Editorial Emisione Investigime Aktualitet Sociale Politikë Kosova Bota Showbiz Lifestyle Sport
TË FUNDIT
Dy persona shpallen fajtorë në Britani për spinazh për inteligjencën iraniane Sërish alarm për bomba në mijëra shkolla në Itali, email-e kërcënuese drejtuar drejtorëve Gazetari britanik: Si u infiltrova brenda mafies shqiptare për të ekspozuar perandorinë e tyre gjigante të ... Studentët në shesh, mesazhi i fortë i ambasadorit amerikan në Tiranë: E ardhmja e Shqipërisë i përket rinis... Çfarë janë Chabad House? Qendrat fetare hebraike të shpërndara në mbi 100 vende të botës, pritet të shtohen... Albpetrol i jep vendburimin e Gorishtit një kompanie me zero të ardhura dhe 14.7 mln dollarë borxhe U kap me 23 kg kanabis në valixhe/ Shqiptari nga Kanadaja pretendon se ra pre e një kurthi në Rinas 116 urdhër-arreste dhe njoftim i kuq nga Interpoli, kapet në Greqi bosi i mafias turke, ekstradohet në Turq... Historia tronditëse e birësimeve të paligjshme në Kili/ U ndanë me forcë 41 vite më parë, nëna ribashkohet ... Shisnin drogë pranë shkollave në Laç, arrestohen dy persona, sekuestrohen kanabis dhe kokainë SPAK kërkon 1 vit burg për kryebashkiakun e Vaut të Dejës, Kristjan Shkreli “Keni frikë të dilni nga Kuvendi”, Ina Zhupa-deputetëve të mazhorancës në Komisionin e Kulturës: Jeni tmerr...
AKTUALITET

Gazetari britanik: Si u infiltrova brenda mafies shqiptare për të ekspozuar perandorinë e tyre gjigante të kokainës

P
Piranjat12 November 2026, 13:08 · 15 min lexim
Gazetari britanik: Si u infiltrova brenda mafies shqiptare për të

Nga Chris Matthews, TELEGRAPH

Teksa shijon një latte me karamel në një kafene të mbushur me njerëz në Exeter, një i ri shqiptar, trafikant droge, po zhvillon një intervistë pune. Përreth tij, klientë të pavetëdijshëm po shijojnë kafenë e tyre, pa e ditur se ai po rekruton një të panjohur për të shitur kokainë në rrugët e qytetit të tyre, të njohur për katedralen.

Kandidati i është përgjigjur një njoftimi për t'iu bashkuar mafias shqiptare. Ai është rekomanduar nga një tjetër shqiptar dhe duket se e di mirë çfarë duhet të thotë dhe si duhet ta thotë.

Brenda pak minutash, Leo, trafikanti, i ka ofruar një vend ku të qëndrojë, një listë çmimesh dhe një punë. Ai është aq i paduruar që rekruti i tij të fillojë punën, saqë i sugjeron të nisë menjëherë.

“Fillo punën tani”, e nxit ai gjatë takimit për kafe në orën 10:30 të paradites. “Për shembull, mund të fillosh në orën 12:00, apo jo?”

Nëse kandidati do të kishte qenë i vërtetë, ai mund të kishte filluar shpërndarjen e kokainës përpara drekës. Por Leo nuk e di se personi që ka përballë është një gazetar i infiltruar, i cili po filmon fshehurazi bisedën e tyre.

Prej pothuajse një viti, kam qenë pjesë e një ekipi gazetarësh investigativë të Sky News, që po hetonin se si grupet shqiptare të krimit të organizuar arritën të dominonin tregtinë e kokainës në Britani. Hetimi ynë na çoi nga Exeter, Wigan, Derbyshire dhe Royal Tunbridge Wells deri në Spanjë dhe Shqipëri, ku folëm me ish-anëtarë bandash kriminale, oficerë policie të infiltruar dhe detektivë që po luftojnë kundër këtyre grupeve.

Por, për të kuptuar se si funksionon kjo ndërmarrje e madhe kriminale në rrugët e Britanisë, na duhej të depërtonim brenda saj.

