Hetimet për Përbindëshin që masakroi tetë çifte kanë nisur, gjuetia për vrasësin ka filluar

Mes historive të shumta që ende presin një epilog, mundësisht përfundimtar, është edhe ajo e “Përbindëshit të Firences”, vrasësit serial që masakroi tetë çifte të reja në kodrat e Firences, mes viteve 1968 dhe 1985.
Por për t'i dhënë një herë e mirë fund kësaj historie, mungojnë ende disa pjesë të enigmës. Në këtë rast, nuk bëhet fjalë për një detaj të parëndësishëm, por për materialin gjenetik të personit që për 17 vite me radhë vrau me të njëjtën pistoletë Beretta të kalibrit 22 dhe të njëjtat fishekë Winchester të serisë H.
Pikërisht për këtë çështje kanë nisur të punojnë sërish prokuroret e Firences, Ornella Galeotti dhe Beatrice Giunti, të cilat kanë urdhëruar marrjen e mostrave të ADN-së nga familjarët e viktimave.
Vrasjet, fillimisht me ndërprerje dhe më pas njëra pas tjetrës
Vrasja e parë që i atribuohet “Përbindëshit të Firences” ndodhi në Lastra a Signa, ku u ekzekutuan 31-vjeçari Antonio Lo Bianco dhe e dashura e tij 29-vjeçare, Barbara Locci.
Në sediljen e pasme të makinës ndodhej edhe Natalino, djali 6-vjeçar i gruas, i cili mbeti i plagosur, por jo në rrezik për jetën.
Pas tetë vitesh heshtjeje, vrasësi goditi sërish në Borgo San Lorenzo, ku sulmoi dhe vrau një çift të rinjsh, të sapokaluar moshën madhore: Pasquale Gentilcore dhe Stefania Pettini.
Pas disa muajsh pa asnjë ngjarje, vrasjet rifilluan në një interval të shkurtër kohor.
Në qershor të vitit 1981, në Scandicci, ai masakroi Giovanni Foggi dhe Carmela Di Nuccio, ndërsa në tetor të po atij viti, në Calenzano, vranë të fejuarit Stefano Baldi dhe Susanna Cambi.
Seria e krimeve vazhdoi në qershor të vitit 1982, kur në Baccanaio u vranë Paolo Mainardi dhe Antonella Migliorini.
Në shtator të vitit 1983, ishte radha e dy turistëve të rinj gjermanë, Wilhelm Friedrich Horst Meyer dhe Jens Uwe Rüsch, të cilët u vranë brenda një furgoni. Dyshohet se edhe ata mund të jenë ngatërruar me një çift të dashuruarish.
Dy vrasjet e fundit ndodhën mes viteve 1984 dhe 1985. Fillimisht, në Vicchio, u vranë Claudio Stefanacci dhe Pia Rontini, ndërsa më pas, në San Casciano, viktima të vrasësit serial ranë edhe dy shtetasit francezë Jean-Michel Kraveichvili dhe Nadine Mauriot.
Mbledhja e ADN-së dhe procesi i krahasimit
Pas vitesh procesesh gjyqësore, dy dënimeve dhe një pafajësie të rrëzuar nga Gjykata e Lartë italiane, hetimi duket se po rifillon pothuajse nga e para. Ose, të paktën, autoritetet nuk heqin dorë nga një përpjekje e fundit për të arritur në mënyrë më të qartë te një emër dhe mbiemër.
Në vitin 2024, siç raporton gazeta La Nazione, nisi procesi i digjitalizimit të provave materiale të gjetura në vendngjarjet e vrasjeve.
Sendet dhe gjurmët e mbledhura ndër vite në kuti, nga veshjet e viktimave deri te mbulesat e sediljeve të makinave ku u kryen masakrat, do t'i nënshtrohen sërish analizave gjatë muajve të ardhshëm, me ndihmën e teknologjive të reja.
Marrja e ADN-së së viktimave përmes mostrave të familjarëve të tyre është vetëm hapi i parë drejt synimit për ta krahasuar atë me materialin gjenetik të gjetur në provat materiale të çështjes, në mënyrë që të përjashtohen gjurmët që u përkasin viktimave.
Shpresa e hetuesve është që në fund të mbetet vetëm një profil gjenetik që nuk përputhet me asnjërën prej tyre: ai i “Përbindëshit të Firences”.
Ekspertiza iu besua gjenetistit të çështjes Garlasco
Detyra për analizimin dhe krahasimin e ADN-së, nëse gjurmët gjenetike mund të identifikohen ende, i është besuar nga Prokuroria e Firences gjenetistit Ugo Ricci, koordinator i ekipit të Gjenetikës Ligjore në spitalin Careggi.
Ai është i njohur për ekspertizën gjenetike që rihapi çështjen misterioze të vrasjes në Garlasco.
Për disa prej viktimave, prokurorët disponojnë tashmë të gjitha të dhënat e nevojshme për krahasimin e profileve gjenetike.
Për të plotësuar të dhënat që mungojnë, disa familjarë të të rinjve të vrarë kanë pranuar tashmë ftesën e karabinierëve dhe i janë nënshtruar marrjes së mostrave të pështymës. Mes tyre janë motra e Pasquale Gentilcore dhe nëna e Pia Rontinit.
Për vrasjen e kësaj të fundit dhe të gjashtë çifteve të tjera, ishte dënuar dhe më pas shpallur i pafajshëm në Apel Pietro Pacciani.
Gjykata e Lartë e Italisë e anuloi vendimin e pafajësisë dhe urdhëroi rigjykimin e çështjes, por i pandehuri ndërroi jetë përpara se të rikthehej në sallën e gjyqit.
Kështu mbeti pezull edhe roli i mundshëm i personave të njohur si “shokët e piknikut” (compagni di merende), Mario Vanni dhe Giancarlo Lotti, veçanërisht lidhur me vrasjen e çiftit në Baccanaio, në qershor të vitit 1982. /PiranjatNews/
Lexo edhe
BOTA
Samueli 22-vjeçar i dha fund jetës me vetëvrasje të asistuar në ditëlindjen e tij

U ab*zua nga bashkëshorti, babai dhe vëllezërit e tij, e reja shpëton nga ferri duke u h*dhur nga dritarja e makinës në lëvizje

Dy ditë pas lindjes, Roela Meka publikon foton e parë familjare me dy fëmijët e saj

Pas takimit trepalësh në Kinë, Trump telefonon liderët europianë në Berlin dhe kritikon ndihmën 70 miliardëshe për Ukrainën: Putin do paq...

"COVID-19 u lejua të përhapej me shpejtësi vdekjeprurëse"/ Ja çfarë zbuloi hetimi për pandeminë në Britani?




