INVESTIGIME

“Prania besnike”/ Një strategji djallëzore për të eliminuar praktikat institucionale

Piranjat Përditësimi i fundit 2 Tetor 2026, 21:05
“Prania besnike”/ Një strategji djallëzore për

Mijëra qytetarë nga i gjithë vendi kanë muaj që protestojnë në rrugët dhe sheshet e Tiranës, në atë që u quajt revolucioni Flamingo. Duke parë përmasat e protestave që po sjellin një situatë politike, ndoshta më e vështira gjatë qeverisjes së tij, kryeministri Rama bëri një hap pas dhe po tenton një qasje të re me qytetarët me të ashtuquajturën prania Besnike.

Në këtë nismë kryeministrore, pas fjalës Besa, fshihet një akronim i katër fjalëve:

B- Besim

E- Empati

S- Shërbim

A- Angazhim

Po sa të vërteta janë këto premtime?

Disa mund të zgjedhin t’i besojnë e disa jo, por ajo që ne duam të tregojmë sot është vullneti që ka qeveria për të mirëadministruar paratë e shqiptarëve dhe format që po përdoren për të mos u përballur me ligjin. Prej vitesh puna e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pasur subjekt të hetimit zyrtarë të lartë, të cilët janë të dyshuar për korrupsion dhe shkelje të barazisë në tendera.

Vepra penale e shkeljes së barazisë në tendera parashikon një dënim nga 1 deri në 5 vite burg dhe, në rastin kur ajo kryhet në grup të organizuar ose nga zyrtarë të lartë, si kompetencë hetimet i takojnë SPAK. (https://qbz.gov.al/previee/a2b117e6-69b2-4355-aa49-78967c31bf4d neni 258)

Tani le të bëhemi më konkretë.

Akuza për ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku lidhej me veprën penale të barazisë në tendera, akuzat për ish-drejtuesit e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit në aferën e njohur me emrin AKSHI lidheshin sërish me këtë vepër. Gjithashtu, afera e tenderave e rrugëve që prangosi drejtuesin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, e në fund edhe afera 5D Konstruksion e ish-drejtorëve të Bashkisë Tiranë, të cilët i jepnin tendera kompanisë së hapur nga ata vetë.

Por më mirë le të shpjegojmë në mënyrën më të thjeshtë rastet se kur shkelet barazia në tendera.

Fillimisht duhet të sqarojmë se çdo para, mall, shërbim, ofertë, pjesëmarrje në kapital, tokë apo aset publik, në bazë të Kushtetutës së vendit, Ligjit të Prokurimit Publik dhe akteve ligjore zbatuese të tyre, i nënshtrohet procesit të garës. Në disa raste tender, në raste të tjera ankand ose thirrje për të shprehur interes. Të gjitha procedurat kanë një bazë ligjore ku përcaktohen afatet, si llogaritet fondi, vlera e mallit, studimi i tregut dhe shumë etapa rigoroze.

Më pas, një komision me ekspertë vendos se çfarë kushtesh duhet të plotësojnë operatorët ekonomikë që kualifikohen për kontratën e kërkuar, sa duhet të jetë përvoja e tyre, çfarë cilësie ofrojnë.

Më pas hapet gara dhe mes konkurrentëve që përmbushin kriteret dhe kualifikohen, përzgjidhet oferta më e mirë ekonomike me qëllim kursimin e parave të taksapaguesve.

Ky ishte një sqarim se si duhet të funksionojnë normalisht procedurat. Sepse, si funksionojnë realisht, ky është një tjetër diskutim.

Sepse, në shumicën e rasteve, fituesi është paracaktuar dhe kriteret janë vendosur me porosi për t’iu përshtatur vetëm një konkurrenti. Siç ka ndodhur në aferën e AKSHI-t.Apo kur të tjerë operatorë janë skualifikuar pa arsye për të përzgjedhur atë që është dhënë porosia nga lart. Si në dosjen e drejtorëve të Bashkisë Tiranë, 5D Konstruksion. Ose kur gara është anuluar sepse ishte dhënë një ofertë më e ulët nga një tjetër ofertues që përmbushte kriteret dhe fituesi nuk duhet të ishte ai, rasti i tunelit të Llogarasë.

