Përshkallëzim i rrezikshëm/ Avioni luftarak suedez sulm raketës ruse në Poloni, moti i keq prish planet e pilotit

Alarmi u dha edhe një herë në territorin e NATO-s të premten, pasi raketat ruse kaluan në hapësirën ajrore të Polonisë, gjatë një sulmi masiv ndaj Ukrainës. Dy prej tyre, së bashku me një dron, u rrëzuan – pa shkaktuar pasoja të mëtejshme – në fshatra pranë kufirit polako-ukrainas.
Më vonë u bë e ditur se NATO i kishte dhënë leje pilotit suedez të një avioni luftarak aleat JAS 39 Gripen, i cili ishte ngritur në ajër për të interceptuar dhe rrëzuar një objekt fluturues, që dyshohej se ishte një raketë ruse lundruese Kh-101. Objekti kishte shkelur hapësirën ajrore të Polonisë juglindore.
Megjithatë, piloti nuk hapi zjarr, pasi kushtet e këqija atmosferike që mbizotëronin në atë zonë në momentet kritike nuk e lejuan të identifikonte me siguri objektivin.
Gjenerallejtënant Ireneusz Nowak, komandant operacional i Forcave të Armatosura Polake, deklaroi se piloti ishte nisur për të interceptuar objektin dhe se me shumë gjasë bëhej fjalë për një raketë Kh-101. Megjithatë, për shkak të “kushteve jashtëzakonisht të vështira atmosferike” në zonën e interceptimit, ai nuk arriti të konfirmonte identitetin e objektivit, as me sy dhe as përmes sistemeve elektronike të shënjestrimit të avionit luftarak.
Kështu, megjithëse kishte marrë autorizimin për të përdorur armatimin e avionit, piloti nuk qëlloi me asnjë prej armëve. Ende nuk është përcaktuar se cili ishte fati përfundimtar i raketës në fjalë.
Në total, dy avionë polakë F-16 u ngritën në gjendje alarmi, së bashku me dy avionë suedezë Gripen, nën komandën e Qendrës së Operacioneve të Përbashkëta Ajrore të NATO-s në Uedem të Gjermanisë. Kjo qendër dha një autorizim të kushtëzuar për interceptimin, i cili mund të zbatohej vetëm nëse plotësoheshin kushtet për identifikimin e objektivit, raportoi gazeta polake Rzeczpospolita.
Dy raketa lundruese dhe një dron hynë në hapësirën ajrore polake
Gjatë sulmit ajror në shkallë të gjerë të Rusisë ndaj Ukrainës perëndimore, në orët e para të mëngjesit të së premtes, radarët ushtarakë polakë zbuluan 11 kërcënime të mundshme ajrore që po afroheshin drejt kufirit. Këtë e bëri të ditur ministri i Mbrojtjes i Polonisë, Władysław Kosiniak-Kamysz.
Tre objekte kaluan nga Ukraina në hapësirën ajrore polake dhe u rrëzuan në vende të ndryshme në rajonet e Nënkarpateve dhe Lublinit.
Ministri polak i Mbrojtjes theksoi se një raketë Kh-101 u rrëzua pranë fshatit Nowy Lipowiec, rreth 62 kilometra larg kufirit ukrainas. Një raketë e dytë e mundshme lundruese u rrëzua në Rudnik nad Sanem, ndërsa një mjet ajror pa pilot me motor reaktiv u përplas në Młodochów. Nuk u raportua për dëme materiale apo viktima në mesin e civilëve.
Të tria vendet ndodhen në Poloninë juglindore, pranë poligonit ushtarak Nova Dęba, ku forca nga 11 vende po marrin pjesë në stërvitjen shumëkombëshe ushtarake Koalicja 26.2.
Gjatë gjithë natës, avionët polakë F-16 dhe ata suedezë Gripen patrulluan hapësirën ajrore të Polonisë. Ata u mbështetën nga një avion furnizimi me karburant në ajër i Forcave Ajrore Holandeze dhe nga një avion polak Saab për paralajmërimin e hershëm dhe kontrollin ajror, i cili operonte mbi dy rajonet.
Raketa Kh-101 shpërtheu në ajër dhe ishte prodhuar në tremujorin e fundit të vitit 2026
Ndërkohë, sipas të dhënave të disponueshme, të analizuara nga autoritetet polake të prokurorisë, raketa ruse Kh-101, mbetjet e së cilës u gjetën pranë fshatit Nowy Lipowiec, ishte prodhuar në Rusi gjatë tremujorit të katërt të vitit 2026.
Gjetjet paraprake tregojnë se koka luftarake e raketës shpërtheu në ajër, duke bërë që copëzat e saj të shpërndaheshin në një zonë të gjerë.
