“2200 euro për person, kesh çdo ditë”/ Zbulohet skema si grupet kriminale rekrutojnë shoferët për transportin e emigrantëve ilegalë

Një rrjet i organizuar që vepron përtej kufijve dhe që dyshohet se përfiton shuma të konsiderueshme nga trafikimi i emigrantëve të parregullt.
Në një investigim të ri, “Piranjat News” kanë ndjekur gjurmët e një skeme të dyshuar të trafikimit të emigrantëve nga vendet e treta drejt Europës, duke arritur deri te personat që pretendojnë se organizojnë transportin dhe sigurojnë kalimin e tyre.
Bisedat e zhvilluara gjatë investigimit zbulojnë mënyrën se si rekrutohen shoferët, tarifat që kërkohen për çdo emigrant dhe kontaktet që, sipas personave të përfshirë në biseda, shërbejnë për koordinimin e lëvizjeve nga Turqia drejt Greqisë dhe më tej.
Mes dëshmive të mbledhura janë edhe komunikimet me dy persona që prezantohen si pjesë e kësaj skeme. Njëri përdor pseudonimin “Beni”, ndërsa tjetri njihet si “Klodi”.
Personi i dytë, i njohur si Klodi, paraqitej si organizator i transportit. Ai merrej me gjetjen e emigrantëve, pagesat dhe kontaktet me grupe në Turqi.
Emigrantët që përmenden vijnë kryesisht nga Siria, Afganistani, Iraku, Bangladeshi dhe vende të tjera aziatike. Sipas informacioneve të grumbulluara, rruga e tyre kalon nga Turqia në Greqi, më pas në Shqipëri dhe drejt kufirit me Malin e Zi, me synim vendet e Bashkimit Evropian.
Më poshtë janë pjesë nga bisedat e zhvilluara me të dy personat.
Biseda me "Benin"
Gazetari: Çfarë pune është, transport “bore” (drogë) apo njerëz? Interesohem.
Përgjigja e trafikantit (Beni):
Shkruaj në këtë numër në WhatsApp: +30 697 224 4552.
Thuaji që të dha Beni për shofer. Puna është ilegale me emigrantë sirianë.
Biseda me Klodin
Gazetari: "Si kalon? Mirë? Sa paguani për transportin nga Edirne deri në Selanik? 15 mijë në muaj? A është transport me sirianë apo çfarë pune është?"
Përgjigja e trafikantit (Klodi):
“Puna është transport njerëzish pa dokumente.
Pagesa është 2200 euro për person.
Domethënë:
– 5 persona në makinë → 11 000 euro pagesë për 1 ditë (një rrugë)
– 6 persona në makinë → 12 200 euro në ditë
Nëse përdoret makina jote, pagesa është 3300 euro për person.
Pagesa bëhet çdo ditë cash në dorë. Të gjitha shpenzimet mbulohen në Greqi.
Puna është brenda Greqisë, nuk ka kalime nëpër dogana. Rruga është nga qyteti A në qytetin B, brenda vendit. Nëse je i interesuar të fillosh punë me ne hajde që nesër, më thuaj, kemi punë plotë, njerëzit i gjej unë dhe çunat."


Në Shqipëri, policia ka goditur disa raste të ngjashme gjatë muajit shtator 2026. Në Shkodër u arrestua një 39-vjeçar i cili po transportonte 16 emigrantë (nga Afganistani, Somalia dhe Bangladeshi) drejt kufirit me Malin e Zi. Operacione të tjera janë kryer në zonën e Korçës, Gramshit dhe Sarandës, ku janë kapur shoferë dhe automjete të përdorura për transportin e emigrantëve të paligjshëm.
Sipas informacioneve të grumbulluara, Beni merrej kryesisht me gjetjen e shoferëve, ndërsa Klodi me organizimin e transportit dhe kontaktet me grupet që sillnin emigrantët nga Turqia.
Përfshirja në këtë aktivitet është e paligjshme sipas legjislacionit shqiptar dhe grek. Personat që pranojnë oferta të tilla rrezikojnë arrestim, sekuestrim të mjetit, dënime penale dhe procedime për ndihmë në kalimin e paligjshëm të kufirit.
Autoritetet këshillojnë qytetarët të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm me oferta të tilla, veçanërisht kur premtohen pagesa shumë të larta në cash dhe kur aktiviteti përshkruhet si “ilegal” ose “pa dokumente”./Piranjat News
Lexo edhe
INVESTIGIME
Nga burgu në arrest shtëpie/ Eduard Limaj rikthehet në përndjekje të grave!

Fyerje ndaj nxënësve, ngacmime e shkelje rregulloreje/ Kush është nëndrejtori problematik?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë/ Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Porti i Durrësit po mbyllet, investimet në infrastrukturë vazhdojnë. Cili është justifikimi i APD?

Skandali me doktoraturën e Taulant Ballës/ Piranjat zbulojnë mashtrimin!





