Editorial Emisione Investigime Aktualitet Sociale Politikë Kosova Bota Showbiz Lifestyle Sport
TË FUNDIT
Kryeministri britanik letër Kurtit: Kosova të respektojë mandatin e Gjykatës Speciale, si dëshmi e pjekuris... "Liria ka Emër” planifikon peticion dhe grevë për vendimin e Hagës ndaj ish-krerëve të UÇK-së 69 ditë i zhdukur në Oqeanin Paqësor, 86-vjeçari dhe qeni i tij gjenden gjallë 740 kilometra larg bregut Gjermania miraton përgjysmimin e kuotës vjetore të punësimit për Ballkanin Perëndimor Ngjarje e rëndë në Greqi, gjendet në valixhe trupi i pajetë i një gruaje, detajet e para Raporti i Antimafias italiane: Grupet kriminale shqiptare ulen në të njëjtën tryezë me Ndrangheta-n dhe Cos... Tenerife merr përsipër të mbështesë financiarisht vajzën 1-vjeçare të Jesus de Miguel “Irani shtet i dështuar, me 301 përqind inflacion”, Trump: Nëse bisedimet përparojnë, mund ta ndërpresim lu... 450,000€ tek vëllai i shefes së SHISH, si Gys Agasi pastronte tek Vlora Hyseni milionat që merrte nga AKSHI... Ish i arrestuari po përgatit zgjedhjet/ Celibashi i KQZ-së bën “biznes” me Sokol Topçiun, pas bojës i jep t... Aksident i rëndë në Durrës, 26-vjeçarja përplas këmbësorin! Humb jetën i moshuari “Më ka vdekur nëna”, Bardhi shpërndan fjalët e 17-vjeçarit që u gjobit me 5 mln lekë: Akt mizor! Policia ta...
KOSOVA

Kandidati i Listës Studentore nga Kosova: Nuk do të ketë bashkëpunim me Listën Serbe

Përfaqësues politikë të Listës Serbe në Kuvendin e KosovësKandidati i Listës Studentore nga Kosova, Jugosllav Gashiq, tha më 7 nëntor se nuk do të ketë bashkëpunim me Listën Serbe, pasi, siç shpjegoi ai, “me dikë që gjatë gjithë kësaj kohe ka qenë fajtori kryesor dhe përgjegjës për pozitën në të cilën ndodhen serbët, vërtet nuk mund të ketë asnjë bashkëpunim”

P
Piranjat 7 November 2026, 22:47 · 6 min lexim
Kandidati i Listës Studentore nga Kosova: Nuk do të ketë

Kandidati i Listës Studentore nga Kosova, Jugosllav Gashiq, tha më 7 nëntor se nuk do të ketë bashkëpunim me Listën Serbe, pasi, siç shpjegoi ai, “me dikë që gjatë gjithë kësaj kohe ka qenë fajtori kryesor dhe përgjegjës për pozitën në të cilën ndodhen serbët, vërtet nuk mund të ketë asnjë bashkëpunim”.

Lista Studentore, që doli nga protestat antiqeveritare në Serbi, fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi në fund të tetorit, duke rrëzuar nga pushteti pas 14 vjetësh ish-presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, dhe subjektin e tij, Partia Përparimtare Serbe (SNS).

Për më shumë se një dekadë, Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës ka dominuar përfaqësimin politik të këtij komuniteti në Kosovë.

Kjo parti u formua me mbështetjen e SNS-së dhe ish-presidentit serb Vuçiq, me mbështetjen e të cilit ka vepruar deri më tani në Kosovë.

Në Kuvendin e Kosovës, ajo ka nëntë nga dhjetë ulëset e rezervuara për komunitetin serb, ndërsa udhëheq edhe të gjitha komunat e banuara me shumicë serbe në Kosovë.

Gashiq përsëriti qëndrimin që e kishte thënë në fund të tetorit në radion lokale Kim në Kosovë, se Lista Serbe ishte “zbatuesja e politikave të SNS-së” në Kosovë”, duke shuar se “nuk duam asnjë kontakt e asnjë bashkëpunim me ta”.

