Shiriti “Çifti me jetë të lumtur” tradhton grabitësit, zbardhet skema si u vodhën 43 mijë euro në Ballsh

Makina me targat e mbuluara me shiritin “Çifti me jetë të lumtur” dhe një plan për të krijuar alibi përmes një automjeti me qira.
Këto janë disa nga detajet e dosjes së siguruar nga Anila Hoxha për vjedhjen e rreth 43 mijë eurove dhe 1 milion lekëve në një agjenci udhëtimi në Ballsh më 26 mars të këtij viti.
Kristi Jorgji, prokurori që hetoi vjedhjen, e ka dorëzuar çështjen në gjykatë, në të janë renditur të dhënat se si e zbuloi grabitjen, ku ndër to përmendet se u kërkua në disa pika shitjesh të cilat tregëtojnë letra me mbishkrime prej nga ku kërkuan edhe kamerat e sigurisë, që mundësuan dhe kapjen e autorëve.
Sipas dosjes hetimore, plani dyshohet se është organizuar disa orë përpara grabitjes. Tre personat kanë marrë fillimisht një automjet Audi A4 me portobagazh dhe më pas kanë shkuar në një kompani makinash me qira në Fier, ku kanë marrë edhe një Honda Jazz të zezë. Por një tjetër detaj që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve është blerja e një shiriti adeziv të kuq me mbishkrimin “Çifti me jetë të lumtur”, i cili është përdorur për të mbuluar targat e Audit që shfaqet në pamjet filmike të ditës së ngjarjes.
Vjedhja në Ballsh
Më 26 mars, rreth orës 16:17, Ferat Shehaj, punonjës në një agjenci udhëtimi dhe këmbimi valutor në Ballsh, kishte lënë mbi tavolinën e agjencisë një çantë shpine dhe disa qese me para, ndërsa ishte larguar për pak çaste për të marrë automjetin e tij, të parkuar rreth 100 metra larg.
Në çantë ndodheshin 38 mijë euro, 4 mijë paund dhe rreth 1 milion lekë. Në ato momente, një person i veshur me të zeza, me kapuç, kapele dhe doreza, ka hyrë në ambient dhe ka marrë vetëm çantën, pa u vonuar për të kontrolluar sendet e tjera që ndodheshin mbi tavolinë.
Sipas hetimeve, kjo mënyrë veprimi ka ngritur dyshimin se autori kishte dijeni paraprake për vendndodhjen e parave dhe për çantën ku ato mbaheshin.
Shiriti “Çifti me jetë të lumtur” zbulon makinën
Pas vjedhjes, autori është larguar me një Audi të zi me portobagazh, në drejtim të Hekalit, Klosit dhe më pas Fierit. Viktima, sapo ka kuptuar se i ishin marrë paratë, është vënë në ndjekje të automjetit dhe ka njoftuar policinë.
Gjatë dëshmisë së tij, ai ka treguar se në vend të targës së automjetit kishte dalluar mbishkrimin “Çifti, jetë të lumtur”, me ngjyrë të kuqe.
Ky detaj është kthyer në një nga elementet kryesore të hetimit. Nga këqyrja e kamerave të sigurisë, hetuesit kanë identifikuar një Audi A4 B8 të zi me portobagazh, ndërsa kanë zbuluar se disa orë përpara vjedhjes, njëri prej të dyshuarve kishte hyrë në dyqanin “Gold Flower” në Fier dhe kishte blerë pikërisht një shirit adeziv të kuq me këtë mbishkrim.
Makina me qira për të krijuar alibi
Një tjetër element i rëndësishëm i dosjes lidhet me automjetin Honda Jazz, të marrë me qira po atë ditë në Fier. Sipas prokurorisë, automjeti është marrë nga shtetasja Anna Meissane Boudiaf, ndërsa për të siguruar makinën kanë ndërhyrë edhe dy personat e tjerë.
Nga këqyrja e kamerave, hetuesit kanë rindërtuar lëvizjet e tre personave që në orët e paradites. Në orën 10:53, Audi i zi ka mbërritur në një servis automjetesh në rrugën Fier-Patos, pranë Drejtorisë Vendore të Policisë, ku prej tij kanë zbritur tre të dyshuarit. Më pas, ata kanë marrë Honda Jazz-in.
Kamerat kanë dokumentuar gjithashtu ndalimin e automjetit pranë dyqanit të luleve në orën 11:47, ku është filmuar njëri prej të dyshuarve duke blerë shiritin adeziv.
Sipas analizës së prokurorisë, Honda Jazz është përdorur për të krijuar një alibi dhe për të fshehur lëvizjet e personit që dyshohet se kreu vjedhjen. Të dhënat GPS të automjetit tregojnë se ai ka qenë në qarkullim gjatë orarit të ngjarjes dhe ka rifilluar lëvizjen pas orës 18:39.
Dyshimet për bashkëpunimin dhe gjurmët pas vjedhjes
Në dosje përfshihet edhe një komunikim që Shehaj ka pasur me një të njohur të tij, i cili jetonte në Greqi. Ky i fundit i kishte përcjellë një mesazh, sipas të cilit vëllai i njërit prej të dyshuarve kishte pohuar se vjedhjen e kishte kryer pikërisht ai, për shkak të një konflikti të mëparshëm me Shehajn, pasi ky i fundit nuk i kishte prerë një biletë avioni. Ky komunikim është administruar nga hetuesit përmes bisedave në Messenger.
Ndërkohë, njëri prej të dyshuarve, gjatë marrjes në pyetje, ka deklaruar se kishte ndihmuar një të njohur të merrte një automjet me qira në Fier, duke përshkruar edhe takimin me të dhe lëvizjet gjatë asaj dite.
Në përfundim të hetimeve, Prokuroria e Fierit ka arritur në konkluzionin se tre personat kanë pasur role të ndryshme në realizimin e vjedhjes: njëri dyshohet si organizator dhe ekzekutor, njëra si ndihmëse për krijimin e alibisë, ndërsa i treti si person që ka ndihmuar në sigurimin e automjetit me qira dhe lëvizjet e të dyshuarve.
Prokuroria ka kërkuar dërgimin për gjykim të Gëzim Fejzullës, Anna Meissane Boudiaf dhe Arsen (Odise) Saliajt, të akuzuar për vjedhje në bashkëpunim me pasojë të rëndë.
Lexo edhe
AKTUALITET
Sekuestrohen rreth 400 gramë kokainë në Gramsh, disa persona në pranga

Bilanc tragjik për punëtorët e huaj në Shqipëri, 8 aksidente, 4 viktima dhe 19 të plagosur

Arrestohet në Vorë 49-vjeçari i kërkuar nga Italia për torturë dhe skllavëri

Operacioni i Veliajt kthehet në përplasje, drejtori i Burgut të Fierit: Nuk ishte problemi ndërhyrja, por zhurma

VIDEO/Ndërhyrja e menjëhershme e Policisë parandalon një ngjarje të rëndë kriminale në një familje