E nisëm në TikTok. Si gazetar investigativ i specializuar në krimin e organizuar, algoritmi im më shfaqte tashmë njoftime në gjuhën shqipe, ku ofroheshin vende pune si shoferë me pagesë të lartë, ndonjëherë duke përfshirë edhe karburantin dhe akomodimin. Asnjë prej tyre nuk specifikonte se çfarë do të duhej të transportonin aplikantët. Disa prej njoftimeve përmbanin edhe emoji-n e një flokëze bore, që përdoret shpesh si referencë për kokainën.

Kisha mësuar mjaftueshëm zhargon shqiptar nga rrjetet sociale dhe kontaktet e mia shqiptare për t'u dërguar mesazhe personave që publikonin këto njoftime, duke pyetur për punë. Por ata këmbëngulnin të flisnin në telefon dhe kriminelët me të cilët kisha kontaktuar tregoheshin të kujdesshëm ndaj personave që nuk ishin shqiptarë. Na duhej dikush që fliste gjuhën dhe që mund të garantonte për gazetarin e infiltruar, i cili do të ishte “fytyra” e komunikimit tim me ta.

Më në fund, gjeta një shqipfolës që pranoi të na ndihmonte dhe identitetin e të cilit po e mbrojmë. Së bashku, gazetari ynë i infiltruar dhe kontakti im shqiptar krijuan një histori të besueshme për të kaluar si të vërtetë. Sipas kësaj historie, gazetari ynë e njihte kontaktin tim që nga koha kur kishte shitur drogë për shqiptarët, por ishte larguar nga kjo veprimtari dhe tani kishte sërish nevojë për para.

Gazetari ynë i infiltruar dhe kontakti shqiptar përdorën identitete të rreme, të njohura në punën e infiltrimit si “legjenda”, si dhe një telefon të posaçëm, të përdorur vetëm për këtë qëllim, për të mbrojtur identitetin e tyre. Kaluan një kohë të konsiderueshme duke vlerësuar rreziqet ligjore dhe ato që lidheshin me sigurinë, përfshirë mundësinë e identifikimit apo gjurmimit të tyre edhe pas përfundimit të operacionit.

Masat paraprake rezultuan jetike. Pothuajse menjëherë, në Exeter, Leo vuri në provë historinë e gazetarit tonë, duke i kërkuar të shihte patentën e drejtimit. Kjo do të zbulonte emrin dhe adresën e tij të vërtetë.

Duke reaguar shpejt, gazetari ynë pretendoi se e kishte lënë portofolin në makinë, duke shpjeguar se kafenetë e tyre i kishte paguar me telefon. Ai premtoi se do t'ia dërgonte më vonë një fotografi të patentës. Për fat të mirë, Leo e pranoi justifikimin dhe u çlirua në bisedë.

Më pas, ai vazhdoi të fliste për çmimet e kokainës, uljet për klientët që blinin disa qese njëherësh dhe mënyrën se si funksiononte operacioni, me të njëjtën natyrshmëri sikur të ishte duke rekrutuar dikë për të punuar në një supermarket.

Kur u pyet nëse policia përbënte problem, ai u përgjigj: “Nuk është problem”.

David McKelvey, një ish-oficer policie që ndihmoi në zhvillimin e operacioneve të para të infiltrimit kundër bandave shqiptare, mbeti i habitur nga pamjet filmike.

“Vetëm nga kjo video, po të ishe polic, do ta arrestoje menjëherë”, thotë ai. “Do të shkoje drejtpërdrejt te ajo adresë që ai sapo ka treguar. Do ta kontrolloje dhe me shumë gjasa do të gjeje drogë”.

Leo mund të përballet me një dënim prej pesë deri në tetë vjet burg, sugjeroi McKelvey, megjithatë ai dukej krejtësisht i patrazuar teksa diskutonte për aktivitetin e tij kriminal në një kafene publike.

Vetëbesimi i tij ndoshta pasqyron shkallën në të cilën grupet kriminale shqiptare janë konsoliduar në Britani. Për dekada me radhë, grupet kriminale britanike dominonin tregtinë e kokainës në këtë vend. Sot, kriminelët shqiptarë janë bërë ndër aktorët më të fuqishëm të këtij tregu, duke ndërtuar një rrjet ndërkombëtar që shtrihet nga Amerika e Jugut deri në rrugët e qyteteve dhe qytezave britanike.

