Buxheti/ Berisha: Do paraqesim amendime për rritjen e pagave dhe vendosjen e minimumit jetik 200 euro

Kreu i opozitës deklaroi duke ju përgjigjur interesit të gazetarëve se PD, ‘do të paraqesim amendamente për rritjen e pagave dhe vendosjen e minimumit jetik 200 euro’.
Olta Blaceri, VIZION PLUS: Z. Berisha, të enjten kalon buxheti dhe paketa fiskale nen për nen në parlament. A do të paraqesë Partia Demokratike amendamente këtë herë për buxhetin?
Sali Berisha: Paketa fiskale, siç është denoncuar në mënyrë të përsëritur nga unë dhe drejtues të tjerë të Partisë Demokratike, përbën një goditje shumë të rëndë për xhepat e qytetarëve shqiptarë, një goditje shumë të rëndë për profesionet e lira të cilave u shkon në 20 e sa përqind taksa.
Një goditje shumë të rëndë për bizneset e vogla, të cilat futen në ombrellën e TVSH-së, mbi 17,500 të tilla.
Përbën një goditje të rëndë për investitorët, mbasi është dyfishuar taksa mbi dividentin. Nuk përbën absolutisht asnjë përfitim, dhe këtu do jemi dhe ju vetë do t'i verifikoni.
Për shtresat e varfra, sepse ajo ulje e TVSH-së së ushqimeve u shoqërua me vendosjen e TVSH-së të dyqaneve që i shesin ato, të njësive tregtare që i shesin ato.
Pra, është një paketë fiskale në kundërshtim me interesat e qytetarit, të biznesit të vogël, të profesioneve të lira që është shtresa e mesme, profesionet e shërbimeve për qytetarët, çka nënkupton rritje automatike të çmimeve të këtyre shërbimeve për qytetarët, por dhe investitorët e huaj, të cilët nuk kanë pse vijnë në një vend me taksë dividenti 15 përqind në një kohë kur shkojnë në një vend ku është 5 përqind, 7 përqind ose nuk ekziston.
Sigurisht që Partia Demokratike ka dhe do të ketë amendamentet e veta për paketën fiskale dhe jo vetëm. Unë e kam denoncuar këtu, po e denoncoj prapë, shpërndarja e 10 miliardë eurove, buxhetit më të madh siç thotë Edi Rama në histori, është skema e vjedhjes më të madhe në histori.
Po jap vetëm dy shembuj: zërin e shpenzimeve operative.
Çfarë janë shpenzimet operative?
Shpenzimet operative janë shpenzimet që bëjnë të gjithë zyrtarët e shtetit në funksion të detyrës së tyre.
Këto shpenzime në vitin 2013 kanë qenë gjithsej 300 milionë euro. Këto shpenzime reduktoheshin sepse kërkesat ishin më të mëdha, por në çdo buxhet dihet që është zëri më abuziv. Krahas kësaj do lyej këtë dhomë, se do rregulloj atë banjë, se do shtroj pllakat e korridorit, vijnë të gjitha këto aty, vijnë projekte, qytetarët nuk mund ta besojnë, por vijnë projekte edhe 100 euro në parlament për t'u votuar si të vjedhësh.
Cilido që dëshiron të ketë idenë e shpenzimeve operative se ç'ndodh me to, i sugjeroj të lexojë tregimin 'Minjtë' e Dino Buzzati-t, se si ata minjtë ja gërryen trarët e shtëpisë së profesorit dhe shtëpinë e përmbysën, sepse hanin çdo gjë.
Edhe kjo e shpenzimeve operative kështu është: drejtori me dy vetura, zëvendësministri me dy-tri vetura, të tjerët vetura për përdorime familjare, e gjithë kjo lukuni.
Dhe një shembull këtu, kur ne hoqëm veturat e zëvendësministrave, dhe naftën apo çmimet e transportit ua përfshimë në rroga, ne kursyem 46 milionë euro. Vetëm veturat e zëvendësministrave.
Sa janë sot këto shpenzime? E pabesueshme.
