Zbulohet skandali në Greqi/ “VIP”-at i shkaktojnë 206 milionë euro dëm shtetit, skema e “perandorit” të natës dhe faturat në emër të të vdekurve

Një nga skandalet më të mëdha të evazionit fiskal në historinë gjyqësore greke është zbuluar në Selanik dhe Halkidiki. Autoritetet kanë arrestuar 16 persona, ndërsa hetimet përfshijnë 1 283 të dyshuar dhe 917 kompani.
Sipas medias greke “Zougla”, pas një hetimi të gjatë, autoritetet kanë arrestuar 16 persona, ndërsa dosja voluminoze i është dorëzuar Prokurorisë së Shkallës së Parë në Selanik më 7 nëntor 2026. Hetimet nuk janë mbyllur dhe pritet të ketë arrestime të tjera. Sipas informacioneve të publikuara nga media greke, numri i të arrestuarve mund të arrijë deri në 50 persona.
Shifrat e çështjes janë të jashtëzakonshme, 1 283 persona janë përfshirë në dosjen hetimore, ndërsa nën kontroll ndodhen 917 kompani, nga të cilat 860 rezultojnë me detyrime të konfirmuara ndaj shtetit dhe fondeve të sigurimeve shoqërore.
Borxhet totale arrijnë në 206 269 437 euro, ku 138 milionë euro janë detyrime tatimore të papaguara dhe mbi 68 milionë euro kontribute të paderdhura në fondin e sigurimeve EFKA.
Sipas raportimit, në dosjen hetimore përmenden emra të njohur të sipërmarrësve që kontrollojnë një pjesë të konsiderueshme të lokaleve dhe klubeve të natës në Selanik. Një prej emrave kryesorë të përmendur është biznesmeni Ilias Violidhis, i cili dyshohet se kishte nën kontroll një numër të madh biznesesh në qytet.
Sipas dosjes, ai dhe nëna e tij 81-vjeçare kishin në pronësi 17 kompani, me detyrime të përgjithshme prej rreth 4,68 milionë eurosh.
Një skemë e dyshuar për transferimin e aktivitetit ekonomik në kompani të reja është zbuluar në 14 prona premium në Selanik. Sipas hetuesve, bizneset kalonin nga kompani të mbingarkuara me borxhe te shoqëri të reja, ku nëna 81-vjeçare rezultonte aksionere kryesore, ndërsa administratorë figuronin persona të tjerë.
Në dosje përmendet gjithashtu se kompanitë e reja përdornin të njëjtin numër telefoni dhe adresë elektronike, të lidhura personalisht me biznesmenin.
Në hetim janë edhe dy sipërmarrës të tjerë të njohur, Konstantinos Bertakis dhe Theodoros Pozidis, të cilët lidhen me aktivitetin e dy prej lokaleve më të njohura të natës në Selanik, Pylí Axiou dhe VOG Club. Sipas dokumenteve hetimore, borxhet e lidhura me aktivitetet e tyre arrijnë në rreth 6,7 milionë euro.
Hetuesit dyshojnë se aktiviteti i këtyre lokaleve zhvillohej përmes disa kompanive të përkohshme, të regjistruara në emra personash të tjerë, të cilët shërbenin si administratorë formalë.
Pronarët e ambienteve kanë deklaruar se marrëdhëniet për qiradhënien dhe funksionimin e lokaleve i zhvillonin drejtpërdrejt me dy biznesmenët. Një tjetër detaj që ka tërhequr vëmendjen është mënyra e pagesës së punonjësve. Sipas dëshmive të përfshira në raportim, artistët dhe punonjësit paguheshin me para në dorë, të vendosura në zarfe dhe të lëna në sirtarët e kuzhinës.
Në dosje përmenden edhe vëllezërit biznesmenë Marios dhe Markellos Muratidi, të cilët kishin në zotërim 25 kompani me detyrime prej rreth 3,24 milionë eurosh. Sipas hetimeve, përmes një kompanie të pasurive të paluajtshme ata merrnin me qira shtatë prona ku funksiononin restorante dhe klube nate në Selanik dhe zonat përreth.
Më pas, ambientet u jepeshin me nënqira kompanive të tjera, të regjistruara në emra personash të ndryshëm. Sipas skemës së dyshuar, kur një kompani grumbullonte borxhe të mëdha, ajo mbyllej dhe zëvendësohej menjëherë nga një tjetër, në të njëjtën adresë, me të njëjtin personel, por me emër dhe administrator të ri.
Një tjetër emër i përmendur në dosje është biznesmeni Vasilios Varsamis, i cili, sipas hetuesve, kishte krijuar një rrjet me të paktën 25 biznese. Ai dyshohet se përdorte gjashtë kompani administrimi pronash për të dhënë me qira 12 ambiente te shoqëri të regjistruara në emra personash të tjerë.
Sipas dokumenteve, kur një kompani grumbullonte detyrime të konsiderueshme, ajo mbyllej dhe në të njëjtën ditë krijohej një tjetër kompani për të vazhduar aktivitetin. Një detaj tjetër i pazakontë është se biznesmeni figurohej zyrtarisht në sistemin e punësimit ERGANI edhe si punonjës pritjeje, portier apo punonjës zyre.
