Protesta hyn në natën e 14-të, qytetarët kërkojnë veprime nga institucionet e Kosovës

Në Prishtinë po vazhdon edhe sonte (e martë) protesta kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Kjo është nata e 14-të radhazi që qytetarë janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu”, duke kundërshtuar vendimin e shpallur më 16 shtator nga Gjykata Speciale në Hagë.
Protestuesit po kërkojnë reagim dhe veprime konkrete nga institucionet e Kosovës lidhur me aktgjykimin, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar se tubimet do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim.
Në protestë janë parë qytetarë me pankarta dhe mesazhe në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, ndërsa kërkesa kryesore mbetet kundërshtimi i aktgjykimit dhe reagimi institucional ndaj tij.
Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi u dënuan më 16 shtator me gjithsej 81 vjet burgim.
Aktgjykimi nuk është i formës së prerë dhe mund të apelohet, ndërsa ekipet e mbrojtjes kanë paralajmëruar ankesa ndaj vendimit.
Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar ndryshime në ligjin për Dhomat e Specializuara, duke e lidhur këtë kërkesë me zhvillimet e fundit në Hagë dhe nevojën, sipas saj, për mbështetje më të madhe institucionale ndaj të akuzuarve dhe të dënuarve.
Protestat në Prishtinë kanë vazhduar për disa net me radhë, ndërsa organizatorët kanë bërë të ditur se do ta mbajnë presionin publik deri në ndërmarrjen e hapave konkretë nga institucionet e vendit.
Lexo edhe
KOSOVA
Identitete dhe të dhëna të tjera në shitje, si funksiononte tregu ilegal i dy vëllezërve nga Kosova i hetuar nga FBI

Aktakuza ndaj liderëve të UÇK-së, zbulohen emrat e gjyqtarëve në panelin e Apelit

PDK-ja kërkon ndryshimin e Ligjit për Specialen para 6 tetorit

Zyrtarë të Listës Serbe dyshohen për sulm ndaj rendit kushtetues dhe vepra të tjera penale

Identifikohen dy persona të zhdukur gjatë luftës në Kosovë