Sot shumë zyrtarë të lartë dhe ish-zyrtarë po përballen me akuzën e shkeljes së barazisë në tendera, e cila, ndryshe nga ajo e korrupsionit, ka punë hetimore më të thjeshtë: sekuestrim të dokumentacionit pranë institucionit që ka zhvilluar garën, verifikim të ofertave dhe, nëse ka indicie, atëherë kalohet në fazën e sekuestrimit dhe kontrollit të telefonave, zyrave e banesave. Dhe shembuj të tillë kemi plot, të freskët madje.

Natyrisht, kjo vëmendje e shtuar e organeve hetimore ndaj procedurave të tenderave ka frikësuar punonjësit e administratës, aq sa shumë prej tyre refuzojnë të hedhin firmën në procedura të kontestuara. Por edhe këtu, për t’iu shmangur përballjes me ligjin, një zgjidhje është gjetur dhe Shqipëria, një vend që aspiron për të hyrë në Bashkimin Europian, mund të jetë i vetmi që ka themeluar dhe po zhvillon modelin e kompanive guaskë në sektorin publik!

Për ata që s’e dinë, guaskë janë kompanitë të cilat zotërohen nga firma të tjera, që kanë pronar shoqëri të tjera dhe përbëjnë një zinxhir të gjatë ndërmarrjesh me qëllim fshehjen e transaksioneve dhe pronarëve. Por tek ne qëllimi nuk është fshehja e pronarëve, por shmangia e transparencës, rregullave dhe ligjeve që diktojnë mirëadministrimin e parave publike dhe interesave të qytetarëve. Pagesat që institucionet publike kryejnë kanë si detyrim zbatimin e rregullave të thesarit të shtetit për ekzekutimin e urdhërshpenzimeve. Çdo pagesë që kalon nga thesari për llogari të një subjekti botohet në faqen zyrtare të Ministrisë së Financave.

Lista mund të aksesohet nga çdo qytetar apo gazetar, duke rritur kështu transparencën dhe llogaridhënien e institucioneve publike.

Por ka dhe përjashtime. Ndërmarrjet publike, edhe pse janë në pronësi të shtetit, nuk ekzekutojnë pagesat përmes thesarit. Në këtë rast askush nuk di se kush merr një pagesë për një mall apo shërbim të kryer ose të pakryer.

Ligji për Prokurimin Publik njeh detyrimin për t’iu nënshtruar rregullave të prokurimit çdo institucioni, përfshirë dhe kompanitë publike, por sërish edhe në këtë rast ka një kufizim: ndërmarrjet të cilat zotërohen në shumicë nga shteti.

I njëjti rregull vlen dhe për ushtrimin e auditimeve nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, kontrollohen kompanitë ku pjesëmarrja e shtetit është mbi 50%.

Edhe këtu u gjet zgjidhja. Sepse, për të shmangur transparencën në pagesa, kontrollin nga institucionet e pavarura dhe eliminimin e garës, vitet e fundit në shumë sektorë publikë po shtohen si kërpudhat kompanitë publike.

Rasti i parë ishte ai i kompanisë ajrore Air Albania, ku shteti ishte pjesëmarrës me 15% të aksioneve përmes kompanisë publike Albcontrol. Mënyra e përzgjedhjes së aksionerëve në këtë shoqëri, pa hapur një garë për të dhënë ofertë, u kontestua nga institucionet e Bashkimit Europian. (https://eee.europarl.europa.eu/doceo/document/P-8-2019-000843_eN.html)

Sot askush nuk po flet për atë që po ndodh në mënyrë masive, sidomos pasi është e provuar se Air Albania jo vetëm që nuk ishte sukses, por shërbeu si një maskim për të ofruar udhëtimet me charter të kryeministrit.