Një nga elementet më të pazakonta të skemës së dyshuar është përdorimi i personave me të ardhura shumë të ulëta si administratorë formalë të kompanive. Sipas dosjes, një grua që punonte si pastruese, me pagë mujore 481 euro, figuron si administratore në 12 kompani që kishin krijuar borxhe prej 1,26 milionë eurosh.
Ajo ka deklaruar se kishte marrë 1 000 euro për të firmosur dokumente gjatë periudhës 2022-2025. Një kameriere rezulton administratore në 16 kompani me borxhe prej 3,31 milionë eurosh, ndërsa një portier figuron në tetë kompani me detyrime prej 3,6 milionë eurosh.
Në një rast tjetër, një punonjës kuzhine, i cili përfitonte edhe nga programe të ndihmës sociale, rezulton administrator në 13 kompani që i kanë shkaktuar shtetit borxhe prej më shumë se 30 milionë eurosh. Në skemë përmenden gjithashtu një pjekës mishi, një pastrues, një arkëtar dhe madje një kultivues molusqesh.
Një tjetër zbulim i pazakontë lidhet me 12 persona të vdekur, emrat e të cilëve dyshohet se vazhdonin të përdoreshin për administrimin e kompanive. Sipas kontrollit në sistemin elektronik myDATA, numrat e tyre personalë tatimorë vazhdonin të regjistronin fatura hyrëse dhe dalëse edhe muaj apo vite pas vdekjes së tyre.
Njëri prej tyre rezulton i lidhur me detyrime prej 14,8 milionë eurosh. Mes personave të përmendur në hetim është edhe ish-modeli dhe aktori grek Errikos Petilon, i cili, sipas raportimit të Zougla, dyshohet se është përdorur si administrator formal në tetë kompani.
Këto kompani rezultojnë me detyrime të përgjithshme prej 595 976 eurosh. Sipas informacioneve të publikuara, Petilon kishte të ardhura të deklaruara prej vetëm 2 000 deri në 2 500 eurosh në vitet e fundit dhe figurohej si punonjës pritjeje me kohë të pjesshme.
Nga 1 marsi 2023, ai rezulton të jetë emëruar administrator dhe ortak në disa kompani të lidhura me rrjetin. Për këtë rol, sipas raportimit, merrte nga 200 deri në 700 euro në muaj.
Një tjetër zhvillim i raportuar nga Zougla lidhet me një biznesmen shumë të njohur të jetës së natës në Selanik, i cili dyshohet se ishte një nga personat kryesorë të skemës, por arriti t’i shpëtonte arrestimit. Sipas medias greke, ai dyshohet se mori një telefonatë paralajmëruese përpara ndërhyrjes së autoriteteve dhe u zhduk për të shmangur arrestimin.
Hetuesit po përpiqen të zbulojnë se kush e informoi për operacionin dhe nëse personi që e paralajmëroi kishte akses në informacionet e administratës tatimore. Ndërkohë, në pranga përfundoi bashkëshortja e tij. Avokati i saj, Antonis Koudroglou, deklaroi se ajo nuk kishte asnjë lidhje me skemën e evazionit fiskal dhe se arrestimi lidhej vetëm me gjetjen e një arme antike gjatë kontrollit në banesë.
Avokati theksoi se klientja e tij nuk ishte pjesë e aktivitetit të dyshuar kriminal.
Avokati Antonis Koudroglou, i cili përfaqëson disa prej të akuzuarve, paralajmëroi se publikimi i plotë i emrave të përfshirë mund të shkaktojë tronditje në industrinë e argëtimit në qytet. Ai deklaroi se gjatë hetimeve paraprake janë përmendur emra shumë të njohur të biznesit në Selanik.
Ndërkohë, autoritetet greke vijojnë hetimet për të zbardhur të gjithë strukturën e dyshuar, për të identifikuar personat që qëndronin pas kompanive dhe për të përcaktuar përgjegjësitë individuale. Çështja konsiderohet një nga hetimet më të mëdha ekonomike në Greqi, për shkak të numrit të personave dhe kompanive të përfshira, si dhe shumës së jashtëzakonshme të detyrimeve të papaguara.
Top Channel
Lexo edhe
BOTA
“Amerika bëri një hap gjigant prapa në histori”, Trump pas disfatës në zgjedhjet e mesmandatit: Republikanët do të kthehen më të fortë se...

Dita e Fitores kundër Armenisë, Erdogan i bashkohet Presidentit Aliyev në festimet në Azerbajxhan: Populli riktheu lirinë e Karabakut me ...

69 ditë i zhdukur në Oqeanin Paqësor, 86-vjeçari dhe qeni i tij gjenden gjallë 740 kilometra larg bregut

Araghchi mesazh për Shtëpinë e Bardhë: Koha që të zgjidhni t'i jepni fund luftës ose ta vazhdoni atë

Tragjedia hekurudhore në Egjipt, 7 të vdekur dhe 122 të plagosur