Sot janë 930 milionë euro. Nga 30 miliardë që ishin në vitin 2013, janë pra 93 miliardë lekë.
E kuptoni?
Po marr inflacionin, po e quaj 40 përqind në 14 vite, duhet të jenë sot me atë standard 420 milionë. 500 milionë janë plaçkitje dhe vjedhje.
E kuptoni se ç'bëhet?
Marrim zërin tjetër ku vidhet në mënyrë të paimagjinueshme. Zëri tjetër, 20 përqind e buxhetit caktohet për investim. Si shifër e përcaktuar është nga më të lartat.
Por çfarë dëshmon kjo shifër?
Në një vend ku sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, 90 përqind e parave të caktuara për investime zhduken, dhe këtë e thotë edhe Banka Botërore, jo në këtë përqindje, por ka edhe ajo përqindjen e vet, atëherë kjo do të thotë se nga 2.2 miliardë euro, të paktën 1.8 miliardë janë lënë për t'u vjedhur. Absolutisht!
Për t'u kthjelluar pak, vitet e investimeve të mëdha, në të cilat u ndërtua Rruga e Kombit, u ndërtua mbi 50 përqind e Rrugës së Arbrit, u ndërtua Rruga e Bregut, rruga Levan-Tepelenë, Levan-Vlorë, Gjirokastër-Tepelenë, Hani i Hotit-Shkodër, Shkodër-Velipojë, Hani i Hotit-Leqet e Hotit, Tamarë-Leqet e Hotit, rruga Bogë-Qafë Thorë, Shkodër-Bogë-Qafë Thorë, rruga Gjirokastër-Fushë Çajup, rruga Korçë-Qafë Plloçë, pothuaj 50 përqind e rrugës Korçë-Kolonjë, pra të gjitha këto së bashku, me qindra kilometra të tjerë që u ndërtuan nga rrugët kombëtare drejt bregut ose nga qendrat urbane drejt majës së maleve, drejt Çajupit, drejt Vithkuqit, drejt Prespës, drejt Sari Salltikut, drejt Shebenikut me radhë mos shkoj tani me radhë duke i numëruar, të gjitha këto pra së bashku, këto nuk shkojnë më shumë, maksimumi shkojnë 3.5 miliardë euro.
I shtojmë një 40 përqindësh rritje të indeksit të çmimeve, me 2 miliardë këta duhet të transformonin Shqipërinë, po këta vjedhin, vjedhin dhe vetëm vjedhin.
Sigurisht që ne do bëjmë amendamentet tona, ne do kërkojmë rritjen e rrogës minimale 50 përqind, rritjen e rrogës mesatare 30 përqind, vendosjen e minimumit jetik 200 euro.
Asnjë pension jo i plotë apo i çfarëdo llojit nuk mund të jetë nën 200 euro, dhe një sistem rritjesh pensionesh që ecin drejt dyfishimit të tyre.
Pra, me fjalë të tjera, ne nuk do t'i mashtrojmë shqiptarët se do investojmë 2.2 miliardë, jo.
Ne do zbresim absolutisht në 700 ose 800 milionë euro dhe asnjë qindarkë tjetër.
Dhe ju garantoj se do bëjmë shumë më tepër se ç'kanë bërë këta në katër vite me këto.
Po, po, pra siç e shihni ne kemi shumë motive për të bërë amendamentet më serioze, më të drejta, dhe do t'i paraqesim. Natyrisht, ju e keni parë, aty ka një shumicë memece, pseudo shumicë e paligjshme. Ata nuk flasin, ua ka hequr të drejtën e fjalës Edi Rama.
Në studio televizive nuk i dërgon, në parlament nuk i lë të flasin, po vetëm të votojnë, të ngrenë dorën të votojnë.
Po ne do bëjmë punën tonë para shqiptarëve.
Lexo edhe
POLITIKE
Berisha: Mediat llogarisin si minutazh të PD-së edhe kur ish-ët e mi bëhen avokatë me pagesë të Ramës

Gazment Bardhi nxjerr zbuluar Ramën: Inaguron të njëjtin shërbim dy herë, në 2023 dhe në 2026!

Reforma Zgjedhore, Komisioni i Venecias dërgon dy ekspertë në Tiranë

Plarent Ndreca: PS është kthyer 35 vite pas!

‘Rama ka hapur shumë fronte, ka frikë’, Burimi: Janë ‘lakuriq’ në paturpësinë e tyre, s’duhen falur