Praktika më pas vazhdoi me themelimin e kompanisë Durrës Marina, ku shteti shqiptar ka 33% të aksioneve, por askush nuk e auditon, nuk kontrollon pagesat që shkojnë nga buxheti dhe as nuk i nënshtrohet rregullave të prokurimit publik, edhe pse godinat po ndërtohen mbi tokë dhe asete publike.

Një rast tjetër është ai i kompanisë Albtrace & Co, e themeluar me qëllim prodhimin dhe shpërndarjen e pullave fiskale pas përfundimit të kontratës koncesionare me kompaninë Sicpa. Firma zotërohet 51% nga Shtypshkronja e Letrave me Vlerë – kompani publike – dhe 49% e aksioneve janë në pronësi të O&S Security and Solution.

Nëse do të shohim fitimin që ka pasur dikur kompania koncesionare, rreth 2 milionë euro në vit, tashmë ky fitim nga shitja e pullave nuk do t’i transferohet shtetit, por do të ndahet përgjysmë me një firmë me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Albtrace & Co do të përfitojë dhe një tjetër shërbim, atë të monitorimit të cilësisë së karburanteve, dikur një shërbim që ofrohej me koncesion e që u kushtoi qytetarëve dhjetëra milionë euro të paguara në çmimin e naftës.

Por jo vetëm kaq, sepse kjo kompani është ngarkuar së fundi me projektimin dhe zbatimin e operimit dhe mirëmbajtjes së sistemeve elektronike të shoqërisë publike që prodhon pasaportat, Identitek.

(https://qbz.gov.al/eli/vendim/2026/09/01/657/5aa37d5d-a744-407d-9d23-0bc56048a132)

E gjitha me vendim qeverie!

Pra, treg me vendim qeverie!

Ky është një nga rastet tipike kur, në vend të garës që të zgjidhet cilësia dhe çmimi më i lirë, shteti përcakton furnitorin, pa kërkuar asnjë kriter konkurrues. Edhe në rastin e themelimit të kompanisë Albanian Digital Solution, që do të kryejë funksionin që dikur ofronte AKSHI për shërbimet në fushën e teknologjisë së informacionit, është themeluar një shoqëri publike. Madje ndryshimet ligjore të disa muajve më parë lejojnë që kompania të krijojë partneritet deri në 49% të aksioneve me një firmë private, pa pasur nevojë për të zhvilluar garë.

Ndërkaq, më e rëndësishmja te kjo skemë është ajo që ndodh faktikisht. Shoqëria publike nuk ka ekspertizë në ofrimin e shërbimeve të qeverisjes digjitale, por ato i kontrakton nga palë private. Pra, janë të njëjtët operatorë që dikur ofronin shërbimet AKSHI-t me çmime të fryra. Asgjë nuk ka ndryshuar, me përjashtim që tashmë pagesat, shtesat e kontratave dhe transaksionet e parave nuk shihen në sistemin e thesarit! Kjo po, që është prani besnike.

Kjo filozofi u përsos edhe më shumë te firma publike për prodhimin e mjeteve dhe materialeve ushtarake Kayo. Kjo kompani e krijuar me ligj të veçantë është 100% në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes dhe pagesat nuk do të kalojnë përmes thesarit, por e ka të detyrueshme t’i nënshtrohet procedurave të prokurimit publik dhe auditimeve të KLSH-së. Por tani shihni se ku fshihet truku: Që prej krijimit e deri më sot Kayo ka bashkëthemeluar 4 kompani të tjera, të cilat do të ofrojnë shërbime në fushën e prodhimit të materialeve ushtarake.

