Furtuna e paralajmëruar nga kryeministri Edi Rama në administratën shtetërore ka nisur të marrë formë konkrete. Pas ultimatumit për dorëheqjen e të gjithë drejtuesve të institucioneve të varësisë, ministrat kanë zhvilluar mbledhje urgjente me vartësit, duke u komunikuar kërkesën e kreut të qeverisë për largimin nga detyra.
Vox News ka mësuar detaje të reja nga operacioni i gjerë i ndryshimeve në administratë, i cili prek disa prej institucioneve më të rëndësishme të vendit, nga Tatimet dhe Doganat, te infrastruktura, energjetika, burgjet, prokurimet publike dhe agjencitë shtetërore.
Sipas informacioneve të siguruara nga Vox News, procesi i dorëheqjeve duhet të nisë zyrtarisht të premten, më 23 tetor, në orën 08:00 të mëngjesit, dhe të përfundojë plotësisht deri të hënën, më 26 tetor.
Ministri i Drejtësisë Toni Gogu mbledhje me vartësit, i kërkon dorëheqjen edhe drejtoreshës së sapoemëruar të Burgjeve
Një nga mbledhjet e para është zhvilluar në Ministrinë e Drejtësisë, ku rreth orës 15:00 ministri Toni Gogu ka thirrur drejtuesit e institucioneve në varësi, duke u komunikuar urdhrin e kryeministrit.
Në listën e drejtuesve të cilëve u është kërkuar dorëheqja është Besmir Kola, drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Provës, i cili u emërua në këtë funksion në korrik të këtij viti.
Kërkesa i është komunikuar edhe Ergys Qiricit, drejtorit të Përgjithshëm të Përmbarimit, si dhe Valdrin Pjetrit, i cili drejton Agjencinë e Trajtimit të Pronave (ATP).
Një tjetër emër në listë është Eduard Merkaj, kreu i Agjencisë së Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, institucioni që zëvendësoi ish-Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve.
Por rasti më i veçantë është ai i Sadleva Bodos, drejtoreshës së Përgjithshme të Burgjeve.
Bodo u emërua në këtë detyrë vetëm më 14 tetor, pas dorëheqjes së Adriatik Kupit. Megjithëse ka vetëm pak ditë në krye të institucionit, burimet konfirmojnë për Vox News se edhe asaj i është kërkuar me telefon që të paraqesë dorëheqjen. Fillimisht Bodo ka rezistuar duke thënë se sapo është emëruar në atë detyrë.
Kjo tregon se urdhri i Ramës nuk bën përjashtim as për drejtuesit e sapoemëruar, duke ngritur pikëpyetje mbi kriteret se këta persona janë emëruar me listë partiake dhe pa konkurs.
Mbledhja e orës 18:30 në Infrastrukturë, ikin drejtuesit e Albpetrol, ARRSH, OST, KESH dhe Albcontrol
Një tjetër mbledhje është zhvilluar në orën 18:30 në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, ku ministri Enea Karakaçi u ka komunikuar drejtuesve të institucioneve dhe kompanive publike kërkesën për dorëheqje.
Mes emrave që preken është Eltar Deda, administrator i kompanisë shtetërore të naftës Albpetrol që prej tetorit të vitit 2022.
Në listë është edhe Ami Kozeli, drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), institucion i akuzuar për një seri skandalesh korruptive që kanë prekur dhe zyrtarët më të lartë shtetëror si dhe biznesmenë të fuqishëm. Një pjesë e dosjeve të ARRSH po hetohen nga SPAK.
Kërkesa për dorëheqje prek gjithashtu drejtuesit e dy kompanive kryesore publike të sektorit elektroenergjetik.
Bëhet fjalë për Elisian Bicin, administratorin e Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST), si dhe Viola Haxhiademin, e cila mori drejtimin e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) në dhjetor të vitit 2025. Kjo e fundit është nën hetim për dosjen Balluku.
Në këtë valë largimesh përfshihet edhe Ergys Verdho, administratori i Hekurudhës Shqiptare, i cili më parë ka drejtuar si ARRSH-në, ashtu edhe KESH-in. Edhe ky është nën hetim për dosjen Balluku.
Një tjetër drejtues që pritet të paraqesë dorëheqjen është Dritan Isaku, drejtori i Përgjithshëm i Albcontrol, entit publik që ofron shërbimet e navigimit ajror në hapësirën shqiptare.
Përfshirja e këtyre emrave tregon se kërkesa për largime nuk është kufizuar te drejtoritë klasike të administratës, por është shtrirë edhe te kompanitë shtetërore që administrojnë sektorë strategjikë të ekonomisë.
Nga Silda Anagnosti Çepe te Jonaid Myzyri dhe Ervin Koçi, largime edhe në institucionet e tjera
Vala e dorëheqjeve prek edhe drejtues të institucioneve të rëndësishme jashtë sektorit të energjisë.
Mes tyre është Silda Anagnosti Çepe, administratorja e kompanisë shtetërore IdentiTek, e cila është përgjegjëse për prodhimin e dokumenteve biometrike të identifikimit. IdentiTek është në pronësi të Ministrisë së Brendshme.
Në listën e largimeve është edhe Jonaid Myzyri, administrator i Operatorit të Blerjeve të Përqendruara, një institucion i akuzuar si kupola e abuzimeve me tendera.
Myzyri mori këtë detyrë në qershor 2026, pas dorëheqjes së Arlinda Pogajt. Më parë ai ka drejtuar Komisionin e Prokurimit Publik dhe ka qenë nën hetim nga SPAK.
Një tjetër emër është Ervin Koçi, drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës Financiare, institucioni përgjegjës për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Koçi e mban këtë funksion prej shtatorit të vitit 2022, dhe është përfolur për goditje selektive tek institucioni që drejton.
