Çmimet, faturat dhe qiratë rëndojnë shqiptarët; 97% në alarm nga shtrenjtimi i jetesës

Raporti SecuriMeter 2026 nxjerr Shqipërinë në krye të rajonit për shqetësimin ndaj kostos së jetesës dhe inflacionit. Shifrat zbulojnë edhe vështirësitë për të përballuar nevojat bazë: pothuajse gjysma e të anketuarve nuk konfirmojnë se mund ta mbajnë banesën ngrohtë në dimër dhe freskët në verë, ndërsa kënaqësia me shëndetësinë, kujdesin për të moshuarit dhe strehimin mbetet në nivele shumë të ulëta. Shqipëria është vendi ku qytetarët ndihen më të shqetësuar nga kostoja e jetesës dhe inflacioni në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Pothuajse 97 në çdo 100 shqiptarë të anketuar shprehin shqetësim për çmimet dhe shpenzimet e përditshme, një tregues që e vendos vendin në krye të rajonit dhe dukshëm mbi mesataren e fqinjëve.
Të dhënat e raportit SecuriMeter 2026, të publikuar nga "Monitor", nxjerrin në pah një kontrast të fortë mes nevojave të qytetarëve dhe mundësive të tyre ekonomike. Shqetësimi për çmimet është pothuajse i përgjithshëm, ndërsa sigurimi i një banese të përballueshme, përballimi i shpenzimeve të energjisë dhe cilësia e shërbimeve bazë mbeten probleme të mëdha.
Sipas anketës, 96,6% e të anketuarve në Shqipëri janë të shqetësuar për koston e jetesës dhe inflacionin, kundrejt mesatares prej 83,4% në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Diferenca prej 13,2 pikësh përqindjeje me mesataren rajonale tregon përmasat e shqetësimit në Shqipëri.
Maqedonia e Veriut është vendi i vetëm që i afrohet Shqipërisë, me 93,8% të qytetarëve të anketuar që shprehin shqetësim. Në Bosnjë dhe Hercegovinë kjo përqindje është 82%, në Mal të Zi 78,3%, ndërsa në Serbi 76,3%. Kosova regjistron nivelin më të ulët të shqetësimit në rajon, me 73,7%, ose plot 22,9 pikë përqindjeje më pak se Shqipëria. Shqiptarët nuk kryesojnë vetëm për përqindjen e të shqetësuarve, por edhe për intensitetin e shqetësimit. Në shkallën nga 1 deri në 10, kostoja e jetesës dhe inflacioni marrin një vlerësim mesatar prej 9 pikësh në Shqipëri, përballë 8 pikëve në rajon.
Kjo do të thotë se shtrenjtimi i jetesës nuk është thjesht një shqetësim i përhapur, por një ndër problemet që qytetarët shqiptarë e ndiejnë me intensitetin më të lartë.
Edhe të dhënat e viteve të mëparshme dëshmojnë se presioni i çmimeve ka qenë vazhdimisht një çështje madhore. Në vitin 2025, shqetësimi për koston e lartë të jetesës vlerësohej me 8,79 pikë në Shqipëri, kundrejt 8,19 pikëve në rajon. Për inflacionin, shqiptarët jepnin 8,45 pikë, përballë mesatares rajonale prej 8,12 pikësh.
Por tabloja bëhet edhe më e rëndë kur nga shqetësimi për çmimet kalohet te mundësia reale për të përballuar shpenzimet e jetesës.
Vetëm 50,6% e të anketuarve në Shqipëri deklarojnë se mund ta mbajnë banesën mjaftueshëm të ngrohtë gjatë dimrit dhe të freskët gjatë verës. Kjo është përqindja më e ulët në Ballkanin Perëndimor, ku mesatarja arrin në 62,4%.
Pra, pothuajse gjysma e të anketuarve shqiptarë nuk pohojnë se kanë mundësi të sigurojnë temperaturë të përshtatshme në banesat e tyre. Një tregues që e zhvendos diskutimin për koston e jetesës nga çmimet në dyqane te kushtet më elementare të jetesës.
Edhe më alarmante është situata e strehimit.