Timak Defence, në fushën e prodhimit të mjeteve motorike ushtarake, zotërohet në masën 20% nga Kayo dhe 80% nga firma Timak, në pronësi të Arjeta Puçes dhe Ron Yeffet.

Amerikano-izraeliti që doli në përgjimet e fundit, ku përmendet edhe ministri aktual i Mbrojtjes, Ermal Nufi.

Një tjetër firmë është Guna Tactical, për prodhimin e uniformave të ushtrisë. Pronësia te kjo firmë është në masën 49% e Kayo dhe 51% e MSSC Group, në pronësi të Emiljano Dushes. Kayo ka bashkëthemeluar dhe kompaninë M.K.D. (Myslym Keta Defence), me të njëjtin ortak, në fushën e tregtimit të municioneve të kalibrave të vegjël dhe të mesëm, ku sërish ka pjesën e aksioneve të pakicës, 20%.

ADVANCED ARMS TECHNOLOGY ka si objekt prodhimin, montimin dhe tregtimin e armëve. 20% e aksioneve zotërohen nga Kayo dhe 80% nga Uno 18, firmë në pronësi të Ron Yeffet. Të gjitha këto firma që përmendëm nuk detyrohen t’i nënshtrohen rregullave të prokurimit, sepse vetë ortakët e tyre i urrejnë tenderat, siç shprehet në audiopërgjim Yeffet, kur thotë që unë shkoj në ato vende ku nuk ka garë.

E gjithë skema është bërë me negocim të drejtpërdrejtë, duke anashkaluar garën, edhe pse mund të kishte ndonjë kompani më të madhe dhe me përvojë më të gjatë që mund të jepte ofertë më të mirë në këtë fushë ose që mund të ofronte të merrte paketë aksionesh më të vogël.

Një filozofi e qartë, për të krijuar kompani publike për furnizime me mallra e shërbime, duke shmangur garën, e cila tashmë po diktohet dhe me ligj. Si në rastin e projektligjit për Operatorin Kombëtar të Barnave, të nxjerrë për konsultim publik nga qeveria dhe që pritet të miratohet nga Kuvendi. Kompania do të furnizojë spitalet me barnat, jo sepse do të jetë prodhuese e tyre, por se do t’i blejë në treg pa garë, me kontratë të drejtpërdrejtë me kompaninë që do të përzgjedhë ajo. Pra, pa tender.

I gjithë modeli i krijuar është për të shmangur përgjegjësinë penale që rrjedh nga neni 258 i Kodit Penal “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”!

Praktikisht, kjo filozofi që po zë vend sot në praktikën institucionale për të bërë përzgjedhjen e operatorit që do të japë një shërbim apo mall pa garë dhe në mënyrë të paracaktuar, eliminon përgjegjësinë penale, duke shfrytëzuar hapësirën ligjore që i njihet Këshillit të Ministrave dhe Parlamentit për të autorizuar entet publike që të negociojnë kontrata pa garë apo për të bashkëthemeluar kompani në raste të veçanta.

Ndaj, për ta sqaruar njëherë e mirë, Besa që po ofrohet sot është eliminimi i çdo praktike institucionale që garantonte një treg të lirë për operatorët privatë dhe kursente paratë e qytetarëve, por këtë radhë me ligj, duke minuar kështu dhe hetimin që mund të kryejnë në të ardhmen autoritetet e drejtësisë!

A nuk është ky një shkak madhor për të protestuar?/piranjat.al

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Piranjat.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Piranjat.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi

 

 

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 3

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 3

Shantazh në emër të dashurisë, 40-vjeçari terrorizon gruan e martuar.

Faturat e avokatit. Si u zhdukën mijëra euro pa bërë asnjë punë?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Saranda e fëmijërisë sime, sot mes plumbave

Nga mësuese filloreje në drejtoreshë gjimnazi. Historia që na vjen nga Ishmi i Durrësit.

Rilindësit me plagjiaturë / Piranjat kapin ish-ministren e Arsimit. Si do të justifikohet ajo?