Nga AIDA te AZHBR dhe AKM, kërkesa për dorëheqje prek edhe drejtueset e tri agjencive
Burimet e Vox News bëjnë me dije se kërkesa për dorëheqje është shtrirë edhe në agjencitë që mbulojnë investimet, zhvillimin rural dhe mjedisin.
Në listë është Laura Plaku Saro, drejtoresha ekzekutive e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), institucion që merret me promovimin dhe mbështetjen e investimeve vendase e të huaja.
Një tjetër emër është Ardita Kuçi, drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR), e cila mori drejtimin e institucionit në shtator 2024.
AZHBR është një nga institucionet më të përfolura për skandale me fondet e fermerëve. Për këtë ka reaguar dhe Bashkimi Europian me ndërprerjen e fondeve mbështetëse IPARD.
Kërkesa për dorëheqje prek gjithashtu Marjeta Përlalën, drejtoreshën e Përgjithshme të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM), e emëruar në këtë funksion me vendim të Këshillit të Ministrave më 15 janar 2026.
Tatimet, Doganat dhe QKB, tre emra të tjerë në listën e dorëheqjeve
Ndryshimet shtrihen edhe në institucionet që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me financat publike dhe aktivitetin e bizneseve.
Sipas informacioneve të Vox News, dorëheqja është kërkuar edhe për Besmir Bejën, drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, i cili mori detyrën më 2 shkurt të këtij viti, duke zëvendësuar kokën e korrupsionit, Gent Gazhelin.
Në listë është edhe Ilir Binaj, drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, i cili e drejton administratën tatimore prej tetorit të vitit 2024.
Ndërsa një tjetër drejtues që pritet të largohet është Etugert Llazi, drejtori i Përgjithshëm i Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB), institucion në varësi të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit.
Sipas burimeve të Vox News, deri në këto momente asnjë prej drejtuesve të cilëve u është komunikuar kërkesa nuk ka shfaqur rezistencë.
Të gjithë kanë konfirmuar marrjen e urdhrit të përcjellë nga ministrat përkatës dhe gatishmërinë për të ndjekur procedurën e dorëheqjes.
Procesi duhet të nisë të premten, në orën 08:00, dhe të përfundojë deri të hënën, kur pritet të jenë dorëzuar të gjitha dorëheqjet e kërkuara.
Artikuj te sugjeruar
AKTUALITET
22 Tetor22:18
Të shoqëruar, të arrestuar e të lënduar nga protestat! Avokati i Popullit mbledh prova në komisariate, spitale e rrjete sociale
Avokati i Popullit po vijon monitorimin në terren të pasojave të protestave, përmes vizitave në komisariate, në Bllokun e Siguris&...
AKTUALITET
22 Tetor21:41
“Protestuesit u dhunuan barbarisht, PS u mbrojt nga bandë paramilitare”/ Klodiana Lala debat me zv.ministren e Brendshme: Kërkoni ndjesë!
Gazetarja Klodiana Lala është përfshirë në një debat me zëvendësministren e Brendshme, Silva Caka, lidhur me mënyr&...
AKTUALITET
22 Tetor21:13
Denoncimi i aktorit: Ata që thyenin dyqanet te "Rruga e Durrësit" nuk flisnin shqip me njëri-tjetrin
Aktori Laert Vasili pretendon se protestuesit që kanë kryer akte dhune dhe vandalizmi në "Rrugën e Durrësit" nuk flisnin shqip me nj&eu...
AKTUALITET
22 Tetor21:10
Tensione pranë Kuvendit, FNSH përdor autobotin e ujit për të shpërndarë të rinjtë
Protesta që gjatë ditës ishte zhvilluar e qetë është shoqëruar me tensione në orët e mbrëmjes, Kuvendit. Forca...
AKTUALITET
22 Tetor20:56
“15-vjeçari u dhunua nga policia kur po hante bukë”/ Gazetari: U zhbë propaganda e terrorit. Protesta ka vrarë frikën
Gazetari Klevin Muka, në një intervistë për News24, denoncoi dhunën policore gjatë protestave 10-ditore të studentëve.
...
AKTUALITET
22 Tetor20:54
Tensione në protesë/ Policia hedh ujë me presion në drejtim të protestuesve
Tensione në protestë. Policia po vazhdon veprimet për të shpërndarë protestuesit, që gjenden në bulevardin “Dë...
AKTUALITET
22 Tetor20:37
Studenti protestues: Rama na ofendon prej 140 ditësh! Nuk ka dialog me një dhunues fëmijësh
Studenti protestues Visar Martinaj ka folur për dhjetë ditët e fundit të protestave kundër qeverisë, duke denoncuar dhunën e ...
AKTUALITET
22 Tetor19:48
"Largoni fëmijët nga rruga"/ Protestuesit hedhin kapsolla drej efektivëve, ata përgjigjen me autobotin e ujit
Protesta në Tiranë vijon prej ditësh të shfaqet me tensione të ashpra. Gjatë tubimit të sotëm, protestuesit kanë da...
AKTUALITET
22 Tetor19:40
Telashe të reja për Ron Yeffet/ Tomorri: Mori para për një kullë që s’u ndërtua, çështja në gjyq. Yeffet ortak i Ramës
Gazetari Klodian Tomorri ka ngritur pikëpyetje për biznesmenin Ron Yeffet të ‘Timak’ i cili është i Edi Ramës dhe qeve...
AKTUALITET
22 Tetor19:33
Një shqiptar i dyshuar për shpërthimin në Athinë që la 4 të plagosur
Një shqiptar me precedentë penalë është i dyshuari kryesor për shpërthimin e ndodhur mesditën e së mërkurë...