FMN: Shpopullimi po fik ekonominë, frenoni KAYO-t

Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaroi se shpopullimi po fik ekonominë shqiptare, duke ulur rritjen ekonomike të vendit rreth nivelit 3 për qind. Në deklaratën përmbyllëse të misionit për vitin 2026, ekspertët e FMN-së paralajmërojnë se nga 4% rritje mesatare vjetore në periudhën 2022–2025 dhe 3.7% në vitin 2025 e gjysmën e parë të 2026-ës, zgjerimi i ekonomisë do të bjerë në 3.5% këtë vit dhe do të zbresë në 3.2% nga viti 2027 e tutje.
Sipas FMN-së, tkurrja e fuqisë punëtore nga emigracioni i vazhdueshëm dhe plakja e popullsisë po kthehet në pengesën kryesore afatmesme të vendit. Edhe pse kompanitë po investojnë dhe produktiviteti po rritet, këto nuk mjaftojnë për të kompensuar boshllëkun që lënë punëtorët që largohen. Përveç krizës demografike, ngadalësimi i ekonomisë këtë vit ndikohet edhe nga shtrenjtimi i çmimeve të energjisë dhe ushqimeve, të cilat po rëndojnë kostot e prodhimit dhe konsumin.
Çfarë do të thotë ulja me 1 pikë përqindjeje e rritjes?
Për një ekonomi si ajo e Shqipërisë, që llogaritet rreth 27–28 miliardë euro, rënia e ritmit të rritjes nga 4% drejt nivelit 3% nuk është thjesht një shifër statistikore, por rreth 275 milionë euro më pak mallra, shërbime dhe të ardhura të krijuara në vit. Kjo përkthehet në rreth 78 milionë euro më pak taksa në buxhetin e shtetit për shkolla, spitale e pensione, më pak vende të reja pune dhe një frenim të rritjes së pagave. Në terma afatgjatë, humbja e vetëm 1 pikë përqindjeje e shtyn me 6 vite kohën që i duhet Shqipërisë për të dyfishuar ekonominë dhe për t'u afruar me standardin e jetesës së Bashkimit Evropian.
Frenoni Kayot
Përveç ngadalësimit të rritjes, FMN ka ngritur alarmin për zgjerimin e gjurmës së shtetit në ekonomi, duke paralajmëruar qeverinë që të frenojë krijimin e ndërmarrjeve të reja shtetërore (SOE).
Sipas ekspertëve të FMN-së, krijimi apo zgjerimi i kompanive publike shton rreziqet fiskale për buxhetin e shtetit dhe rrezikon të zëvendësojë apo të shtyjë jashtë tregut sektorin privat (croëding out). FMN thekson se entitete të reja shtetërore duhet të ngrihen vetëm në rastet kur ka dështime të qarta të tregut, dhe edhe atëherë, ato duhet të jenë nën mbikëqyrje të rreptë të Ministrisë së Financave, me financim transparent dhe raportim të plotë të çdo rreziku financiar, përfshirë këtu edhe koncesionet (PPP) e garancitë shtetërore.
Shtrëngoni buxhetin
FMN vlerëson se buxheti i vitit 2027 është ende tepër shpenzues në një kohë kur ekonomia po operon mbi potencialin e saj dhe kërkon shtrëngim. Edhe pse përshëndet zgjerimin e bazës tatimore, ekspertët e Fondit kritikojnë ashpër uljen e përhershme të TVSH-së për ushqimet dhe heqjen e taksës së qarkullimit, duke i cilësuar si masa të kushtueshme për buxhetin që shtrembërojnë tregun dhe u japin përfitime financiare edhe shtresave të pasura që nuk kanë nevojë. Sipas FMN-së, familjet në nevojë duhen mbështetur me ndihmë sociale të targetuar, ndërsa qeveria duhet të ndalë praktikën e ndryshimit të shpeshtë të buxhetit përmes akteve normative për shpenzime të momentit.
BSH të rrisë normën
Përballë rritjes së inflacionit në 3.4%, rritjes së shpejtë të pagave, kredisë dhe çmimeve të pronave, FMN i kërkon Bankës së Shqipërisë që të rrisë normën bazë të interesit për të ftohur presionet e brendshme mbi çmimet dhe ta kthejë politikën monetare në nivel neutral.
Ekspertët e Fondit nënvizojnë se kursi i këmbimit duhet të lihet i lirë për të absorbuar goditjet e jashtme, ndërsa i kërkojnë Bankës Qendrore të tërhiqet gradualisht nga linja e kredisë për bizneset e vogla dhe të mesme, si dhe të mbikëqyrë me rreptësi rreziqet që vijnë nga tregu i pasurive të paluajtshme dhe kreditimi në valutë. /Kapitali/
Lexo edhe
AKTUALITET
SPAK regjistron procedim penal ndaj Elisa Spiropalit, bashkëshortit dhe 3 personave të tjerë

EMRI/ Dhunoi policin dhe gëlltiti kokainën, kush është 40-vjeçari shqiptar që përfundoi në gjendje të rëndë në spital

EMRAT/ Dënohen tre anëtarët e një grupi kriminal shqiptar në Britani

EMRI/ Vdekja e punëtorit shqiptar, pesë persona nën hetim

Transportonin 500 mijë euro me makinë, si u zbulua skema e mashtruesve në Janinë





