sulmon dhe Ballën: A e mban mend Taulant kur rrije mbi k...

PD: 7 vite pas tërmetit, Sako e ka kthyer rindërtimin në aferë, bonuset e qirasë janë ndërprerë

Tabaku: Kompetencat që i jepni Policisë e çojnë vendin në vitin 1991

Bardhi: PD kundërshton reformën territoriale në Gjykatën Kushtetuese, kërkon shfuqizimin dhe pezullimin e ligjit





