EMRI/ Dhunoi policin dhe gëlltiti kokainën, kush është 40-vjeçari shqiptar që përfundoi në gjendje të rëndë në spital

Shqiptari që përfundoi në gjendje kritike pasi gëlltiti drogën gjatë arrestimit në Maltë del nga spitali dhe përfundon në gjykatë
Një shtetas shqiptar, i cili ndodhej në gjendje të rrezikshme për jetën pasi gëlltiti drogë gjatë arrestimit së bashku me një tjetër person në St Paul’s Bay të Maltës, është larguar nga spitali Mater Dei dhe është paraqitur në gjykatë.
Bëhet fjalë për Lorenc Selimajn, 40 vjeç, banues në St Paul’s Bay, i cili akuzohet për sulm ose kërcënim ndaj një oficereje policie me gradën rreshtere, shkaktimin e dëmtimeve të lehta ndaj saj, prishjen e qetësisë publike, posedimin e kokainës dhe mosvendosjen e rripit të sigurimit. Ngjarjet e dyshuara kanë ndodhur më 15 nëntor.
Dy shqiptarët u arrestuan më 15 nëntor, pasi u kapën me një sasi të konsiderueshme të një substance që dyshohet të ishte kokainë, si dhe me dy thika.
Ngjarja ndodhi rreth orës 11:00 në rrugën Triq il-Ħalel, ku policia ndaloi një automjet gjatë një kontrolli rutinë rrugor, pasi vuri re se as drejtuesi dhe as pasagjeri nuk kishin vendosur rripin e sigurimit.
Gjatë ndërhyrjes, 40-vjeçari tentoi të largohej me vrap, por në përpjekje për t'i shpëtuar policisë, gëlltiti një tjetër sasi lënde që dyshohet se ishte drogë. Ai u transportua menjëherë në spitalin Mater Dei, ku mjekët e konstatuan në rrezik për jetën.
Edhe drejtuesi i automjetit tentoi të arratisej, por u arrestua pak më vonë. Ai u paraqit në gjykatë dhe u la në paraburgim në pritje të shqyrtimit të provave.
Gjatë arrestimit të dy shqiptarëve, një rreshtere policie pësoi dëmtime të lehta dhe mori trajtim mjekësor në një qendër shëndetësore.
Gjatë seancës gjyqësore u bë e ditur se i akuzuari kishte tentuar të shqyente me dhëmbë një qese dhe përfundoi duke gëlltitur një pjesë të përmbajtjes së saj. Buzët dhe e gjithë fytyra iu mbuluan me një pluhur të bardhë, që dyshohet se ishte drogë. Ai gjithashtu gëlltiti edhe një kapsulë që përmbante lëndë narkotike.
Menjëherë u thirr ambulanca dhe ai u dërgua në spitalin Mater Dei, ku qëndroi deri në momentin e daljes nga spitali.
Para magjistrates Dr. Monica Vella, Selimaj u deklarua i pafajshëm për akuzat e ngritura ndaj tij nga avokati Daniel Tabone, përfaqësues i Prokurorisë së Përgjithshme, dhe inspektorja Gabria Gatt.
Gjykata vendosi që 40-vjeçari të qëndrojë në paraburgim.
Lexo edhe
AKTUALITET
EMRAT/ Dënohen tre anëtarët e një grupi kriminal shqiptar në Britani

EMRI/ Vdekja e punëtorit shqiptar, pesë persona nën hetim

Transportonin 500 mijë euro me makinë, si u zbulua skema e mashtruesve në Janinë

Çmenduri në Kukës/ I riu merret peng për një gërvishtje pasqyre të makinës dhe rrihet barbarisht

Shqipëria synon mbrojtjen antiraketore me aleatët e NATO-s





