Vata: Rama braktis Klosin dhe Matin, miliarda për repartin ushtarak, zero lekë për spitalin

E ftuar në një lidhje me Skype në emisionin ‘Kafe Shqeto’ në Syri TV, deputetja e Partisë Demokratike, Denisa Vata, ka denoncuar buxhetin e qeverisë Rama për vitin 2027, duke e cilësuar si një goditje jo vetëm për Klosin, por edhe për bashkitë e tjera që preken nga reforma territoriale e socialistëve.
Vata akuzoi qeverinë se ka lënë pa asnjë investim të ri Bashkinë Klos, pavarësisht premtimeve për më shumë fonde pas shkrirjes së saj, ndërsa ngriti alarmin për mënyrën se si kryebashkiakët mund të shfrytëzojnë fondet publike.
Deputetja demokrate theksoi se, ndërkohë që qeveria ka vendosur miliarda lekë në dispozicion të një reparti ushtarak në Mat, për pajisjet mjekësore të spitalit të zonës janë parashikuar zero lekë.
Ajo tha se qytetarët vijojnë të përballen me mungesën e mjekëve specialistë dhe shërbimeve bazë shëndetësore, ndërsa prioritetet e qeverisë Rama mbeten larg nevojave reale të banorëve.
Pjesë nga intervista:
Ky buxhet nuk prek vetëm Klosin, por prek të gjithë reformën territoriale të Partisë Socialiste, sepse si Klosi janë edhe shumë bashki të tjera që nuk kanë asnjë përfitim nga ky buxhet.
Siç e dini tashmë, në dhjetor këshillat bashkiakë miratojnë buxhetet e bashkive dhe jam shumë e bindur që shumë kryetarë bashkish, që sot janë shkrirë me reformën e re territoriale, do të turren për ta shfrytëzuar këtë buxhet në maksimum. Dhe nuk e dimë a do ta shfrytëzojnë në favor të qytetarëve apo do ta shfrytëzojnë në favor të xhepit të tyre. Prandaj duhet një kujdes jashtëzakonisht i madh. Edhe këshilltarëve të djathtë u bëj thirrje, jo vetëm në Bashkinë Klos, por në çdo bashki tjetër ku janë, të kenë shumë kujdes me buxhetin që do të miratohet në këshillin bashkiak, sepse është një rrezik më vete.
Për sa i përket Klosit, unë nuk kam parë asnjë investim të ri në buxhetin e qeverisë, sepse, po i shkrin këto bashki, u premtuan më shumë të ardhura. Dy buxhete bashkë, të jemi më të fortë. Këto ishin dhe komentet e deputetëve socialistë dhe, po ta hapësh, nuk gjen asnjë investim të ri, përveç vazhdimësisë së disa investimeve të vjetra.
Gjithashtu, edhe në spitalin e Matit. Në Mat investohen 8.5 miliardë euro për repart ushtarak që ndodhet këtu, në një fshat të Matit, dhe për spitalin e Matit, për vitin 2027, ka zero lekë për pajisjet mjekësore. Ne nuk kemi kërkuar gaveta ushtrie, ne kemi kërkuar që të kemi spital më të mirë, të kemi mjekët që mungojnë, të kemi mjekë specialistë, sepse edhe gjinekologu këtu në Mat vjen me orare, sipas mundësisë që ka ai. Pra, një nënë nuk mund të lindë kur të jetë gjinekologu, por kjo është vetëm një pjesë. Pastaj ka mungesë mjekësh nga më të ndryshmit dhe prioriteti që ka pasur qeveria e Ramës ka qenë një repart ushtarak, 8.5 miliardë lekë.
Lexo edhe
POLITIKE
Binaj apo Alimehmeti?/ Këlliçi: Binaj u nxitua! Bushati: Më mirë Binaj sesa ai që rri mbrapa derës dhe pret...

‘Rama bën show në Berlin, Europa bashkëpunon me narkoshtetin’/ Nesho: BE ka humbur seriozitetin dhe rolin botëror

Abilekaj: Krimi i organizuar punon për pushtetin, jo për protestën. Policia dhe bandat janë në paqe

“Baba dhe mentor politik në rrugën time”, Spiropali për Ramën: Koha për reformim të thellë të PS-së, ka personalizim ekstrem të pushtetit...

Spiropali shpërthen ndaj Belinda Ballukut: Ajo është modeli më i keq i qeverisjes tonë