Vetëm 3,6% e të anketuarve shqiptarë janë kryesisht ose plotësisht të kënaqur me mundësinë për të gjetur një banesë apo qira me çmim të përballueshëm. Në Ballkanin Perëndimor, mesatarja është 24,7%. Kjo do të thotë se niveli i kënaqësisë me përballueshmërinë e strehimit në rajon është gati shtatë herë më i lartë se në Shqipëri.
Hendeku bëhet edhe më i dukshëm në krahasim me vendet e veçanta. Në Bosnjë dhe Hercegovinë, 35,5% shprehen të kënaqur me mundësitë e strehimit, në Kosovë 33,7%, në Mal të Zi 30,9%, në Serbi 28,6%, ndërsa në Maqedoninë e Veriut 16,1%.
Shqipëria mbetet shumë larg të gjitha vendeve të tjera të rajonit, duke regjistruar një nivel jashtëzakonisht të ulët kënaqësie për një nevojë themelore si banesa.
Por problemet që evidenton raporti nuk mbarojnë te çmimet dhe strehimi. Edhe vlerësimi i qytetarëve për disa prej shërbimeve më të rëndësishme publike është në nivele shqetësuese.Vetëm 22,5% e të anketuarve në Shqipëri shprehen të kënaqur me shërbimet shëndetësore, përballë mesatares rajonale prej 36,3%.Për arsimin, niveli i kënaqësisë është 22,4%, ndërsa mesatarja e Ballkanit Perëndimor arrin në 39,4%.
Edhe më i ulët është vlerësimi për kujdesin ndaj të moshuarve. Vetëm 10,9% e të anketuarve shqiptarë shprehen të kënaqur me këtë shërbim, kundrejt 28,4% në rajon.Këto shifra nxjerrin në pah pakënaqësinë e thellë me shërbime që duhet të lehtësojnë barrën e familjeve, veçanërisht të atyre që përballen me të ardhura të kufizuara.
Një tjetër tregues problematik lidhet me ujin e pijshëm. Në Shqipëri, vetëm 22,3% e të anketuarve janë të kënaqur me mundësinë për të pasur ujë të pijshëm të pastër dhe të përballueshëm, ndërsa mesatarja rajonale është 48,3%.
Edhe për këtë shërbim bazë, diferenca me rajonin është e madhe: 26 pikë përqindjeje.
Raporti evidenton gjithashtu kufizimet financiare të familjeve shqiptare. Vetëm 35,4% e të anketuarve deklarojnë se mund të përballojnë një shpenzim të papritur prej 1.000 eurosh pa marrë hua apo pa kërkuar ndihmë nga të tjerët.
Për më tepër, vetëm 30,8% thonë se mund të zëvendësojnë mobiliet e konsumuara, ndërsa 42,9% deklarojnë se kanë mundësi të përballojnë një javë pushime në vit larg shtëpisë.Të marra së bashku, të dhënat tregojnë se vështirësitë ekonomike nuk kufizohen te shqetësimi për inflacionin. Ato shtrihen te mundësia për të përballuar shpenzime të papritura, për të siguruar kushte të përshtatshme banimi dhe për të pasur akses në shërbime cilësore. Gjetjet e SecuriMeter 2026 vijnë në një kohë kur debati politik dhe ekonomik në Shqipëri është përqendruar edhe te buxheti i vitit 2027, me shpenzime të planifikuara prej rreth 976 miliardë lekësh.
Përballë këtyre shifrave buxhetore, anketa sjell një tjetër panoramë: atë të qytetarëve që përballen çdo ditë me çmimet, faturat, kostot e banesës dhe shërbimet publike.
Shqipëria kryeson rajonin me 96,6% të qytetarëve të anketuar të shqetësuar për koston e jetesës, ndërsa vetëm 3,6% janë të kënaqur me përballueshmërinë e strehimit. Dy shifra që përmbledhin hendekun mes barrës ekonomike që ndiejnë shqiptarët dhe mundësisë për të siguruar një jetë të përballueshme.
Lexo edhe
SOCIALE
Shembje në rrugën Qafë Bualli-Krastë/ 22 mln euro për aksin që ende s'ka përfunduar, Martaneshi drejt shpopullimit

Luksemburgu kërkon punonjës të huaj në 5 sektorë, ja sa do të jetë paga

Tre kompani sigurimi rrezikojnë të dalin nga tregu

Banori i Rrashbullit denoncon: Bashkia pastroi kanalin kullues, mbeturinat i la anës rrugës

Shqipëria lë pas Serbinë dhe gjithë Ballkanin, rekord studentësh që studiojnë jashtë





