Në vështirësi financiare, 40-vjeçari shqiptar kryen grabitjen dhe arratiset! Rrugës kupton gabimin me celularin, por ishte tepër vonë

Sapo i kishte shkëputur një varëse nga qafa e një gruaje dhe ishte larguar me një SUV me ngjyrë të errët, por, në nxitim e sipër, i kishte rënë telefoni në rrugë. Pak më vonë e kishte kuptuar dhe ishte kthyer për ta kërkuar së bashku me një mik. Por ishte tepër vonë; telefoni ishte gjetur tashmë nga policia dhe vazhdonte të binte, duke i çuar hetuesit e skuadrës së patrullimit të policisë te gjurmët e pronarit të tij.
Ky gabim çoi në arrestimin e një 40-vjeçari shqiptar, nën akuzën për grabitje dhe plagosje, për një ngjarje të ndodhur të hënën e kaluar në Case Bruciate. Dje në mëngjes u zhvillua seanca e vleftësimit të arrestit para gjyqtarit për hetimet paraprake. Burri, i mbrojtur nga avokatja e caktuar kryesisht Silvia Pezzolesi, u mor në pyetje, pranoi ngjarjen dhe kërkoi falje. Gjyqtari vleftësoi arrestimin dhe caktoi masën e arrestit në shtëpi, duke e autorizuar atë të dalë për të shkuar në punë.
Ngjarja
Gjithçka kishte nisur në orët e darkës. Një grua pak më shumë se 60 vjeçe, banuese në zonë, kishte dalë për të hedhur mbeturinat. Burri iu afrua dhe i shkëputi me forcë varësen që mbante në qafë. Gruaja u rrëzua përtokë dhe pësoi dëmtime, të cilat u vlerësuan se do të shëroheshin brenda dhjetë ditësh. E frikësuar dhe e lënduar, ajo arriti menjëherë të telefononte numrin e emergjencës 112 dhe t'u tregonte policëve çfarë kishte ndodhur, përfshirë faktin se kishte parë autorin të largohej me një SUV të errët.
Pak para se të hipte në automjet, nga xhepat e grabitësit kishte rënë telefoni celular. Kur efektivët e patrullës mbërritën në vendngjarje, telefoni nisi të binte pa pushim. Hetuesit arritën të identifikonin numrin nga i cili vinin telefonatat dhe, në të njëjtën kohë, vunë re një automjet tjetër që qarkullonte në zonë.
Në timon ishte pikërisht personi që po telefononte, ndërsa në sediljen e pasagjerit ndodhej pronari i telefonit. Drejtuesi i automjetit rezultoi të mos kishte lidhje me grabitjen.
Pas grabitjes, 40-vjeçari kishte shkuar në një sallë lojërash, ku kishte kuptuar se kishte humbur telefonin. Atje kishte takuar një mik dhe i kërkoi ndihmë për ta gjetur. Të dy hipën në makinën e mikut dhe u kthyen drejt Case Bruciate.
Ndërsa kontrollonin zonën në kërkim të telefonit të humbur, ata e telefononin vazhdimisht, me shpresën se do ta dëgjonin duke rënë. Por në atë moment telefoni ndodhej në duart e policëve.
Miku u mor në pyetje nga hetuesit dhe shpjegoi pse ndodhej në atë zonë dhe përse po telefononte atë numër. Ai nuk rezultoi i përfshirë në grabitje.
Hetimet më pas i çuan policët te SUV-i që ishte përdorur pak më herët nga i dyshuari dhe që ishte parkuar në një vend tjetër. Brenda automjetit ata gjetën varësen që i ishte shkëputur gruas. Kjo i ndihmoi hetuesit të plotësonin tablonë e ngjarjes.
40-vjeçari nuk kishte precedentë penalë, punonte si punëtor me kontratë të përhershme dhe kishte familje. Deri në atë moment, jeta e tij nuk kishte pasur përplasje me drejtësinë. Megjithatë, së fundmi ai dyshohet se kishte pasur disa vështirësi, të lidhura kryesisht me frekuentimin e sallave të lojërave të fatit. /PiranjatNews/
Lexo edhe
AKTUALITET
Protesta kundër qeverisë/ Nis marshimi drejt Kryeministrisë: Shitet qeveria, jo Shqipëria

Priti 41 kg drogë nga Kanadaja, 46-vjeçari shqiptar hesht në gjykatë

Zgjidhet anëtari tjetër i KLGJ-së nga radhët e Apelit

“Pse më sheh?”/ Reperi nga Tropoja goditi me thikë, babai i të plagosurit qëlloi me armë! Zbardhet plagosja e kosovarit tek "Zogu i Zi"...

Vota kokë më kokë! Zgjidhet me short anëtari i ri i KLGJ-së nga radhët e Gjykatës së Lartë





