Asambleja e OKB, Vuçiç falënderon shtetet që nuk njohin Kosovën: Sytë katër kur nënshkruani me fuqitë e mëdha

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, falënderoi shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Vuçiç pretendoi se disa prej këtyre shteteve kanë qenë nën presion për të ndryshuar qëndrimin e tyre, por sipas tij, ato kanë ruajtur të njëjtin pozicion.
“Dua të falënderoj individualisht secilin nga 107 shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e shpallur njëanshëm nga e ashtuquajtura Kosovë. E dimë se shumë prej jush keni qenë subjekt i presionit...Faleminderit që keni qenë konsistente. Që nuk e keni njohur pavarësinë e një pjese të territorit të Serbisë”, tha Vuçiç.
Në fjalimin e tij, presidenti serb kritikoi gjithashtu ndërhyrjen ajrore të NATO-s ndaj Jugosllavisë në vitin 1999, duke e lidhur atë me çështjen e Kosovës.
“Tentuan të merrnin 14 për qind të territorit të Serbisë. Kjo mund të duket si e kaluar e largët për ta, por plagët e vendosura në të drejtën ndërkombëtare janë të thella dhe të rënda”, deklaroi ai.
Vuçiç u ndal edhe te Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013, e arritur në dialogun Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Ai u bëri thirrje shteteve të tjera të tregohen të kujdesshme në marrëveshjet që lidhin me fuqitë e mëdha. Ai pretendoi se Serbia ka përmbushur detyrimet e saj të marrëveshjes, ndërsa tha se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe në Kosovë, sipas tij, mbetet i pazbatuar.
“Bëjini sytë katër kur nënshkruani me fuqitë e mëdha. Kështu nënshkruam marrëveshjen e famshme të Brukselit në vitin 2013, duke tentuar të zgjidhim problemet mes serbëve e shqiptarëve nëpërmjet kompromisit”, tha Vuçiç.
Lexo edhe
BOTA
Për herë të parë në histori! Agjenti i AI hakeron portalin qeveritar australian, sulmi u zbulua disa javë me vonesë

Fëmija në sallë, debate historike dhe protesta simbolike, momentet e veçanta në Asamblenë e OKB-së

Kriza e Ebolas në Kongo/ SHBA-të akordojnë 267 milionë dollarë shtesë për përballimin e epidemisë

Bojkotimi i mediave në SHBA/ Gjykata urdhëron Trumpin të rikthejë CNN, MS NOW dhe Politico në Shtëpinë e Bardhë

Rusia plan lufte kundër NATO-s? Reagon SHBA





