“Jalta e re” zgjati 80 minuta/ Fituesit dhe humbësit e takimit historik mes Xi, Trump dhe Putin

Ukraina dhe Irani ishin dy luftërat për të cilat Donald Trump thoshte se ia vlente të ulej në të njëjtën tryezë me Xi Jinping dhe Vladimir Putin. Por asnjëra prej tyre nuk përmendet në “Deklaratën për Paqen”, të cilën Pekini dhe Moska e bënë publike.
Gjatë rreth 80 minutave që zgjati takimi trepalësh në Shenzhen, tre liderët gjetën gjuhën e përbashkët për imunitetin e zyrtarëve shtetërorë, për përpunimin e naftës dhe për një të vërtetë të vetëkuptueshme: një luftë bërthamore nuk duhet të zhvillohet kurrë. Por për një armëpushim, qoftë edhe të përkohshëm e vetëm në njërin prej fronteve, nuk u gjet as edhe një rresht.
Pritshmëria për një “Jaltë të re” kishte një burim konkret. Javën e kaluar, pas bisedimeve në Abu Dhabi, negociatori rus Vladimir Medinsky kishte përmendur shprehimisht Jaltën dhe Potsdamin si modele për një marrëveshje të re. Për Moskën, kjo analogji historike ishte që në fillim lajkatare.
Ajo e vendoste Putinin në pozicionin e njërit prej tre liderëve që do të vendosnin për të ardhmen, ndërkohë që lufta e nisur prej tij po i afrohet pesëvjetorit. Takimi në Shenzhen i siguroi atij një vend në tryezë. Megjithatë, për të ardhmen e Ukrainës, asnjëri prej tre liderëve nuk arriti të jepte një përshkrim konkret.
Xi mori atë që dëshironte përpara se të niste diskutimi
Fituesi më i qartë ishte vendi mikpritës. Prej vitesh, Xi pretendon se epoka e supremacisë amerikane po shkon drejt fundit. Në Shenzhen ai pati mundësinë të shpjegonte se çfarë nënkupton kjo, me presidentin e SHBA-së të ulur pranë tij.
Ai foli për “vijat e kuqe” të secilës fuqi, kërkoi që palët të përmbahen reciprokisht nga ndërhyrja në punët e brendshme të njëra-tjetrës dhe e la Trumpin të shpjegonte se përse të tre vendet kanë përgjegjësi të veçantë për sigurinë globale.
Masa e suksesit kinez u duk më herët, gjatë takimit kokë më kokë mes dy presidentëve. Trump e vendosi menjëherë Ukrainën në qendër të diskutimit dhe arriti deri aty sa të thoshte se mund të fliste edhe në emër të Xi-së për dëshirën e tyre që lufta të përfundonte.
Kur mori fjalën vetë Xi, ai nuk e përmendi fare Ukrainën në deklaratat e tij hyrëse. Disa orë më vonë, në dokumentin e përbashkët nuk kishte asnjë angazhim të Kinës për të ushtruar presion ndaj Moskës apo Teheranit.
Xi siguroi për Kinën njohjen që kërkon si një fuqi me ndikim global. Mënyra dhe koha se kur do ta ushtrojë këtë ndikim mbetën në dorën e tij.
Putin fitoi paragrafin më personal në deklaratën përfundimtare
Presidenti rus diskutoi privatisht me Trumpin për Ukrainën për rreth 40 minuta. Nga ky takim nuk u njoftua asnjë rezultat. Megjithatë, në takimin trepalësh që pasoi, Putini siguroi diçka shumë konkrete nga pikëpamja politike.
Tre liderët e cilësuan themelor respektimin e imunitetit të zyrtarëve shtetërorë dhe i bënë thirrje Gjykatës Penale Ndërkombëtare të përmbahet nga abuzimi me kompetencat e saj.
Që prej marsit 2023, Gjykata ka lëshuar një urdhër-arresti ndaj Putinit për krimet e dyshuara të luftës, që lidhen me dëbimin dhe transferimin e paligjshëm të fëmijëve nga territoret e pushtuara të Ukrainës drejt Rusisë.
Deklarata nuk e ndryshon vlefshmërinë e urdhër-arrestit. Megjithatë, ajo i mundëson Kremlinit që tani e tutje të pretendojë se ndan një qëndrim të përbashkët me Uashingtonin dhe Pekinin për kufijtë e kompetencave të vetë Gjykatës.
Nga katër paragrafët e deklaratës së Shenzhenit, ky është ai që ka adresuesin politik më të qartë. Dhe për ta siguruar, Putini nuk pati nevojë të merrte përsipër asnjë angazhim publik ndaj Kievit.
Trump e ngriti vetë stekën e pritshmërive
Presidentit amerikan mund t'i njihet merita për hapjen e një kanali të drejtpërdrejtë komunikimi mes tri fuqive më të mëdha bërthamore. Vlera e tij do të duket nëse tre qeveritë do ta përdorin në rast të një krize.