Sipas Prokurorisë së Lublinit, hetuesit këqyrën zonën, hartëzuan trajektoren e fluturimit të raketës dhe mblodhën një numër të madh fragmentesh, të cilat do t'i nënshtrohen analizave laboratorike.
“Ne e dinim përafërsisht trajektoren e fluturimit. Është konstatuar se bëhet fjalë për një raketë lundruese të prodhuar në Rusi. Mund të konfirmoj gjithashtu se ajo është prodhuar në tremujorin e katërt të këtij viti”, deklaroi zëdhënësi i Prokurorisë.
Prodhimi i raketave dhe sanksionet perëndimore
Raketa lundruese Kh-101, e cila lëshohet nga avionët, është prodhuar gjatë muajve tetor dhe nëntor të vitit 2026 dhe është përdorur vetëm pak javë pas prodhimit të saj.
Ky zbulim tregon se Rusia vazhdon të prodhojë raketa në seri, pavarësisht kufizimeve perëndimore për eksportin e komponentëve.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka paralajmëruar vazhdimisht aleatët se forcat ruse përdorin raketa balistike dhe raketa lundruese menjëherë pas prodhimit të tyre. Ai i ka kërkuar Bashkimit Europian miratimin e një pakete të fuqishme të 22-të sanksionesh, që synon fabrikat e industrisë së mbrojtjes, furnizuesit e komponentëve në nivelet më të ulëta të zinxhirit të furnizimit, si dhe rrjetet e trafikimit të paligjshëm të pjesëve mikroelektronike.
Varshava flet për një “provokim të qëllimshëm”
Autoritetet polake kanë nisur një hetim dhe kanë dërguar njësi ushtarake dhe ekipe emergjence për të rrethuar tri zonat ku u gjetën mbetjet e mjeteve fluturuese.
Ministri i Mbrojtjes, Władysław Kosiniak-Kamysz, dhe kryeministri polak, Donald Tusk, deklaruan se Varshava dhe aleatët e saj në NATO po shqyrtojnë mundësinë e një “provokimi të qëllimshëm”.
Shkelja e hapësirës ajrore ndodhi vetëm pak orë pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi, në një intervistë për Fox News të enjten, nga avioni presidencial, se në incidente të mëparshme dronët dhe raketat ruse kishin hyrë në hapësirën ajrore polake “gabimisht”.
Ndërkohë, më herët kishte reaguar edhe kryeministri polak Tusk ndaj cilësimit “miku im”, që Trump përdori për presidentin rus Vladimir Putin gjatë samitit trepalësh me liderin kinez Xi Jinping, në Shenzhen.
“Zoti na ruajtë nga miq të tillë”, shkroi kryeministri polak në rrjetin social X.
Rutte nga Varshava: “Do të mbrojmë çdo pëllëmbë të territorit polak”
Të premten, liderët e Bashkimit Europian dhe të Mbretërisë së Bashkuar dënuan shkeljen e hapësirës ajrore polake gjatë samitit në Bruksel.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, u zotua se do të forcojë aftësinë parandaluese të Aleancës. Pas vizitës së jashtëzakonshme në Varshavë, të shtunën, më 21 nëntor, ai deklaroi se NATO “do të mbrojë çdo pëllëmbë të territorit polak”.
Rutte bëri të ditur gjithashtu se komandanti suprem i forcave aleate në Europë, gjenerali Alexus Grynkewich, po shqyrton boshllëqet e mundshme në sistemin mbrojtës dhe parandalues të NATO-s, në prag të mbledhjes së Këshillit të Atlantikut të Veriut, që do të mbahet të hënën në Bruksel.
Polonia do të përfaqësohet në këtë takim nga zëvendësministri i Mbrojtjes, Paweł Zalewski.
Në shtator të vitit 2025, disa dronë rusë kishin hyrë në hapësirën ajrore polake gjatë një sulmi ndaj Ukrainës. Në atë kohë, avionët e NATO-s kishin interceptuar disa prej objektivave, ndërsa aleatët kishin përforcuar mbrojtjen ajrore në krahun lindor të Aleancës. /PiranjatNews/
Lexo edhe
BOTA
Modernizimi i sistemeve, SHBA paralajmëron për ndërprerje të reja teknologjike

Fidan: Samiti Trump-Xi-Putin jashtëzakonisht i rëndësishëm, por nuk duhet krahasuar me Jaltën

Vuçic drejt akuzës penale, Financial Times: Qeveria i premtoi Kushnerit projektin pa tender

ZV/Presidenti Vance shmang përgjigjen nëse Trump do të urdhëronte sulmet ndaj Iranit

Skandal me inteligjencën artificiale/ Ministri i Arsimit në Korenë e Jugut jep dorëheqjen pas kaosit në provimet universitare





