KLSH “ngel në klasë” Bashkinë Pogradec, 292 milionë lekë detyrime të pambledhura

Bashkia Pogradec e mbylli vitin 2025 me 292.2 milionë lekë detyrime të pambledhura nga taksat dhe tarifat vendore, legalizimet e ndërtimeve dhe kontratat e shfrytëzimit të pronave publike. Nga kjo shumë, 116.5 milionë lekë janë detyrime të evidentuara për vitin 2025, të cilat nuk kanë hyrë në buxhetin vendor.
Sipas audtimit përfundimtar të Kontrollit të Lartë të Shtetit, pjesën më të madhe të borxhit e përbëjnë taksat dhe tarifat vendore. KLSH vëren se në fund të vitit 2025 rezultonin debitore 5,135 familje, me detyrime të akumuluara prej 122.5 milionë lekësh, si dhe 504 biznese të vogla e të mëdha, me detyrime prej 85 milionë lekësh. Në total, këto dy kategori i detyroheshin bashkisë 207.5 milionë lekë.
Ajo që bie në sy është ecuria e kundërt e detyrimeve të familjeve dhe bizneseve. Borxhi i familjeve u rrit nga 80.6 milionë lekë në fund të vitit 2024 në 122.5 milionë lekë në vitin 2025, me një shtesë prej 41.9 milionë lekësh, ose rreth 52%.
Ndërkohë, detyrimet e bizneseve ranë nga 134.4 milionë lekë në 85 milionë lekë, një ulje prej 49.5 milionë lekësh, ose rreth 37%.
Raporti evidenton se Drejtoria e Taksave dhe Tarifave Vendore kishte ndërmarrë masa për mbledhjen e detyrimeve, përfshirë njoftimet e debitorëve, urdhrat e bllokimit të llogarive bankare dhe vendosjen e barrëve siguruese. Megjithatë, shumat e pambledhura mbetën të konsiderueshme.

Edhe 458 persona me taksa të papaguara nga legalizimet
Një tjetër burim i rëndësishëm detyrimesh lidhet me taksën e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e legalizuara.
Sipas KLSH-së, 458 persona nuk kishin shlyer detyrimet përkatëse, me një vlerë të akumuluar prej 50.9 milionë lekësh. Vetëm detyrimet e vitit 2025 arrinin në 34.6 milionë lekë.
Nga dokumentacioni i auditimit rezulton se për periudhën e shqyrtuar ishin evidentuar gjithsej 72.6 milionë lekë detyrime për këtë taksë, nga të cilat ishin paguar 21.8 milionë lekë, duke lënë të pashlyer diferencën prej 50.9 milionë lekësh.
KLSH konstatoi se Drejtoria e Planifikimit, Kontrollit dhe Zhvillimit të Territorit nuk kishte zbatuar plotësisht kërkesat ligjore për administrimin dhe mbledhjen e këtyre detyrimeve.
Problematika shtrihet edhe te kontratat e shfrytëzimit të pronave publike. Nga dhënia me qira e tokave bujqësore, vendosja e antenave dhe aktiviteti i hidrocentraleve, 54 subjekte rezultonin me detyrime të pashlyera prej 33.8 milionë lekësh, nga të cilat 13.3 milionë lekë i përkisnin vitit 2025.
Të ardhurat nën plan, investimet nga fondet e veta realizohen vetëm 4%
Vështirësitë në mbledhjen e të ardhurave shoqërohen edhe me mosrealizimin e objektivave buxhetorë.
Për vitin 2025, Bashkia Pogradec kishte planifikuar të siguronte 403.9 milionë lekë nga taksat dhe tarifat vendore, por arkëtoi 333 milionë lekë, ose 82% të planit. Diferenca arrin në 70.9 milionë lekë.
Ndërkohë, shpenzimet për investime të financuara nga të ardhurat e veta, nga 55.7 milionë lekë të parashikuara në planin e ndryshuar, u realizuan vetëm 2.2 milionë lekë, ose 4%.
KLSH e identifikon mosrealizimin e të ardhurave vendore si një nga faktorët që kanë ndikuar në mosrealizimin e shpenzimeve, krahas moszhvillimit të procedurave të planifikuara të prokurimit dhe shpenzimeve operative.
Audituesit i kanë rekomanduar bashkisë marrjen e masave ligjore për arkëtimin e detyrimeve nga familjet, bizneset, përfituesit e legalizimeve dhe subjektet me kontrata shfrytëzimi të pronave publike.
Përmasat e detyrimeve të pambledhura nxjerrin në pah një problem të rëndësishëm për financat e Pogradecit: ndërsa bashkia nuk arrin të realizojë një pjesë të investimeve të planifikuara, një shumë e konsiderueshme të ardhurash mbetet e paarkëtuar./ekofin.al
Lexo edhe
AKTUALITET
BB: 24.4% e bizneseve shqiptare i konsiderojnë penguese procedurat doganore, shifra më e lartë në Ballkanin Perëndimor

Shqipëria i kërkon NATO-s ekspertë kundër dezinformimit dhe ndërhyrjeve të dyshuara ruse

Moti i keq në Kukës, bie masivi shkëmbor në Rrugën e Kombit

Frontex: Rriten kalimet e parregullta në itinerarin Shqipëri-Greqi, ndërsa në BE shënohet rënie

Çfarë po ndodh me monedhat e huaja? Ja sa shitet dhe blihet euro dhe dollari për ditën e sotme