Sipas Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA), Britania është konsumatori më i madh i kokainës në Evropë, ndërsa konsumi i saj është rritur me më shumë se një të katërtën gjatë pesë viteve të fundit.

“Ne vlerësojmë se grupet shqiptare të krimit të organizuar kanë kontrollin kryesor mbi importimin e kokainës në vend”, na tha Frank Stewart, personi përgjegjës për luftën kundër këtyre grupeve në NCA.

Ngritja e tyre nisi me një llogaritje të zgjuar tregtare. Në vitet 1990, grupet kriminale britanike blinin kokainë relativisht të cilësisë së dobët përmes ndërmjetësve evropianë. Bandat shqiptare krijuan lidhje të drejtpërdrejta me furnizuesit në Amerikën e Jugut, duke eliminuar ndërmjetësit dhe duke rritur fitimet, ndërkohë që ofronin kokainë më të pastër me çmime më të ulëta.

“Ata kontrollojnë të gjithë procesin dhe sigurojnë fitimin maksimal të mundshëm”, shpjegoi Kathryn Westmore, drejtoreshë e sektorit të krimit financiar në UK Finance.

Zgjuarsia e tyre në biznes shoqërohej me një reputacion të frikshëm për dhunë.

“Nëse i zemëron, do të kalosh një periudhë shumë të keqe”, thotë McKelvey. “Ata janë të gatshëm të të rrëmbejnë, të të vrasin, të të torturojnë”.

Megjithatë, ajo që më bëri më shumë përshtypje gjatë hetimit tonë ishte mënyra se sa hapur funksiononin disa pjesë të këtij aktiviteti kriminal. Pas Exeter-it, pashë në TikTok një tjetër njoftim rekrutimi për një punë të ngjashme në Wigan, qindra kilometra larg. Këtë herë, intervista nuk u zhvillua në një kafene të rehatshme, por në një makinë të parkuar pranë një këndi lojërash për fëmijë.

Gazetari ynë kishte frikë se mund të ishte një kurth. Pasi të futej në makinë, shefi mund të largohej me të. Burri ishte ulur në timon, duke pirë një cigare, ndërsa tatuazhet i dukeshin poshtë bluzës me mëngë të shkurtra. Pavarësisht dyshimeve, gazetari ynë vendosi të hipte në makinë.

Shefi i ofroi 280 paund në ditë, në para të gatshme, për të shitur kokainë. Kjo shumë ishte e barasvlershme me pagën neto të një personi që fiton më shumë se 100 mijë paund në vit në një punë të ligjshme. Megjithatë, ky ishte vetëm një pozicion fillestar. Ashtu si në Exeter, ai i shpjegoi çmimet e kokainës, uljet që ofroheshin për blerjen e disa qeseve njëherësh dhe mënyrën se si funksiononte aktiviteti. Brenda pak minutash, gazetarit tonë iu ofrua edhe një tjetër punë.

Suksesi i këtyre bandave nuk qëndron vetëm te importimi i kokainës, por edhe te shpërndarja e saj. Anëtarët e rangjeve të larta kontrollojnë ato që njihen si “telefonat e shitjes së drogës” (deal phones), përmes të cilëve klientët porosisin lëndët narkotike. Drejtuesit ua përcjellin adresat e dorëzimit shpërndarësve të niveleve më të ulëta, të cilët mbledhin paratë.

Pamë se sa efikas mund të ishte ky sistem kur kolegu im, John Sparks, porositi kokainë në Royal Tunbridge Wells. Brenda pak minutash, ai mori një mesazh ku i premtohej se porosia do t'i mbërrinte brenda gjysmë ore. Në disa zona të Britanisë, duket se kokaina mund të mbërrijë më shpejt se një picë.

