Operacioni i Veliajt kthehet në përplasje, drejtori i Burgut të Fierit: Nuk ishte problemi ndërhyrja, por zhurma
Përplasja mes Erion Veliajt dhe Drejtorisë së Burgjeve për ndërhyrjen kirurgjikale në këmbën e kryebashkiakut është zhvendosur edhe në deklarata

Përplasja mes Erion Veliajt dhe Drejtorisë së Burgjeve për ndërhyrjen kirurgjikale në këmbën e kryebashkiakut është zhvendosur edhe në deklarata publike. Drejtori i Burgut të Fierit, Arben Qalliu, ka reaguar pas refuzimit të Veliajt për t’u paraqitur në Spitalin Memorial, ku ishte planifikuar të kryente operacionin më 23 nëntor.
Në reagimin e tij, Qalliu pretendon se Veliaj kishte kërkuar vazhdimisht ndërhyrjen kirurgjikale, duke argumentuar se gjendja e tij shëndetësore po përkeqësohej. Megjithatë, sipas drejtorit, qëndrimi i kryebashkiakut ndryshoi pikërisht kur u caktua data e operacionit.
Qalliu thotë se Veliaj refuzoi të shkonte në spital, duke u shprehur se nuk ishte gati për ndërhyrjen. Ai e interpreton këtë vendim si një përpjekje për të krijuar një alibi dhe për të ngritur pretendimin se institucionet shtetërore nuk po i ofrojnë kujdesin e nevojshëm shëndetësor.
“Pas kërkimit me ngulm të ndërhyrjes sipas avokatit dhe vetë shtetasit Erion Veliaj, duke u shprehur se po i rëndohej situata shëndetësore, sot, në mënyrë të befasishme dhe plotësisht të qetë, vetë shtetasi Erion Veliaj ka refuzuar të paraqitet pranë Spitalit Memorial Fier për të bërë të mundur ndërhyrjen”, deklaron Qalliu.
Më tej, drejtori i burgut lë të kuptohet se, sipas tij, çështja nuk lidhet me vetë operacionin, por me mënyrën se si po trajtohet publikisht situata.
“Nuk paska qenë problem ndërhyrja, por zhurma dhe alibia për të ngritur pretendimin sikur nuk po trajtohet siç duhet nga instancat shtetërore”, shprehet ai.
Veliaj kërkon vendimmarrjen e GJKKO-së
Një version krejt tjetër paraqet Erion Veliaj, i cili e ka kundërshtuar kryerjen e operacionit në Spitalin Memorial të Fierit. Kryebashkiaku thotë se i është drejtuar Gjykatës së Posaçme për të marrë një vendim lidhur me ndërhyrjen dhe nuk pranon që spitali ku do të operohet t’i caktohet nga institucionet.
“Unë i jam drejtuar GJKKO-së për të vendosur ajo mbi ndërhyrjen time kirurgjikale. Refuzoj të shkoj në spitalin Memorial Fier”, mësohet të ketë deklaruar ai.
Veliaj e lidh kundërshtimin e tij me transferimin në Fier, të cilin e konsideron “internim politik”, ndërsa ngre pikëpyetje mbi besimin që mund të ketë te një ndërhyrje kirurgjikale e organizuar në një spital që, sipas tij, i është imponuar nga kryeministri Edi Rama.
“Pas asaj që e konsideroj internim politik, si mund t’i besoj të njëjtit person edhe për një operacion nën narkozë, ku në lojë është vetë jeta ime?”, është një nga argumentet e tij.
Si u planifikua ndërhyrja?
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, procedura u vendos pas një konsultimi mjekësor të zhvilluar më 18 nëntor në ambientet e burgut. Institucioni pretendon se gjatë kësaj vizite Veliaj nuk kishte shprehur kundërshtime ndaj planit të propozuar për trajtimin.
Po sipas Burgjeve, ishte lënë e hapur edhe mundësia që mjeku i zgjedhur nga vetë kryebashkiaku të merrte pjesë në procesin mjekësor, qoftë gjatë përgatitjeve, gjatë operacionit apo në të dyja fazat.
Veliaj duhej të paraqitej në Memorial të dielën, më 22 nëntor, për analizat dhe konsultat paraprake, përpara ndërhyrjes së planifikuar për të hënën. Refuzimi i paraqitjes në spital ka sjellë tashmë një përplasje publike mes tij dhe drejtuesve të institucionit të vuajtjes së dënimit, ndërsa vendimmarrja për vijimin e procedurës i është kërkuar GJKKO-së.
Lexo edhe
AKTUALITET
VIDEO/Ndërhyrja e menjëhershme e Policisë parandalon një ngjarje të rëndë kriminale në një familje

Grabitet banesa në Durrës, vidhen 22 mijë euro, 800 mijë lekë, në pranga dy persona

Makina del nga rruga dhe përfundon në kanal në fshatin Kallm, shoferi largohet nga vendngjarja

Policia vijon ndëshkimet: 10 të proceduar dhe 13 masa administrative

Veliaj refuzon të shkojë në spitalin e Fierit për analizat para operacionit, kërkon vendim nga GJKKO