Megjithatë, për këtë konferencë, vetë Trump kishte vendosur një objektiv shumë më ambicioz. Ai foli publikisht për reduktimin e numrit të armëve bërthamore. Ndërsa dokumenti parashikon vetëm dialog për uljen e rrezikut bërthamor.
Dallimi mes të dyjave është i qartë. Asnjë vend nuk u angazhua të çmontojë qoftë edhe një kokë bërthamore. Madje, edhe formulimi se një luftë bërthamore nuk mund të fitohet ishte miratuar me të njëjtën gjuhë nga pesë fuqitë bërthamore që në janar të vitit 2022.
Në sektorin e energjisë, angazhimi lidhet me rritjen e prodhimit dhe furnizimit me produkte të rafinuara të naftës. Nuk përcaktohet se cili vend do të ofrojë sasi shtesë, sa do të jenë ato dhe kur do të nisë furnizimi.
Për Ngushticën e Hormuzit, nga ku kalon një pjesë thelbësore e furnizimit me energji, deklarata nuk parashikon asgjë.
Në mënyrë të ngjashme, për reformimin e OKB-së, tre anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit ranë dakord se Organizata duhet të bëhet më efikase, pa përmendur asnjë ndryshim konkret që do të mbështesnin së bashku.
Trump e kishte cilësuar më herët si sukses pritjen që Xi i bëri në aeroport. Politikisht, megjithatë, ai ishte i vetmi nga të tre që e kishte lidhur kaq qartë takimin me përfundimin e dy luftërave dhe kufizimin e arsenalit bërthamor.
Duke u bazuar në pritshmëritë që kishte vendosur vetë, Trump kthehet në Uashington me më pak përfitime nga të gjithë.
Çfarë humbën ata që munguan në takim?
Për Ukrainën, vlerësimi është më i ndërlikuar. Në Shenzhen nuk u njoftua asnjë marrëveshje territoriale në mungesë të saj, siç druhej Kievi. Rusia gjithashtu nuk arriti të siguronte nga dy liderët e tjerë njohjen e pretendimeve të saj territoriale.
Megjithatë, u krijua një precedent. Lideri i vendit që pushtoi Ukrainën mori pjesë në një konferencë për paqen ndërkombëtare, arriti të përfshijë në deklaratë një referencë për imunitetin e zyrtarëve shtetërorë dhe u largua pa u përmendur fare në dokumentin përfundimtar as vendi ku lufta vazhdon ende.
Për Evropën, problemi u bë i dukshëm në deklaratën e ministrit të Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot. Ai tha se tri fuqitë më të mëdha në botë do t’i rendiste SHBA-në, Kinën dhe Bashkimin Evropian. Megjithatë, në fotografinë e takimit në Shenzhen, vendin e tretë e zinte Rusia.
Evropianët mbeten të domosdoshëm për financimin e Ukrainës dhe për çdo garanci të besueshme sigurie ndaj Kievit. Megjithatë, presidenti amerikan zgjodhi Pekinin dhe Moskën si partnerë në diskutimin se si mund t’i jepet fund një lufte që po zhvillohet në territorin evropian.
Nëse pyetja është se kush përfitoi nga takimi, përgjigjja gjendet te radha me të cilën protagonistët u larguan politikisht të kënaqur prej tij. Xi organizoi takimin e parë trepalësh sipas kushteve të veta. Putini siguroi një formulim që e prek personalisht. Trumpi realizoi takimin historik që kishte paralajmëruar.
Por nëse pyetja është se çfarë ndryshoi pas 80 minutave për Ukrainën, Iranin apo numrin e armëve bërthamore që zotërojnë të tre vendet, bilanci i kësaj “Jalte të re” është shumë më i shkurtër; Zero plus zero bëjnë zero. /PiranjatNews/
Lexo edhe
BOTA
Nga universiteti, tek bujqësia dhe akuzat e Vuçiçit për shtatë apartamente/ Kush është kryeparlamentari i ri i Serbisë?

VIDEO/ Sulm me raketa në zemër të Riadit, goditet një nga rrokaqiejt më të lartë të Arabisë Saudite

VIDEO/ Hi mbi kokë komisionerit të BE-së për Shëndetësinë në Bruksel, aktivistët: Ky është hiri i njerëzve që do të...

“GTA 6” boshatis zyrat! Punonjësit marrin pushim për të luajtur, kompanitë u japin ditë të lirë

Samiti në Kinë, sekuestrohen telefonat e gazetarëve që po udhëtojnë me Trumpin në Air Force One