“Ata kanë pozita të caktuara institucionale, mbi të cilat ne nuk mund të ndikojmë, por këto pozita nuk do t’i mbrojnë nga përgjegjësia e mundshme penale për veprimet që kanë kryer. Ekzistojnë mekanizma të ndryshëm, por më e rëndësishmja është se ata do të mbahen nën kontroll”, tha Gashiq për Radio Televizionin e Serbisë (RTS). 

Sipas tij, ata që janë fajtor për “situatën në të cilën ndodhet populli serb” nuk kanë të drejtë morale “të flasin për atë që do të duhet të bëjë dikush tjetër”.

Gashiq porositi serbët që të jenë të qetë “pasi nuk do të ndërpritet asnjë ndihmë financiare”.

“Mesazhi për serbët këtu është që gjatë kësaj periudhe tranzicioni, derisa ne ende nuk e kemi marrë efektivisht pushtetin, të mos bien pre e thashethemeve të ndryshme që vijnë nga Lista Serbe, se do të mbeten pa paga, pa ndihmë sociale, se gjoja ne do ta tradhtojmë Kosovën e kështu me radhë”, theksoi Gashiq.

Duke folur për qëndrimin e pushtetit në largim në Beograd ndaj serbëve në Kosovë, ai tha se autoritetet qeverisëse nga SNS-ja kanë proklamuar se janë kujdesur për serbët në Kosovë, por në të vërtetë, sipas Gashiqit, ky pushtet ka tradhtuar interesat kombëtare të serbëve.

Gashiq foli edhe për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Sipas tij, përfaqësuesit e pushtetit të ri në Serbi do të rishqyrtojë të gjitha dakordimet e arritura mes palëve përmes Marrëveshjes së Brukselit.

Sa i përket dialogut për normalizimin e raporteve, bartësi i Listës Studentore, Ilija Srdanoviq, i ka thënë më herët REL-it se vazhdimi i dialogut për “çështjen e Kosovës dhe Metohisë” është pjesë e planit të saj. 

Nën rishqyrtim, sipas Gashiqit, do të jenë edhe marrëveshjet e tjera ndërkombëtare, në mënyrë që, sipas Gashiqit autoritetet e reja të mund të korrigjojnë gjithçka negative që është e mundur të korrigjohet.

“Jemi plotësisht të vetëdijshëm për mënyrën se si pushteti i kaluar [në Beograd] është sjellë ndaj popullit në Kosovë dhe Metohi. Atyre u është marrë dinjiteti, janë përballur me presion, imponim të vullnetit politik dhe shantazh përmes vendeve të punës. Nëse asgjë tjetër, pres që shumë shpejt, si disa nga rezultatet e para, të shohim çlirimin dhe lirinë e popullit për të shprehur të paktën mendimin e vet dhe, në këtë mënyrë, për të rikthyer dinjitetin që ka humbur”, u shpreh Gashiq.

Lista Studentore fitoi 52.54 për qind të votave në zgjedhjet e 25 tetorit, ndërsa SNS-ja e Vuçiqit mori 39.29 për qind.

Autoritetet zgjedhore në Serbi më herët gjatë javës shpallën rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, duke i hapur rrugë formimit të institucioneve të reja.

Pritet që Lista Studentore ta formojë e vetme Qeverinë e re të Serbisë, por ende nuk dihet se kush do të jetë kandidati i saj për kryeministër dhe ajo nuk ka prezantuar një program të qartë politik.

Pas zgjedhjeve në Serbi, Lista Serbe tha se “i pranon” rezultatet e zgjedhjeve parlamentare në Serbi, duke shtuar se mbetet “e përkushtuar” ndaj lidhjeve institucionale me Beogradin./REL

SHPËRNDAJE

Lexo edhe

KOSOVA

Me rëndësi

Ndiqni Piranjat kudo.

Investigime, denoncime dhe satirë — zëri që nuk hesht.