Telefonat e shitjes së drogës kanë vlerë të madhe, sepse përmbajnë kontakte të konsoliduara klientësh. Kriminelët i tregtojnë ato si biznese më vete, ku çmimi përcaktohet nga madhësia e rrjetit të klientëve. Gjeta një të tillë të reklamuar në TikTok për shumën marramendëse prej 300 mijë paundësh.

Por, ndërsa vazhduam të gjurmonim aktivitetet e bandave në internet, zbuluam diçka edhe më shqetësuese sesa njoftimet për vende pune dhe rrjetet e klientëve.

Në TikTok, një njoftim në gjuhën shqipe deklaronte: “Transportojmë djem me probleme nga Britania drejt Evropës. Udhëtim i sigurt çdo javë”.

Duke përdorur një llogari të infiltruar, kontaktova personin që kishte publikuar njoftimin. Ai ofroi të nxirrte nga Britania, me një kamion, një person që kishte probleme me policinë, kundrejt pagesës prej 2,500 paundësh.

Me sa dukej, infrastruktura kriminale shtrihej përtej rekrutimit të shpërndarësve dhe importimit të drogës: kishte gjithashtu persona që ofronin një rrugë arratisjeje për ata që përpiqeshin t'i shmangeshin drejtësisë.

Dhe marrëdhënia mes trafikut të drogës dhe kontrabandimit të njerëzve funksionon në të dyja drejtimet.

NCA beson se ekzistojnë lidhje të ngushta mes disa bandave shqiptare të drogës dhe rrjeteve të krimit të organizuar që merren me emigracionin e paligjshëm. Stewart na tha se disa prej këtyre grupeve janë të përfshira në sjelljen e paligjshme të njerëzve drejt Britanisë.

Një nga mënyrat më të zakonshme për të mbërritur në Britani është përmes gomoneve. Në vitin 2022, një e treta e të gjithë emigrantëve që mbërritën me gomone ishin shqiptarë. Ne arritëm të identifikonim një shqiptar që kishte mbërritur në Britani me gomone dhe më pas ishte përfshirë në trafikun e drogës. Duke folur në mënyrë anonime nga Shqipëria, ku ishte kthyer ndërkohë, ai tha se udhëtimi i tij ishte financuar nga të afërmit, me kushtin që pasi të mbërrinte në Britani, të punonte për trafikantët shqiptarë të drogës.

Siç ishte planifikuar, ai u largua nga hoteli ku ishte akomoduar si emigrant dhe shkoi në një fermë kanabisi në Mançester. I pyetur nëse edhe personat e tjerë që ndodheshin në gomonen e tij kishin synime të ngjashme, ai pretendoi: “Po. Shumica e tyre ishin nisur me këtë ide në mendje”.

Rrëfimi i tij na dha një tjetër mundësi për të parë nga afër rrjetin kompleks të rekrutimit dhe shfrytëzimit, në të cilin kishim kaluar muaj të tërë duke u përpjekur të depërtonim.

Natyrisht, shumica dërrmuese e shqiptarëve që jetojnë në Britani nuk kanë asnjë lidhje me krimin e organizuar. Megjithatë, bandat që hetuam kanë ndërtuar një aktivitet kriminal shumë fitimprurës, i cili po rezulton jashtëzakonisht i vështirë për t'u çmontuar. Ndërsa policia vazhdon të ndjekë penalisht personat përgjegjës, kërkesa e jashtëzakonshme e Britanisë për kokainë krijon një nxitje të fuqishme që të tjerë të zënë vendin e tyre.

Pavarësisht zgjuarsisë së modelit të biznesit të këtyre bandave dhe lehtësisë së dukshme me të cilën ato rekrutojnë shpërndarës të rinj, ia vlen të kujtojmë koston njerëzore që fshihet pas çdo transaksioni.

Siç na tha Westmore: “Ky nuk është një krim pa viktima. Pas atij transaksioni të vetëm qëndron një histori e tërë, e cila të çon te njerëz të shfrytëzuar, njerëz vulnerabël dhe dhunë. Është diçka që prek jetën e të gjithëve ne”.

 

SHPËRNDAJE

Lexo edhe

AKTUALITET

Me rëndësi

Ndiqni Piranjat kudo.

Investigime, denoncime dhe satirë — zëri që nuk hesht.