Prania besnike, një strategji djallëzore për të eliminuar praktikat institucionale.

Fshije videon! Mos shkatërro një jetë.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 2

Nga burgu në arrest shtëpie: Eduard Limaj rikthehet te përndjekja e grave!

Haris Vongli: Dua të kthehem në Shqipëri për Davidin, tim bir.

Fyerje ndaj nxënësve, ngacmime e shkelje rregulloreje: Kush është nëndrejtori problematik?

Institucionet në shërbim të krimit: Pse hesht kryeministri për skandalet?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Porti i Durrësit po mbyllet, investimet në infrastrukturë vazhdojnë. Cili është justifikimi i APD?

Skandali me doktoraturën e Taulant Ballës: Piranjat zbulojnë mashtrimin!

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 1

“Dua 120 mijë euro”/ Si u zaptua prona në rrugën e Durrësit, zbardhet skema e mashtrimit

Tmerri i 40-vjeçares / Si u shndërrua njohja e re në përndjekje, shantazh dhe denigrim në rrjet

Pesë muaj pa të birin/ Nëna kërkon zbatimin e vendimit të gjykatës

TEC-et lundruese dhe mbetjet e rrezikshme/ KESH paguan edhe për trajtimin e mbetjeve të “Tigrave”

Liria nuk burgoset, as në Hagë, as në Beograd

“Ministrja kopjace”/ Klodiana Spahiu në krye të Shëndetësisë, punimi i diplomës rezulton plagjiaturë

“Nuk duam të ikim nga Shqipëria, por nga ju”/ Monologu i një brezi që nuk ju ka frikë

Flamingot që “zgjuan” një popull kundër qeverisë/ Revolta më e madhe qytetare në 30 vite

E premte | ? 20:45 | ???? Syri TV

Çdo të premte | ? 20:45 | ???? Syri TV

Si u tentua të shantazhohej me 100 mijë euro shefi i kabinetit të Përparim Ramës përmes mediave

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë

A ka Shqipëria një Nicola Gratteri?

Katër nëna në kërkim të fëmijeve/ Bisedat që zbuluan rrjetin e errët

Flamur Gjuzi, i dënuar për"shpërdorim detyre" sot drejtor i Policisë Bashkiake, sërish shkel ligjin?

Pallatet u zhytën“Durrës Marina" dhe Autoriteti Portual bëjnë veprimin e papritur përballë skandalit

Ekskluzive/ Nicola Gratteri çmonton skemën e pastrimit të parave të ndërtimit në Tiranë

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 15

Enkel Demi duke luftuar paragjykimet për shqiptarët. (kamera e fshehtë)

Milva Ekonomi i firmosi miliona euro Vilma Nushit, kjo e fundit i investoi te kulla e Ervin Matës

Ajo çfarë mund të na mësojë Kosova.

Laboratorë “copy-paste”/ I njëjti mjek firmos analiza në disa pika, skema që ngre pikëpyetje

Rrjeti i ‘errët’ i vajzave të zhdukura! Bisedat tronditëse si funksiononte grupi.

Bleu 300 m2 tokë në vitin 2004, kthehet nga emigrimi dhe gjen aty vilë 3-katëshe.

“Na detyruan nga Dubai”/ Konstruktori i Durrës Marina zbulon pse u zhytën pallatet

Drejtori që tregon sjellje të pahijshme me nxënësen: Jam i fortë edhe në parti

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 14

Turisti zemërgjerë nga Italia dhe patatinat falas

Aksidentet “pushtojnë” oborrin e familjes në Klos, banori: Një ditë do ndodhë tragjedi

Lidhja jashtëmartesore që përfundoi në makth /32-vjeçarja rrëfen shantazhin me video intime

Sherr në terminalin e Peshkopisë, shoferi: Mos më vidh pasagjerët! Shko ha bukë te pjesa jote