Nga hero i Kupës së Botës, Vozinha përfundon në stol te Colo-Colo në Kili...

Katër muaj më parë ishte një nga emrat më të përfolur të Kupës së Botës, falë pritjeve vendimtare me fanellën e Kepit të Gjelbër. Sot, Vozinha po përjeton një realitet krejt ndryshe. Portieri 40-vjeçar ka përfunduar në rolin e zëvendësuesit te Colo-Colo, ndërsa e ardhmja e tij në futbollin kilian është në pikëpyetje.
I afruar me një kontratë gjashtëmujore, Vozinha ka regjistruar vetëm pesë paraqitje në 14 ndeshje të skuadrës, e cila është pranë fitimit të titullit kampion dhe sigurimit të një vendi në Copa Libertadores. Kontrata e tij parashikon zgjatje vetëm nëse arrin të luajë një numër të caktuar minutash, objektiv që deri tani nuk e ka përmbushur.
Vetë portieri pranon se për momentin nuk dëshiron të mendojë për të ardhmen. “Erdha këtu me synimin për të luajtur në Copa Libertadores, por tani jam i përqendruar te kjo javë, që mund të jetë vendimtare për Colo-Colon. Për të ardhmen do të vendoset më vonë”, u shpreh ai për mediat.
Situata e tij është shoqëruar edhe me kritika. Claudio Bravo, ish-kapiteni i Kilit dhe ish-portieri i Barcelonës e Manchester Cityt, vuri në dyshim aftësitë e Vozinhas, duke theksuar gabimet në situata që kërkojnë koordinim.
Por vështirësitë e portierit nuk lidhen vetëm me futbollin. Fama e fituar pas Kupës së Botës e ka ndryshuar ndjeshëm jetën e tij. Nga rreth 50 mijë ndjekës në Instagram, ai tashmë ka kaluar shifrën e 27 milionëve dhe është bërë imazh për marka të njohura si Adidas, Pepsi dhe Red Bull.
Megjithatë, ekspozimi i madh nuk duket se e ka bërë më të lumtur. Në një intervistë për gazetën britanike “The Observer”, Vozinha pranoi se ka humbur qetësinë dhe privatësinë. “Nuk kam më qetësinë dhe paqen që kisha më parë. Nëse do të më ofronin jetën që kam sot apo atë që kisha dikur, do të zgjidhja të dytën”, u shpreh portieri.
Me kontratën që po shkon drejt fundit dhe me pak mundësi për të fituar minuta, aventura e tij te Colo-Colo mund të përfundojë shumë më shpejt nga sa kishte shpresuar.
Lexo edhe
SPORT
De Laurentiis viziton Napolin në grumbullim: Mbështetje për Allegri-n, por me kushte

Skandal/ Bellingham dhe Rüdiger akuzohen për sulm ndaj stafit të sigurisë në...

Merkato/ Milani planifikon huazimin e Camardës në janar, katër klube interesohen për sulmuesin e talentuar

Kosova përballet me Hungarinë në Ferizaj, “Dardanët” kërkojnë fitoren e parë në kualifikimet për Euro 2028

Arsenal fiton me vështirësi ndaj Hull City, Man.City pëson humbjen e tretë radhazi





